Te pakten mos u gafurr

Te pakten mos u gafurr

Chuck Norris dhe Sajmja

Në mesoret e Konviktit të Zdrales në Shkodër dëgjova një djalë që këlthiste: “Ejani çuna, se ka film me Zhak Morris!”. Kjo është e para herë që pashë një film të Chuck Norris, i cili nuk e di pse, por në kinematë e Shkodrës erdhi me emrin Zhak Morris. Më vonë kam parë do filma të tij dhe jam zbavitur për vdekje. Nuk e fsheh që nuk ka gjë më komike se “realizmi socialist amerikan”. Aktori, i cili është një farë Nastradini në vendin e tij, në filmat më të dalluar ka një merak, u drejtohet kamerave dhe kërcënon drejtpërdrejtë në televizor armiqtë e tij. Më pas zhvillohet një aventurë me 300 deri në 1000 të vrarë dhe në fund, Chuck Norris e dërrmon, e thyen në mes, e myt’ fare me arte marciale armikun e tij, të cilin e lajmëroi keqas qysh në krye në ekran. Këto skena të rinjve që bëjnë trupin u bëjnë përshtypje dhe ëndërrojnë që një ditë të vetme, një dekikë të kenë mundësi të imitojnë heroin e tyre. Kjo lloj ndjenje ngazëlluese duhet ta ketë cytur ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri të organizonte atë konferencë për shtyp në Gjirokastër, kur i qëndronin pas ca çuna muskuloz të veshur me të zeza. Pas kësaj konference nuk është e vështirë ta mendosh edhe ministrin e aksionit të veshur me teshat e specialëve që ka ngjyer me qymyr mollëzat dhe i ka hyrë katundit. Në skenën e fundit Sajmiri telendos me karate Gaten, kamera ngjitet lart dhe zë diellin teksa perëndon në kodrat e zhveshura plot gurë të Lazaratit.


Pakëstaj vijnë përgëzimet, kurorat e dafinave, rrugët e shtruara me lule, intervistat me gazetarët, pritja përmalluese në Pallatin e Brigadave, buletinet me shifrat triumfale të një beteje, madje artikujt e kundërshtarëve, kritikëve që nisin klishe: “Ne mbështesim aksionin e policisë në Lazarat”. Ben Blushi që ka merak ta zënë gafil duke biseduar me Sajmirin, por që më pas i sulet shkollave profesionale të Erjonit. Për ta mbyllur heroi ynë i heshtur që e bëri Gaten me fol me vete, lë një kafe me reporterët e “luftës”. Por, ky është vend muti, ta dhjet atëherë kur nuk e pret. Ende nuk kanë gjerbur kafe dhe vjen mesazhi për Tanin. Reporterët ikin dhe ministri duhet ta ketë kuptuar që konferenca e tipit Chuck Norris ka qenë një vërrë në ujë. Tanin e vranë mu në zemër të qytetit, pak metra larg Kuvendit, qeverisë, Presidencës apo shtabit të tij të forcës. Vranë jo vetëm atë, por edhe iluzionin e rendit të vendosur, forcën e ligjit, trimërinë dhe zotësinë e ministrit. Vranë sigurinë e qytetit, shtresës së mesme, njerëzve që trokasin në Bankë për të depozituar kursime, për kredinë e një shtëpie apo çeljen e një biznesi. Vranë të gjithë ata që Chuck Norris u duket qyfyre dhe jo model i jetës, i punës.


Ejani çuna, se ka film me Zhak Morris…


Artan Santo shkoi…


Isha në spital, kur mësova se vranë Tanin. Përpiqesha majë patericave të gjeja një farë shprese. Një lajm të gënjeshtërt, një ngatërresë emrash. Por mediat në këtë vend të lënë pak hapësira të këtilla. Kur u ktheva në shtëpi ndoqa gjithë llahtar “spektaklin” e kufomës në trotuar. Kolegu im, Edi Oga më shkruan: “Ja bënë autopsinë live”. Nuk e di, por i përkas medias shqiptare, e cila nuk njeh mëshirë, nuk ka edukatë. E jep dhe pikë. Vetë Santo nuk linte rast pa ma shpotitur këtë lloj medie, megjithëse vetë u bë pronar i saj. Dëshironte t’i ndërronte realitetet duke i futur duart në magje.


Unë e njoh atë në vitin 1998. Në atë kohë drejtoja Radio Koha. Më merr në telefon dhe më thotë: “Jam Artan Santo, drejtor i Bankës së Kursimeve. Dua të nxjerrësh në radio lajmin që nuk çoj më pare në Tropojë. Sa kohë grabisin bankën dhe i lënë njerëzit pa rroga, unë nuk çoj më pare atje dhe askund në Shqipëri ku thyhen bankat”. Dhe ashtu bëri, derisa në Bajram Curri dhe gjetkë u qetësuan ujrat. U bëra kureshtar për të njohur këtë njeri kryeneç. Kur gjeta ballë vetes një zotni të veshur me sqimë që kujdesej për çdo detaj, mbeta i shushatur. Kishte për zemër të mbante në tryezën e punës skulptura të vogla të Swarovski-t, ndaj ndonjëherë më shoqëronte për të blerë ndonjë dhuratë të spikatur në raste përvjetoresh, sepse unë nuk ia them fare për këto punë. Ishte i marrosur pas këpucëve dhe e kishte shumë për zemër t’ia lëvdoje. Sillej si një bankier i shekullit të shkuar. Në shkrimtore mbante fletë të bardha, ku shënonte skema, numra për çdo temë të bisedës. Unë nuk merrja vesh nga financat, ai merrte vesh nga radio. Njihte letërsinë, muzikën, artet, ishte tëpkë ai personazh që kanë përshkruar edhe të tjerë para meje. Na lidhte një miqësi e trashur në vite. Nuk përtonte të më dërgonte sms shpotitëse, teksa më ndiqte në televizion apo radio. Ishte aty dhe hynte tek ata shokë që mund ta nisje bisedën ku e pate lënë, megjithëse mund të ishin javë pa u parë.


Unë dëgjoj, mësoj shumë për qytetin ku jetoj, të vërteta, rrena. Dëgjoja dhe për Tanin. Nja dy herë kam guxuar ta pyes dhe ai më ka shpjeguar bankat e riskut të lartë dhe ato që sillen ndryshe në treg. Duket ai ishte financieri i rrezikut, i cili e priti te dera e zyrës.


Herën e fundit që e pata mysafir në studio folëm për letërsinë e tij, skicat, tregimet. I gëzohej asaj përmase që nuk e lidhte me përqindjet, paret, lojën e bursës. I gëzohej, aq sa i gëzohej edhe Bankës. Kur drejtoja lajmet në Top Channel më mbushi mendjen të flisja në edicionin kryesor për bursën, financën e lartë dhe e bëmë, sepse dinte me ta mbush mendjen. Santo që njihja unë nuk e kish për zemër melankoninë, qaramaninë dhe të qeshte në sy po ta bëje, sepse ishte rob që ta mbushte mendjen.


Çunat e Tironës


Unë jam çun Tirone. Plotësoj kushtet. Kam lindur në këtë qytet, jam rritur në të dhe kam bjerrë ditën sa kam mundur te bordurat e “xhiros së modhe”. Ani, se unë jam çam dhe prindërit e mi kanë lindur në Filat. “Çun Tirone” nuk është autoktoni, por i linduri në këtë qytet, megjithëse baba i vet, kur ka ardhur nga mali ishte me opinga apo gjyshi para se të zbriste kishte vrarë asnjë gjerman dhe shumë ballistë. “Çuni i Tironës” është rritur me pak muzikë të Purple dhe Stones, ka pa një fije më shpejt “Tangon e fundit në Paris”, ka lexu shpejt e shpejt “Gjeniun” e Drajzerit, ka pas ndonjë të dashme, çelës shtëpie dhe bënte “mromje” me magnetofon “sherebel”. “Çuni i Tironës” mbante flokë pak më të gjatë se norma e Frontit dhe baseta pak më poshtë se kocka e Partisë. Shkolla i dilte në Tiranë dhe ishte me fat kur emërohej në Burrel, ishte me “bole” po të rrinte në Tiranë. Kur rritej edhe “çuni i Tironës” bëhej anëtar partie, spiun i Sigurimit ose hynte në burg. Ky status nuk e mbronte. Rëndësi ka që kur të ishte në qytet, një copet, të vinte tek bordura. “Çunat e Tironës” së “xhiros” ishin qytetarët, të gjithë të tjerët katunarët.


Tani pas kaq vitesh “çuni i Tironës” është një koncept që duhet të kishte kaluar, një botëkuptim plot cene dhe i ngushtë sa mendja e atyre djemve dhe vajzave të para ’90 që njihnin vetëm përmasën e izolimit, jo të lirisë. Veç kryeministrit Rama nuk njoh më njeri të jetë ithtar i kësaj përkatësie topalle. Në fillimvitet ’93 zotnia mendonte se në Tironë malokët duhet të hynë me viza, në fund të mandatit të tij si kryebashkiak propozonte një taksë hyrje në kryeqytet. “Çuni i Tironës” në vetvete mëshiron një lloj sektarizmi apo krahinizmi përjashtues. Fjala vjen, meqë Andi Bejtja ka lindur në Tiranë, është “çun Tirone”, ndërsa Fevziu jo, megjithëse ky i fundit vinte pa u lodhur te “xhiroja”, ka bërë kronikanin e qytetit të asaj kohe, sot vishet me ngjyra ekstravagante, mban ora të shtrenjta, por është i përjashtuar përjetë nga klani i “çunave të Tironës”, ku bëjnë pjesë Zheji, Shkullaku, Lubonja, Ngjela, Bushati dhe vetëm ai është jashtë si një berr i ndamë prej kopeje.
Ky shembull i thjeshtë besoj se rrëfen sa i ngushtë, sa klaustrofob është realiteti, në të cilin Edi Rama të promovon, me të cilin ai kërkon me udhëheq.

 

Vrasësit zor se kapen


Nuk doja me shkrujt’ ditën e gjëmës se pata shpresë se do i kapnin. Tash’ shpresat po zveniten dhe nja dy gjëra duhen thënë. Vrasësit kanë bërë 30 kilometra nëpër qytet dhe rrugë kombëtare me një motor pa targa. Askund nuk ia zunë rrugën. Mësova se policët nuk kanë as radio apo ju mbarua karburanti. Fajin kuptohet e ka qeveria e Flamur Nokës. Këta që u bënë një vit në krye të vendit janë dorëjashtë, sepse nuk kishin as kohë, as pare me gjet’ radio UHF për policët dhe do tollona për naftë.


Të të vrasin në zemër të qytetit një nga personazhet më të njohur të tij, i cili veç i fortë nuk ka qenë ndonjëherë, do të thotë që plumbi na ka kaluar te veshi të tërëve si “çuna Tirone”, si jo. Krimi ia menderosi për herë të “n”-të qeverisë, më mirë me thënë qeverive kacagjele të Shqipërisë. Gjithë zhurma, propaganda e Lazaratit shkoi në gropën e halesë, sepse nuk ka besë prej shtetit në kërthizën e vendit. Jetojmë në një realitet të brishtë, ku ligjin e bën cubi, jo autoriteti. Policia bën të fortin me bllok në dorë me ndonjë vajzë që ka shkruar te qelqi i pasmë i makinës “shofere e re”, por mu në hundë të saj kalojnë trimat që të heqin qafe. 30 kilometra janë shumë, shumë më shumë se Lazarati.


Ndaj ata që na qeverisin ose do na qeverisin duhet të jenë të ndërgjegjshëm se kur fryhen në televizor, veç sa shtojnë talljen e trapit që bën krimi me ta. Qeveria duhet të punojë përditë, kokëulur, pa u gafurrur si bëjnë milingonat.


Përndryshe, përcaktimi për qeverinë e ka gjet’ veç Artan Santo, kur shpalli slloganin e Bankës së tij: “Kap, ça t’kapësh!”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama