"Baca Din nuk ndihet mirë, këto ditë më është dashur ta çojë shpesh edhe në spital". Besim Muhadiri, një nga biografët dhe miqtë e ngushtë të poetit Din Mehmeti, më rrëfente kështu ndërsa e pyesja se si është këto kohë poeti. Në odën e tij të madhe të mbushur me libra, edhe pse vitet i kanë kaluar të 78-tat, baca Din (ashtu si e quan Muhadiri), vijon ritualin e tij të takimeve me letërsinë. Kur mbrëmja mbulon dritaret me perde të bardha të asaj shtëpie tipike shqiptare, burri tashmë i thyer në moshë, ulet në tryezën e vjetër për të nisur përfytyrimin letrar, atë përfytyrim që pavarësisht kohës që ecën ka mbetur i njëjtë. Është tërësisht i dashuruar me këtë gjendje, është diçka që ndodh vetëm me të, diçka nga e cila nuk mund të shmanget edhe në këtë kohë të vonë të jetës. Është një ndjesi e rrallë që i përshkon trupin tashmë të mbuluar nga rrudhat, të cilat atij nuk i pëlqen t‘i shohë. Shumë poetë e krahasojnë të shkruarin me një lloj dashurie. Për bacën Din kjo është e vërtetë, vetëm se është një dashuri, fuqinë e së cilës e ndjen shpesh dhe pafundësisht, një dashuri e cila nuk shkon kurrë...Në fillim ndoshta nuk e ka kuptuar mirë trajtën e saj...
Por sa ka ndryshuar jeta e tij, qysh kur i magjepsur pas tavolinave me biseda burrash vendosi të shkruante për mendimet e tyre, deri më sot, ku është një nga emrat më të njohur të mendimit shqiptar. Baca Din thotë se dita e tij vijon të jetë e njëjtë. Pavarësisht se kohët kanë kaluar dhe mban mbi supe në një farë mënyre dhe udhëtimin e letërsisë shqipe, që nga vitet 40-të e deri më sot, ai ka ditur të ruajë ca gjëra nga e kaluara, ca gjëra që kërkon t‘i gjejë në qytetin tashmë të shndërruar nën ritmet e kohës.
Ditën i pëlqen të takojë sa më shumë njerëz, të endet i vetëm në atë qytet, ku ende gjen miqtë e tij që kthehen nga fshati. Dhe ditët e tij më të mira janë ditët e tregut. "Ditën e tregut, gjithashtu dëshiroj të takohem me njerëz, që vijnë apo që zbresin nga fshati. Dëshiroj ta përjetoj atë zhurmë dhe ta ndiej atë atmosferë që krijohet atë ditë. Në mbrëmje ose krijoj ose lexoj. Më shumë lexoj se sa krijoj", thotë ai.
Por rituali i krijuar që atëherë kur ishte ende një djalosh me poezinë nuk ka ndryshuar. "Natën i shkruaj pothuajse të gjitha poezitë e mia. Zakonisht stina më prodhuese e krijimtarisë sime është pranvera e hershme dhe dimri. Në verë pak shkruaj". Por si ulet të shkruaj Din Mehmeti? "Pyetjes suaj, se si shkruaj unë do t‘i përgjigjem kështu: Unë meditoj për një kohë të gjatë për shumë tema dhe nganjëherë njeriu humb meditimin. Gjatë leximit të vazhdueshëm më paraqitet ndonjë formë, të cilën e kam menduar herët, më paraqitet ndonjë motiv i përpëlitur herët në kokën time dhe tani vjen momenti për ta nxjerrë në dritë. Në mënyrë spontane më paraqiten vargjet e para, të cilat duhet t‘i shkruaj. Siç e kam përmendur edhe më parë, kjo paraqitje bëhet krejt në mënyrë spontane. Në këtë paraqitje nuk di kush merr pjesë. Kjo rrjedh vetvetiu në mënyrë të natyrshme. E di se mendimi është pjellë e diçkaje të brendshme dhe ajo vjen me përmbajtjen e vet, që poezinë e bën të jetë vërtet poezi. Këtë gjë s‘mund ta bëjë apriori mendimi, as ndjenja vetëm, por këtu është një përzierje. Nga vargjet të cilat lindin nga spontaniteti, apo frymëzimi, unë gjej kohën pastaj për t‘i përpunuar, duke futur në përdorim logjikën, mendimin, për aq sa meriton ai spontanitet, për aq sa është e nevojshme. Në këtë plan unë mundohem që mos t‘i sterilizoj aq shumë ndjenjat që kanë shpërthyer në mënyrë spontane, sepse ekziston një rrezik, që mendimi të jetë shumë i ashpër dhe të dëmtojë skeletin e atij spontaniteti, që nuk mund të arrihet më kurrë. Dhe kështu mund të prishet poezia. Pra, nga ky spontanitet unë bëj poezi dhe gjatë përpunimit unë mund të herr diçka që është e tepërt dhe që mund të jetë përsëritur. Dhe është punë e mundimshme që secilës fjalë, e secilit varg t‘ia gjesh vendin e duhur, në mënyrë që poezia të jetë sa më komplete, sa më e natyrshme", thotë ai. Ai nuk shkruan me dhunë. "Nuk ulem asnjëherë të shkruaj kur nuk kam frymëzim. Ai i beson thënies së Gëtes, se "Kur nuk keni motiv, kur nuk keni frymëzim, atëherë s‘keni çka bëni, vetëm në qoftë se arnoheni me arna të huaj".
Dhe frymëzimi për të nuk mund të jetë vetëm një grua e bukur, një natyrë e qetë, apo diçka tjetër, pasi ndonjëherë letërsia mund të përftohet edhe nga leximi.
Por pavarësisht impulseve nga të lexuarit, poezia e tij, apo të brezit që i përket Din Mehmeti, nuk ka mundur të shmanget nga historia e vendit ku ka jetuar. "Unë kam krijuar në rrethanat shoqërore në të cilat ka jetuar populli i Kosovës gjatë pesëdhjetë viteve të shkuara, nën sundimin e regjimit komunist jugosllav. Brenda këtyre rrethanave të vështira shprehja pakënaqësinë time, mjerimin e jetës sime brenda për brenda jetës shoqërore". Ndaj sot nuk është çudi kur poezia e tij ndonjëherë të ngjason si një revoltë, apo si një shqetësim i vazhdueshëm. Ai është i bindur se pjesa më e madhe e poezisë, që është krijuar në Kosovë s‘është gjë tjetër veçse një pasqyrim i kësaj gjendjeje. "Kam përshtypjen se pjesa më e madhe e poezisë së krijuar në Kosovë, s‘është gjë tjetër, përveçse figurë e kësaj gjendjeje. Kjo shihet në temat, idetë, format dhe në gjuhën figurative. E mbështetur në ato rrethana, poezia shqipe në Kosovë na del si një klithje, para vdekjes, e herë-herë, si një poezi kryeneçe që bën rezistencë ndaj padrejtësive, që bënte sistemi komunist ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Ajo thërriste një kohë më të mirë për shqiptarët, pra thërriste, padyshim, lirinë. Kjo poezi për kah natyra ishte luftarake. Pra bënte me të gjitha armët figurative, për ta përshpejtuar jetën nga dhuna që ushtronte mbi ne sistemi sllavo komunist".
Por cila është e përbashkëta mes poezisë së krijuar në Kosovë dhe asaj në Shqipëri gjatë këtyre periudhave për Din Mehmetin?
"Këto dy poezi e kanë të përbashkët gjuhën. Gjuha i bashkon dhe i bën ato poezi shqiptare. Në këtë drejtim ato janë të njësuara dhe nuk ekziston asnjë rrezik i ndarjes. Megjithatë, poetët e dy anëve të kombit, janë rritur e janë formuar si poetë në rrethana të ndryshme shoqërore e politike. Poetët e Kosovës brenda sundimit sllavo-komunist, ndërsa poetët e Shqipërisë nën diktaturën e egër komuniste. Për shkak të mungesës së kontakteve të drejtpërdrejta dhe të shpeshta në mes poetëve të dy anëve, janë krijuar paragjykime të ndryshme për punën e njëri tjetrit. Këto paragjykime të çdolloj përbëjnë shkallën e ftohjes nga njëri tjetri, që s‘është gjë tjetër por rezultat i ndarjes pesëdhjetëvjeçare. Kjo ndarje i bëri dëm ndjenjës së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë", thotë ai.
Por pavarësisht ndarjes së dy trualleve shqipe, shqetësimi duket se ka qenë i ngjashëm në të dyja kahet. Komunizmi ka dhembur njësoj në të dy vendet. "Poetët e Shqipërisë kanë krijuar nën ombrellën e shtetit të tyre. Ata kanë krijuar në rrethana të diktaturës komuniste, e cila i ka ndrydhë, burgosë e vra. Atje gjatë pesëdhjetë viteve s‘ka pasur mundësi të shkruhet lirisht. Megjithatë, nëpër të çarat e sistemit, nëpër dhëmbët e ashpër të tij, është krijuar një poezi e mrekullueshme, siç është ajo e Kadaresë, Agollit, Arapit, Spahiut e të tjerëve", thotë ai.
Kohët si profesor
40 vitet si profesor janë një përvojë që në këtë kohë të vonë të jetës i vijnë në formën e kujtimeve të bukura. Të shprehurit ndonjëherë është një formë poezie, një mënyrë nëpërmjet së cilës shpreh, jo vetëm pikëpamjet dhe konceptet e tua për një fenomen letrar, por përcjell dhe emocione. "Gjatë këtyre dyzet e më shumë viteve si profesor, mund të them se kam pasur shumë gëzime. Jeta ime me studentë ishte jetë e lumtur. Studentët më kanë bërë më të fortë, më të guximshëm, më të dashur, më human. Ata kanë kontribuar edhe në qëndrimin tim ndaj jetës në përgjithësi".
Baca Din e di se "studentët e dinë mirë se kur duhet bërë diçka". "Kjo ndjenjë më ka bashkuar fuqimisht gjatë ligjëratave dhe jashtë tyre me ta. Qëndrimi i tyre ndaj problemeve politike në Kosovë, ndaj dhunës së ushtruar mbi popullin nga organet e sistemit, gatishmëria për t‘u sakrifikuar për idealet kombëtare, janë disa prej virtyteve të studentëve, që më kanë bërë edhe më të fortë për t‘i bërë rezistencë jetës dhe vdekjes personale. Studentët mbesin pjesë e jetës sime. Idealet e tyre gjenden edhe në mua. Dashuria gjithashtu. Me ta kam protestuar kundër padrejtësive shpeshherë. Gjithnjë e kemi ditur se ç‘duhet bërë edhe atëherë kur nuk e shprehnim sheshazi..."
Kur vdekja ishte aq pranë
Ai ka dëgjuar për së gjalli se çfarë do të thoshin për të pasvdekjes...Sigurisht nuk është diçka e bukur të shohësh sesi t‘i shkruajnë nekrologjitë, sesi orvaten në shtyp fjalët më të mira dhe më të paimagjinueshme për ty, por të jesh poet në një nga vendet më të pastabilizuara të Ballkanit, çdo gjë është e mundshme. Baca Din e ka të vështirë të sjellë në kujtesë periudhën mars-qershor të vitit 1999, kur ai u gjend në Gjakovë, kur pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe të krimit, serbët dhe malazezët u tërbuan fare. Në atë kohë ndodhën masakra të mëdha në qytetin e Gjakovës, ku shumë intelektualë u ekzekutuan. Ato ditë qarkulloi lajmi, se mes të ekzekutuarve ndodhej dhe Din Mehmeti. Popujt e dhunuar, popujt që kanë jetuar periudhat më të errëta në histori lindinkështu dhe poetët, ata burra apo gra të cilët kanë qenë pjesë e kësaj historie, por që kanë pasur një vështrim tjetër të situatave. Ashtu siç e solli, më pas në poezi Mehmeti atë kohë, në poezinë "Policët dhe librat", një nga poezitë që e sjellë në mënyrë sa realiste aq edhe të realizuar atë kohë. Por ai, pavarësisht mënyrës sesi e ka shtjelluar atë kohë në poezi, nuk i pëlqen ta kujtojë shpesh. Megjithëse thellë brenda tij, i kthehet shpesh atij qyteti dhe atij viti, ku humbi njerëzit e tij më të dashur. Dhe ai mbeti i gjallë si për të treguar të vërtetat e mëdha të vendeve të shtypur. "Kjo është një periudhë të cilën nuk dëshiroj ta kujtoj, për shkak të tmerrit që më kujton ajo. Unë mbijetova, sikurse mbijetoi edhe një pjesë e popullit tim, që mbeti në trojet e veta. Unë nuk pata mundësi të ikja dhe e tërë tragjedia është zhvilluar para syve të mi. Qyteti im ato ditë, në ato çaste të vështira digjej dhe dalëngadalë shkatërrohej e shndërrohej në gërmadha. Flaka dhe tymi dilte nga të gjitha anët. Njerëzit vriteshin rrugëve. Klithje, lutje, ikje pamend, përpëlitje, rafale pushkësh dhe plumba që binin mbi trupa njerëzish të qytetit tim. Ishte një kaos, ishte një tmerr i paparë. Qyteti së bashku me njerëzit e tij vritej dhe shndërrohej në një varr kolektiv. Kriminelët serb ishin tërbuar fare nga shovinizmi dhe digjnin njerëzit nëpër shtëpi. Prandaj, nuk dëshiroj të më bëhet kjo pyetje që më kujton atë tmerr dhe atë lemeri. Këtë gjendje dhe situatë e kam shprehur edhe në poezinë "Policët dhe librat". Por, megjithatë, unë e mbijetova atë katrahurë, ndonëse shumë lehtë kam mundur të jem pjesë e asaj historie të dhimbshme. Mbijetova, mbase për të rrëfyer atë që kisha regjistruar në ato çaste të rënda. Dhe kjo ishte një rastësi, sepse të mbijetosh apo të dalësh i gjallë nga ajo skëterrë e lemerishme, nga ajo kohë e rëndë ishte një rastësi e ndoshta edhe një luks i madh".
Poezia e parë 1949
Gjithmonë është dikush. Kjo thënie të kujtohet ndërsa Din Mehmeti të rrëfen kohën kur ngjizi poezinë e parë. Është një njeri që na rrëfen në mënyrën e tij, se kjo është udha e duhur dhe se ti nuk duhet të kthehesh më pas...Ashtu ndodhi dhe me Din Mehmetin, kur ende adoleshent, mbërriti në zyrat e revistës letrare "Jeta e re" për të dorëzuar vjershën "Të resë sonë". "Këtë vjershë ia tregova Esad Mekulit, i cili u gëzua sikur të ishte vjersha e tij. Ai e lexoi me kujdes dhe më tha: Këtë vjershë do ta botoj, me kusht që të shkruash edhe vjersha të tjera. Esadi, që për ne ishte njeriu më i dashur, më obligoj që të merrem me letërsi. Pas disa ditësh, kur u botua numri i dytë i "Jetës së re", e pashë vjershën time të botuar. Për mua ai moment ishte ndër më të lumturit. Botimi i asaj vjershe më tronditi shumë. Ishte një tronditje e imja shpirtërore, të cilën as sot nuk mund ta përshkruaj. Tani isha i vetëdijshëm se mu hap edhe një dritare e re për ta parë realitetin e jetës ndryshe. Botimi i asaj vjershe më bëri bashkëpunëtor të ‘Jetës së re‘, revistë kjo që më rriti si poet", rrëfen ai, i bindur se po të mos ishte kjo revistë dhe Esad Mekuli ndoshta nuk do të behej poet. "Esadi dhe ‘Jeta e re‘ më zbuluan dhe më angazhuan të shkruaja poezi vazhdimisht. Esadin e takova edhe pas botimit të vjershës. Ai më thoshte vazhdimisht se talenti mund të zhvillohet vetëm me punë të vazhdueshme. Dhe fjalët e tij u bënë udhërrëfyese për mua. Në jetën time nuk kam njohur njeri më ideal, më shpirtmirë, më të sinqertë për ata që bënin hapat e parë në letërsi. Esad Mekuli për mua mbetet babai i poezisë shqipe që u krijua në Kosovë".
Por jeta e Din Mehmetit është aq e ngjashme edhe me jetët e poetëve të cilët na vijnë nga trevat tona jashtë kufirit. Babai i tij do ta merrte shkollimin e të birit si një krenari, dhe pse ky i fundit do të zbriste me dhembje nga fshati në qytet, ku do të kryente shkollimin. Por Baca Din rrëfen, se zbriti në qytet bashkë me legjendat dhe ritet që ishin brumosur tashmë brenda tij nga fshati... Ato këngë dhe legjenda që këndoheshin dhe rrëfeheshin në odat e burrave, atje në fshatin e tij rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, vijnë tashmë në kujtimet e tij.
Rrëfimi i tij i ngjason një rrëfimi të njohur, kur djemtë e fshatit nisin një jetë të re në qytet, por gjithnjë ata janë të suksesshëm kur nuk e lënë pas të shkuarën, ashtu siç ndodhi dhe me Din Mehmetin.
I kujtohen ato kohë kur i mësuar me këngët e fshatit, rapsoditë e njohura të bjeshkëve, nuk mund t‘i përshtaste me ritmet e lehta që kërkoheshin në qytet. Në fillimet e tij, Din Mehmeti, ka qenë edhe një rapsod, por siç thotë edhe ai vetë "Edhe rapsodi popullor ndodh që të bëhet poet". "Si rapsod unë këndoja para se të vija në Gjakovë dhe përmes këngës mundohesha të shprehja ndjenjat e mia për t‘i kënaqur njerëzit, që më dëgjonin. Ato këngë u jepnin shpresë njerëzve që i dëgjonin. Kalimi im prej një rapsodi popullor në poet nuk qe aspak i vështirë. Ajo që ishte më e vështirë për mua si poet, ishte që të shkruaja një poezi krejtësisht subjektive. Në fillim përmes poezisë shprehja edhe unin kolektiv, ndoshta më tepër se atë personal. Kjo formë e shprehjes nuk është e panjohur në poezinë kombëtare. Më vonë, para lexuesve fillova të shpreh më tepër ndjenjat e mia, gjendjen time shpirtërore për sfidat e ndryshme të jetës".
Policët dhe librat
Natë
Qyteti dridhej
Klithte nëpër krisma
Ata erdhën edhe në shtëpinë time
Si një furtunë e zezë
Që rrënon gjithçka
Erdhën e përmbysën çdo gjë
Në bibliotekën time
I gjuajtën librat nëpër dhomë
I shqelmuan i shqyen
Fytyrat dyllë nga vdekjet
Duart tmerr nga krimet
Ku i ke armët ku
Jo kam vetëm libra
M‘i ngulën sytë
E gjarpërinjtë
E ulërinë:
Libra libra libra
Pse gjithë këta libra?!
Heshtje e gjatë
Librat merrnin frymë
Ata më shikuan mendueshëm
U zverdhën e ikën pa thënë asgjë
Mbrapa lanë erë të ndytë
Kob frikë
Gjakovë, prill 1999
Marre nga : Gazeta Shqip











