Te korrat jane te PD te mbjellat jane te PS

Te korrat jane te PD, te mbjellat jane te PS

Droga përveç historisë me avionë. Evoluimi nga kopshti personal te fermat me argatë, dhe shteti që duket pa alternativa për të zgjidhur situatën

Për ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, e gjithë kjo që ndodh në politikën dhe mediat shqiptare sa i përket trafikut të drogës është si “një lojë futbolli”. Topi sigurisht fluturon herë në njërën portë, herë në tjetrën, këtë herë është në fushë të shumicës që u kap gafil nga një avion që u bllokua në Divjakë katër ditë më parë, i lidhur tashmë me trafikun e drogës dhe i lidhur po ashtu me akuzat e opozitës pak kohë para se kjo ngjarje të ndodhte me avionë dhe aeroporte që po përdoreshin për trafik narkotikësh.

Por ashtu siç thotë ambasadori në “Diplomaticus” të “News24”, përtej faktit që çdo gjë në vend shndërrohet në skandal që ngrihet e shuhet si flakë shkrepëseje në pak ditë për t’i lënë radhën skandalit tjetër: “Të gjithë e dimë se (trafiku) nuk ka filluar dje apo vitin e kaluar në shtator, vazhdon prej një kohe të gjatë”.

Nëse historia do të përmblidhej tek avioni, që siç shkruan Alfred Lela për Mapon, “ra mbi Qeverinë”, atëherë gjasat për të pasur një pamje të plotë të asaj që po ndodh dhe asaj që propagandohet se po ndodh janë të vogla. Madje paqartësia rreth ngjarjes do shtohet, nëse futemi në vorbullën e asaj që Fatos Lubonja e quajti “roman të verdhë” në “Opinionin” e së enjtes. Paqartësisë do i shërbejnë edhe reagimet e djeshme dhe nëse mbetemi të flasim rreth “këtij filmi kaq tërheqës”, siç u quajt zyrtarisht nga kryeministri Rama me një aludim të qartë tashmë për stisje, e që u lexua nga kreu i PD-së, Lulzim Basha si “paranojë shembullore” dhe si akuzë se ngjarja ishte inskenuar pasuar nga replika e atypëratyshme në Facebook e Ramës: “U djeg apo çfarë?”.

Ndërsa qindra rreshta vërtiten rreth këtyre batutave, trafiku i drogës nuk është ndaluar. Me gjasë as mbrëmë vonë as dje gjithë ditën dhe as do të jetë ndaluar sot. Fidanë të rinj të kanabisit po rriten për t’u korrur në gusht, ndërsa në mos avionët, gomonet dhe mushkat e madje një duzinë qindra të papunësh janë të gatshëm të vënë shpinat në shërbim të kalimit të “mallit” në anën tjetër të kufirit.

Një reagim serioz të një shteti që do ta ndalë këtë trafik apo e fundit fare, të shkojë drejt legalizimit të kanabisit, nuk duket se ka dhe nuk ka pasur asnjëherë. Nëse lexojmë një histori të Lazaratit, sikur të ishte vetëm ai, pasi me gjasë shumë njolla të tjera më pak të famshme ndodhen në të gjithë vendin, do të shohim se asnjë tentativë e shtetit apo qeverisë nuk ka qenë e suksesshme.

Prej 2004 kur u shënua konflikti i hapur i shtetit me komunën dhe goditja e helikopterit italian gjërat kanë evoluar në të atilla përmasa saqë ndërsa para disa vitesh flisnim për policinë që shkatërronte një apo dy plantacione, më 2012 policisë i duhej të ndalonte “punëtorët e hashashit”. 100 raportohen të ndaluar vetëm në një ditë (14 qershor 2012). Evoluimi prej plantacioneve familjare në ferma që kërkonin argatë ndodhi pikërisht për shkak të një shteti që nuk ndërhyri asnjëherë seriozisht për të ndaluar kultivimin dhe trafikun, pavarësisht rrezikut që paraqiste zona e izoluar, pavarësisht se jo vetëm një herë policia u qëllua me armë nga fshati ndërsa shkatërronte parcela periferike.

Nga 2004 tentativat e shtetit për të ndërhyrë apo ndaluar këtë histori kanë mbetur në të njëjtin nivel qesharak të lojës së futbollit që policia e humbi 2 me 1 në të njëjtën ditë me rrëzimin e avionit. Nuk ka kaluar aq shumë kohë nga kur sot shefi i opozitës, Lulzim Basha, atëherë ministër i Brendshëm deklaronte nga qendra e Lazaratit se “ndërkombëtarëve, nga Lazarati t’u çojmë një mesazh shumë të fortë, se këtu gjërat mund, po dhe do të ndryshojnë”. (Tv Klan 24 maj 2010). Atëherë njësoj si tani u zhvilluan 4 javë ndërgjegjësimi. Ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit (maj 2010) është në një video të VOA-s, ku ashtu si pasardhësit e tij pak ditë më parë flet për bimë që zhduken si me magji në sytë e tyre dhe shfaqen në 1 shtator 2010 në “Deutsche Welle”, e cila shkruan se përkundër deklarimeve të zyrtarëve, komuna mbetet “Kolumbia shqiptare e drogës”.

Nuk ka asnjë të dhënë se situata ka ndryshuar tashmë. Kryeministri Edi Rama mund të kishte një fije të drejte dje kur thoshte se droga që po trafikohet është kultivuar dhe korrur në kohën kur ende PD ishte në pushtet. Por përballë kësaj që ai thotë nuk ka asnjë të dhënë, qoftë edhe minimale, se mbjellja e drogës ka ndaluar dhe se nuk do të kemi në verë një korrje “socialiste” të drogës. Sot sigurisht të korrat janë të kohës së PD-së, por të mbjellat janë të kohës së PS-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama