Teuta Baleta Pese problemet qe zbulova ne Banken e Shqiperise

Teuta Baleta: Pese problemet qe zbulova ne Banken e Shqiperise

Cenimi i autoritetit të departamentit  të kontrollit në  Bankën e Shqipërisë, largimi  i njëanshëm i inspektorëve,  cenimi i pavarësisë dhe mospasja  e zëvendësguvernatorit të dytë,  kanë shkaktuar probleme në audit edhe  për vitet 2006-2010. Kjo ka qenë  një nga deklaratat që ish-Inspektorja  e Përgjithshme e BSH-së, Teuta Baleta,  ka bërë dje në Komisionin e Ekonomisë  dhe Financës. Raportimi i saj  ishte në cilësinë e ish-punonjëses në  departamentin e kontrollit dhe të specialistes  së fushës. Në të njëjtën kohë  ajo çfarë Baleta theksoi se informacioni  mbi shkeljet në Bankën e Shqipërisë  nuk i përkasin informacionit të kualifikuar.  Madje të gjithë shqetësimet janë  adresuar në Këshillin Mbikëqyrës dhe  se veshi i shurdhët në të cilat kanë rënë  kanë shkaktuar edhe shkeljet ligjore  dhe problematikat e zbuluara në institucionin  monetar më të madh në  vend. “Hetimi i brendshëm cilësohet  si një veprim i pavarur dhe i fshehtë  sepse ka mjaft rëndësi. Jep siguri  objektive dhe këshillimi që është  i projektuar në mënyrë të tillë që të  përmirësojë aksionet e organizatës.  Auditimi i brendshëm i ndihmon organizatës  të përmbushë të gjitha detyrat  në mënyrë të disiplinuar dhe  sistematike dhe të përmirësojë efektivitetin  e afrimit të rrezikut të kontrollit  dhe të qeverisjes”- kështu e nisi,  Teuta Baleta, rëndësinë e kontrollit  të brendshëm. Sipas saj, ky nuk është  një përkufizim i shpikur nga vetë ajo  apo nga kuadri rregullativ, por është  një përkufizim i rekomanduar nga organizata  ndërkombëtare për auditin e  brendshëm. Për të auditi i brendshëm  duhet të ketë veprimtari të pavarur nga  auditi i përgjithshëm i organizatës dhe  përgjegjësia përfundimtare i mbetet  drejtuesve të çdo organizate. E njëjta  vlen edhe për Bankën e Shqipërisë. 

Problematikat e auditimit të brendshëm në Bankën Qendrore 

Lista e problemeve të konstatuara që  më parë nga drejtoria që Teuta Baleta  drejtonte dhe që u raportuan dje  para komisionit janë: “Së pari, nuk u  zbatua programi për trajnimin e sektorëve  të departamentit të kontrollit,  që përmirësojnë aftësitë profesionale  të tyre. Rekomandim që me forcë e kishte lënë edhe FMN-ja. Që në fillim  të detyrës kam kërkuar që zhvillojmë  trajnimet afatgjata në formën e  një shkolle dhe formimi profesional të  përqendruar në tre module kryesore të  rëndësishme për funksionimin e auditimit  të brendshëm, që janë trajnime me  standarde kontabël me njohuri statistikore.  Sigurisht që ky propozim nuk u  zbatua as edhe një herë deri në momentin  që unë e lashë detyrën. Sigurisht  që është mundësuar pjesëmarrja  në trajnime të ofruara nga banka  të tjera qendrore, por ata nuk mund  të përmbushnin nevojat që ne kishim  për trajnimin. Kjo çështje nuk mund të  konsiderohet si një çështje e rëndomtë  auditi, por ka të bëjë drejtpërsëdrejti  me procesin e auditimit, siç është  profesionalizmi i audituesëve.

Së dyti. Ka antagonizëm në sektorin e departamentit  të kontrollit. Në cilësinë  e drejtuesit të departamentit të kontrollit,  kam propozuar strukturimin e  tij, me qëllim që të përforcoja auditin  e teknologjisë së informacionit për të  reduktuar riskun e përqendrimit të njohurive  dhe përvojës teknike jo vetëm  nga një person i vetëm, në kushtet kur  Banka e Shqipërisë po shtonte përdorimin  e teknologjisë së informacionit  dhe unë kam kërkuar të përforcoja pavarësinë  e një auditi të brendshëm një  aspektin juridik. Kam provuar të rrisja  shkallën e standardeve të auditimit të  brendshëm, përveç vlerësimit të auditimit  të brendshëm, apo më mirë të vendosjes  së një filtri apo shtrese të dytë  vlerësimi cilësie. Miratimi i strukturës i departamentit të kontrollit, në fakt u  vonua për një vit e gjysmë pa dhënë  asnjë shpjegim, dhe pse në kushtet kur Banka e Shqipërisë, është një institucion  që i ka ndërruar shpesh strukturat  e veta. Së treti. Ka pasur raste kur janë  cenuar burimet njerëzore dhe ka pasur  rast kur është prekur drejtpërsëdrejti  kompetenca e Inspektorit të departamentit  të kontrollit. Burimet njerëzore  në departamentin e kontrollit bëjnë disa  veprime, nëpërmjet ndërhyrjes për  largimin e inspektorëve pa propozim  të inspektorit të përgjithshëm. Ka ptur  probleme të tjera si mosnisja e procedurave  për dhënien e vendit të punës,  pasi departamenti i inspektorit  u strukturua ose vonesa të deklarimit  të riklasifikimit të inspektorëve apo të  nënshkrimit të akteve të inspektimit të  inspektorëve të tjerë. 

Elivar Golemi refuzon edhe mundësinë e dytë 

Nuk ka pranuar të marrë pjesë në  seancën dëgjimore të komisionit të  Ekonomisë dhe Financave, edhe pse  i’u dha mundësia që të dëshmonte  në komision dje, në orën 11:30.  Deklaratat, të cilat kanë qenë kontradiktore  me njëra-tjetrën, nuk  kanë mundur të sqarojnë opinion  publik, për refuzimin mbi pjesëmarrje.  Ditën e parë, vetëm 30 minuta  para fillimit të seancës dëgjimore,  deklaroi se nuk do të merrte  pjesë, pasi sipas saj, nuk është e  ligjshme që të përfaqësojë Bankën  e Shqipërisë në Komision. Në po të  njëjtën shkresë, deklaronte se do  të kthente përgjigje me shkrim për  çfarëdo pyetje që komisioni do t’i drejtonte. Madje në një kohë sa më  të shkurtër të mundshme. Në orët e  vona të pasdites së datës 3 shtator,  deklaroi se nuk mund të raportonte  për komisionin pasi ai nuk është as  institucioni i Gjykatës dhe as Prokurorisë.  Ndërsa gjatë ditës së djeshme,  deklarimi i zonjës Elivar Golemi ka  qenë se Inspektori i Përgjithshëm nuk  paraqitet në Komision se ligji “Për  Bankën e Shqipërisë” ka të përcaktuar  qartë tipologjinë e çështjeve  për të cilat raporton në Kuvendin e  Shqipërisë. Dhe më pas deklarata e  dytë ka qenë se ligji nuk e lejon për  të dëshmuar dhe se Kushtetuta thotë  që: “Unë mund të shpjegoj dhe informoj  Kuvendin, por jo të dëshmoj”. 

Baleta: Kartmonedhat i digjnim, banka pa zv.guvernator të dytë 

Arsyetimi për të mos shkelur etikën  ka qenë edhe mënyra që Teuta  Baleta, të mos u përgjigjej pyetjeve  të deputetëve pjesëmarrës në  Komisionin e Ekonomisë dhe Financave  për skandalin e fundit të  bankës, përgjegjësinë e Guvernatorit Ardian Fullani dhe këshillit aktual  mbikëqyrës. Baleta u shpreh:  “Jam këtu të jap dëshmi jo në lidhje  me vjedhjen, sepse nuk kam  informacion dhe nuk do të dëshiroja  të shprehesha, kjo nuk do të  ishte aspak etike për mua. Edhe pse  mund të kem mendimin tim personal,  sërish nuk mundem ta shpreh  atë”. Baleta refuzoi të deklarojë edhe  mënyrën e asgjësimit të parave  nga tregu. Kjo pyetje iu drejtua  nga deputeti Ervin Koçi. Përgjigjja  ka qenë se edhe në këtë përgjigje  ajo do të rezervohej të fliste sepse  është një proces që nuk duhet të  bëhet publik. “Dikur ka qenë më djegie,  tani bëhet me një tjetër formë  që nuk kam dijeni dhe nuk e di si  organizohej procesi” u shpreh ish-  Inspektorja e Përgjithshme. Sipas specialistes, mbetet e dyshimtë dhe  shkelje ligji mungesa e zëvendësguvernatorit  të dytë. Ajo shprehimisht  ka thënë: “Që prej dhjetorit të vitit  2005, prej 9 vjetësh, më shumë se  sa periudha e një mandati të Këshillit  Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë,  këtij institucioni i ka munguar zëvendësguvernatori  i dytë, përgjegjës  për mbikëqyrjen e disa njësive në  Bankën e Shqipërisë. Edhe ky është  një fakt publik dhe nuk ka asnjë rrethanë  për klasifikim të informacionit.  Ky fakt përbën dobësim të kontrollit  dhe kufizon vendimmarrjen ekzekutive  dhe njëherësh, ai ekspozon kundrejt  një rreziku edhe më të madh se  mungesa e zëvendësguvernatorit të  parë. Në këtë rast kemi shkelje ligji  si dhe me cenim të autoritetit të Kuvendit,  i cili ka përcaktuar që BSHja  duhet të drejtohet nga tre emra  administratorë. Së dyti, duke cenuar  pavarësinë e auditimit te drejtorisë  së kontrollit të brendshëm dobëson  edhe mjedisin e kontrollit. Ky dobësim  çon dështime të funksioneve, keqbërje  apo edhe vjedhje”. 

Autoriteti i inspektoriatit i cenuar, mungojnë të drejtat për hetim 

Kufizimi i burimeve njerëzore, pati  pasoja në ushtrimin e veprimtarisë së  auditimit të brendshëm, sepse e kufizoi  në sasinë e orëve të punës që kryhej.  Me lëvizjet apo moslëvizjet e inspektorëve,  në kundërshtim me propozimet  e Inspektorit të Përgjithshëm, ndërhyhej  një kompetencën e inspektorit të  përgjithshëm. U deformua raporti im  dhe i inspektorëve vartës si dhe cenimi  i pavarësisë së auditimit të brendshëm.  Së katërti. U kufizua aksesi në  informacion deri në moslejimin total  të tij, si dhe u mor përsipër interpretimi  nga ana e njësive të auditit, nëse  informacioni që na jepnin ishte jo për  inspektorët e kontrollit. Nga njësi të  ndryshme, kjo na kufizoi dhënien e informacionit  të kontrollit. Gjë që është  totalisht jashtë rregullores përkatëse  dhe cenimit të drejtpërdrejtë të standardeve  të tij. Për më tepër, merrej përsipër  edhe interpretimi i informacionit nëse ishte i mjaftueshëm për të arritur  në përfundime. Aksesi i lirë dhe pa  kufizim në çdo kohë dhe në çdo informacion  që ka lidhje me objektin e auditimit.  Grumbullimi i evidencës audituese  ra në ato nivele për të mbështetur  konkluzionet pa u cenuar nga struktura  ekzekutive. U cenuan kompetencat  e inspektorit të përgjithshëm si i vetmi  autoritet i përcaktuar me ligj për rregulloren  dhe standardet ndërkombëtare.  Së pesti, mosmarrja e përgjegjësisë së  pranimit të rrezikut nga ana e drejtimit  të Bankës së Shqipërisë. Auditimi i brendshëm  të jetë një funksion efektiv,duhet që  të tregohet kujdes nga rreziku. Duhet që  mekanizmi të jetë i pavarur. Në këtë aspekt  duhet që drejtimi i Bankës së Shqipërisë të  ndërtojë mekanizmin e pranimit të rrezikut.  Për rrjedhojë, nuk kishte vendimmarrje e  rekomandime të auditimit të brendshëm  gjë që shërbeu si një nxitës për një rrezik  në Bankën e Shqipërisë. Pra u deformua  raporti i vendimmarrjes së ekzekutivit”- u shpreh ish-inspektorja Teuta Baleta. 

Erjon Braçe: Për Elivar Golemin është bërë kërkesa e shkarkimit 

Pas sqarimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave,  mbi bazën ligjore ku ishte mbështetur  kërkesa për të dëshmuar Inspektori i Përgjithshëm  në Bankën e Shqipërisë, Elivar Golemi, kryetari i komisionit  ka bërë edhe një sqarim të radhës, që nuk ka qenë  vetëm mbi arsyet ligjore dhe vlerësimin antikushtetues  të zonjës Golemi, por edhe kërkesën për shkarkimin e saj  në Konferencën e Kryetarëve. Po kështu ai ka ironizuar  qëndrimet publike për justifikimin e mospjesëmarrjes në seancën dëgjimore të komision. Ai akuzon se Elivar Golemi,  nuk është autorja e deklarimeve publike, pesë të tilla  në dy ditë. Secila prej tyre kundërshton njëra-tjetrën. Po  në rrjetin social Facebook, ka reaguar edhe deputetja e  Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti. Sipas saj, qëndrimi  i Elivar Golemit është absurd. Shprehimisht ajo ka  shkruar: “Zonja Elivar Golemi në detyrën e inspektores  të përgjithshme të Bankës së Shqipërisë na tregoi se me  çfarë mendësie dhe se si ka shërbyer në atë funksion".  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama