Te rrefesh komunizmin ne art

Të rrëfesh komunizmin në art

Bashkë me Leonard Qylafin, Karl Ingar Roys nga Berlini dhe Katerina Zdjelar nga Holanda, do të hapin një ekspozitë të përbashkët më 25 maj te tri kullat prapa Stadiumit "Qemal Stafa". Ekspozita e quajtur "Mbi gjithçka që donim të dinim, por nuk guxuam kurrë të pyesnim" sjell reflektimet e tyre mbi gjendje të ndryshme, kryesisht të lidhura me fenomenet historiko-politike.

E tillë është edhe puna në proces nga Katerina Lungren, "Third Face of poker", një punë e fokusuar mbi shprehitë dhe veprimet e pushtetit në propagandën komuniste shqiptare. "Jam e interesuar në mënyrën, sesi pushteti përshkruhej dhe sesi skenarët fiktivë të këtyre filmave përdoreshin si propagandë për të mbështetur strukturën e pushtetit të mëparshëm dhe për të shtypur konflikte të padëshiruara. Puna është një instalacion pamjesh me fotografi aktorësh dhe skenash nga filma të ndryshëm. Titulli i punës vjen nga një teori akademike "Tri fytyrat e pushtetit", nga Steven Lukes", thotë ajo. Ndërsa artisti shqiptar, Leonard Qylafi, ka zgjedhur të prezantohet në këtë ekspozitë me dy projeksione, të cilat përbëjnë një instalacion të quajtur "Qhite lyrics". Ndryshimi te këto projeksione është prezenca e personazhit në anën e majtë dhe mungesa e tij në të djathtën, ku ndodhet vetëm një karrige bosh. Në një karrige afër dritares, ai ulet dhe luan në kitarë një pjesë muzikore të kompozuar nga vetë autori. Me rrjedhën e muzikës drita që hyn nga jashtë ndryshon ngadalë, duke dhënë një sens të kalimit të kohës. Pasi muzika mbaron, ai largohet dhe mbeten vetëm dy karrige bosh. I gjithë instalacioni video kalon përmes tërheqjes nga imazhi i perceptuar, shprehjes së muzikës si një gjuhë personale dhe një poetizim meditativ.

Karl Ingar Roys në punën e tij "Some humans as statues some not" thotë se ka fotografuar njerëz të rastësishëm takuar, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. "Disave u kam kërkuar të imagjinojnë, sesi ishin statujat socio-realiste të komunizmit, ato që nuk janë më të pranishme në vendet publike. Të tjerëve thjesht u kam kërkuar t‘i fotografoj, pa përmendur të shkuarën dhe statujat", thotë ai. "Mbi gjithçka që donim të dinim, por nuk guxuam kurrë të pyesnim" është e ideuar dhe organizuar nga TICA, me mbështetjen e "European Culture Foundation", "Office for Contemporary Art", "Oslo", IASPIS, "Institutit të Bienales së Tiranës", "Kultura në lëvizje" dhe "KDK Company".

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama