Zhak Atali, zakonisht është shumë më i interesuar të diskutojë çështje të tilla si ekonomia, globalizmi, makroekonomia, takimi i G8-ës, e megjithatë së fundi ka nxjerrë një libër në të cilin trajton çështjet e ndjenjave e të zemrës nën një dritë të re. Libri quhet "Amors". Sipas tij, nëse lidhjet dashurore do të evoluojnë me të njëjtin ritëm si edhe marrëdhëniet e tjera që dominojnë shoqërinë tonë, atëherë duhet të përballemi me çështjen e lirisë dhe transparencës absolute edhe në fushën e ndjenjave.
Përse keni shkruar për dashurinë në kohët e sotme?
Mendoj se është një nevojë e ngutshme të flitet për dashurinë, sepse në shoqëritë që ndodhen gjithmonë në prag të kthimit pas në barbari e dhunë, i vetmi ilaç është altruizmi, e vetmja rrugë shpëtimi dhe e vetmja kundërpërgjigje ndaj vetmisë është dashuria. Pikërisht në këtë situatë të pasigurisë së përgjithshme dashuria kthehet në një faktor kyç.
Si e përcaktoni ju dashurinë?
Dashuria është tejkalimi i vetvetes.
Disa shembuj të letërsisë na rrëfejnë se dashuria mund të jetë shkatërruese.
Dashuria nuk është kurrsesi shkatërruese. Ajo është çelësi i të qenit njeri. Dashuria është një kërkim dhe përkon me gjendjen themelore të njeriut, atë të kërkuarit të tejkalimit të vetvetes. Natyra njerëzore është bredharake, është gjithmonë në kërkim dhe thelbi i kërkimit është pikërisht tejkalimi i vetvetes.
Më duket se ju po përshkruani dëshirën, jo dashurinë?
Dashuria është realizimi i dëshirës, është qëllimi i saj. Nëse dëshira mbetet brenda suazës së saj, atëherë është një ndjenjë sterile.
Ju shkruani se dëshira që na çon te dashuria fsheh në vetvete nevojën për të qenë të dashur.
Në një univers, ku normat shoqërore të ekzistencës dhe të riprodhimit humbasin, atëherë kemi të bëjmë me një mohim progresiv të pozitës së individit në shoqëri. "Dikur" ishim diçka: përcaktoheshim sipas një kaste të caktuar, një rangu, një hierarkie. Sot jemi thjesht "vetja" dhe duke qenë vetëm vetja jemi të vetmuar. Çmimi që duhet të paguajmë për mundësinë e shkëlqyer të lirisë personale është vetmia. Dhe dashuria, në një shoqëri vetmitarësh, mund të shndërrohet në një pasqyrë, në të cilën njeriu reflekton pamjen e tij, duke kërkuar, para së gjithash, provën e ekzistencës së tij. Gjithsesi, shpresoj që dashuria të mos reduktohet vetëm në këtë funksion.
Po të marrim parasysh narcizizmin e shkallës së lartë që ka përfshirë individët e shoqërisë nuk është se ka ndonjë shpresë të madhe.
Sot, tendenca kryesore është të bërit e gjërave vetë. Është një tendencë që i ka rrënjët ngulur thellë në shoqërinë e konsumit. Le të marrim shembullin e muzikës: dëgjojmë muzikë me kufje në vesh dhe dëshmojmë muzikën që vetë e kemi përzgjedhur dhe vendosur në MP3-shin tonë. Ka kohë që po asistojmë në një evolucion të thellë të shoqërisë sonë drejt një apologjie të masturbimit. Ajo është konform shoqërisë bashkëkohore dhe karakteristikave të saj: vetmisë, konsumimit, lirisë absolute të individit.
Mos doni të thoni që liria është një e keqe?
Thjesht po konstatoj se kemi hyrë në epokën "gjithçka është e përkohshme".
Dhe kjo, sipas jush, për shkak të lirisë?
Vetë thelbi i lirisë individuale është e drejta për të ndryshuar opinion. Nuk mund t‘i bëjmë apologji lirisë individuale, pa garantuar të drejtën për ndryshimin e idesë. Ka një ekuivalencë mes tri koncepteve: rikthyeshmërisë (e drejta për të ndryshuar ide), përkohshmërisë dhe pabesisë. Kështu, nëse gjithçka është e përkohshme dhe një kontratë pune, për shembull, është e tillë edhe një kontratë dashurie. Të bësh apologjinë e lirisë individuale do të thotë të bësh apologjinë e pabesisë. Sot jemi në një shoqëri me karakteristika të theksuara pabesie. Çështja është t‘i shkojmë deri në fund kësaj logjike të lirisë. E drejta e ndryshimit të opinionit nuk reduktohet me zgjedhjen e diçkaje mes shumë gjërave, por në deklaratën: i dua të gjitha.
Dhe kjo "i dua të gjitha" është ajo që ju quani "net-loving", ose dashuria e internetit?
Në fakt është një etapë pasuese. Termin "net" e hasim tashmë në fusha të tjera, për shembull kur themi network, rrjet pune dhe mendoj se kjo herët ose vonë do të prekë edhe lidhjet dashurore. Kur flasim për networking nuk i referohemi punës: network do të thotë të jesh i lidhur në bashkësi dhe të zhvillosh një rrjet marrëdhëniesh.
Dhe ju thoni që kjo do të ndodhë edhe në fushën e marrëdhënieve dashurore mes njerëzve?
Me tjetrin, të tjerët mund të kenë marrëdhënie afektive, por edhe marrëdhënie seksuale. Është e njëjta gjë si edhe me miqësinë. Ne kemi një ose disa miq. Është e qartë që shumë shpejt do të mbërrihet në këtë lloj marrëdhënieje. Fillimisht nuk do të jetë masive, sikurse ishin në fund të shekullit XIX marrëdhëniet e homoseksualëve, apo divorci.
E, megjithatë, dashuria është një ndjenjë "barbare" posedimi dhe ekskluziviteti.
Sigurisht që mes dashurisë dhe ekskluzivitetit ka një lidhje, por është, sipas meje, vetëm një lidhje kulturore dhe perëndimore: nëse do të vëzhgonim kulturat e tjera, dashuria nuk është aspak një obsesion, ose pronësi personale. Dashuria nuk është posedimi i qenies së dashur, por bërja e një projekti të përbashkët me të. Unë mendoj se nëse ti e ndërton një marrëdhënie të tillë me një individ, mund ta ndërtosh me shumë të tjerë njëherazi.
Po, por modeli i çifteve heteroseksuale, monogame është ai që mbizotëron në mbarë botën...
Monogamia është shumë e vonë. Ajo u shfaq me shfaqjen e kishës. Ideja që ndahet në gjithë planetin aktualisht është se modeli i çiftit heteroseksual monogam është modeli triumfues. Unë them se ai është vetëm një model kalimtar drejt një tjetër gjendjeje. Në fund të fundit po shkojnë të gjitha drejt globalizimit në të gjitha drejtimet.
Sipas këndvështrimit tuaj, çfarë po ndryshon në mënyrën e të dashurit në shoqërinë e sotme?
Dimensionet e ndryshme të dashurisë nuk përbëjnë më tabu. Seksualiteti, riprodhimi biologjik, riprodhimi shoqëror, afekti dhe dashuria ishin dimensione të dashurisë, që përbënin një tabu, por që sot po shpërthejnë dhe po shkojnë në drejtime të kundërta. Në të shkuarën dominonte riprodhimi shoqëror: organizimi i shoqërisë bazohej në nevojën e riprodhimit shoqëror. Seksualiteti, riprodhimi biologjik, përkëdhelitë ishin të gjitha në funksion të këtij lloj riprodhimi. Më pas dashuria dhe emocioni arritën që të mbizotëronin.
Po sot?
Sot nuk dominon asgjë: kënaqësia fizike nuk ka më lidhje të ngushtë me riprodhimin biologjik, por as vetë dashuria nuk është më thelbësore. Ka njerëz që janë të dashuruar, por pa pasur një marrëdhënie fizike dhe e kundërta ka njerëz që kanë marrëdhënie fizike me persona me të cilët nuk janë të lidhur shpirtërisht. Kemi gjithashtu një riprodhim social, që nuk ka fare të bëjë me riprodhimin biologjik, i cili sa vjen e po ndahet nga seksualiteti.
Kjo do të thotë se kemi një rritje të numrit të çifteve të homoseksualëve?
Po, ka mundësi dhe aktualisht kemi edhe kërkesat e tyre për njohje të ligjshme të marrëdhënies përmes martesës, si dhe kërkesës për adoptimin e fëmijëve. Unë mendoj se janë kërkesa krejtësisht të drejta. Një shoqëri që i lejon beqarët që të adoptojnë nuk ka përse ndalon çiftet homoseksuale që të bëjnë të njëjtën gjë. Megjithatë, nuk mendoj se homoseksualiteti është një formë avangarde. Ajo është një formë e zakonshme e organizimit të marrëdhënieve. Sapo atyre t‘u njihen disa të drejta do të kthehen në lidhje krejt të zakonshme.
Po dashuria në "net"? A është kthyer edhe ajo tashmë në një gjë të zakonshme?
Shkëmbimit dashuror përmes internetit i kanë paraprirë dy etapa: dashuria e sjellshme, ajo lloj dashurie abstrakte me pamundësi absolute të kontakteve seksuale, që sigurisht nuk kishte këtë si qëllim kryesor dhe më pas karnavalet. Karnavalja është vetë interneti.
Na e shpjegoni pak më mirë.
Përdorimi i maskave dhe i veshjeve të ndryshme për të fshehur identitetin, krijimi i iluzionit se je dikush tjetër, vullneti për të guxuar e për të provuar atë që nuk do të guxonim ta kërkonim në kushtet normale kur kemi një fytyrë, një emër e një reputacion për të mbrojtur. Këto mundësi padukshmërie e tjetërsie t‘i ofron interneti. Në fakt, interneti nuk është i pari ofrues i mundësive të tilla. Ato ekzistonin edhe në karnavalet e famshme e të vjetra të Venecias, në Mesjetë.
Si mendoni për deklaratat e dashurisë në adresë të së shoqes së Presidentit francez, Sarkozi, gjatë fushatës elektorale, por edhe pas divorcit?
Të mos harrojmë çiftin tjetër, Segolenë Rojal dhe Fransua Holandë: mes dy politikanëve kishte një simetri të tillë që nënvizon qartë faktin se edhe politikanët, më në fund, ecin paralelisht me banalitetin e Francës së 40 viteve të fundit. Nuk janë aspak paraprirës, por ecin paralelisht me shoqërinë. Këtu kemi shndërrimin e njeriut politik në një qytetar të zakonshëm me hallet dhe me problemet që nuk i fsheh më. E vetmja risi është nevoja për transparencë: lidhjet dashurore nuk kanë ndryshuar aspak, por sot detyrimi për të qenë transparent përfshin edhe sferën private të politikanëve, të cilët duhet të rrëfehen.
Pra, sipas jush, risia nuk qëndron te divorci, por te detyrimi i të folurit në publik hapur për marrëdhënien tyre?
Çështja themelore është nëse në një të ardhme jo fort të largët do të kemi sërish të drejtë për të pasur dhe mbrojtur jetën private, apo jo. Unë mendoj se jo. E drejta e privates do të jetë një vlerë shumë e kërkuar: domethënë në vend që të punësojmë dikë për marrëdhëniet me publikun do të kërkojmë specialistë të marrëdhënieve private, detyra e të cilit do të jetë që të mos flasë për ne dhe tua mbyllë gojën edhe të tjerëve. Luksi i vërtetë nuk do të jetë të jesh i njohur, por e kundërta, të jesh i panjohur, anonim. Por do të jetë një luks i madh, pasi pjesa më e madhe e njerëzve do të jetojnë në një shoqëri të obsesionuar pas të dukshmes. Imagjinoni se çdo të thotë të kesh informacion minutë për minutë për personin që do.
Kjo epokë do të jetë fundi i tradhtisë?
Fillimisht mund të donim vetëm një person dhe nëse lidhja mbaronte do të donim dikë tjetër. Më pas kaluam në formën e dashurive paralele, por të fshehura nga partneri zyrtar. Mendoj se etapa e ardhshme, që do të vijë pas një ose dy shekujsh, do të jetë ajo e dashurisë së disa personave njëherazi në dritë të diellit.
A flisnit për dashurinë me Miteranin?
Jam një mbrojtës i flaktë i jetës private, ndaj nuk preferoj t‘i përgjigjem kësaj pyetjeje.
Një pyetje për një person publik: nëse sot ende ka një kuptim kur flasim për të majtën, apo për të djathtën, në rastin e dashurisë ajo është e djathtë, apo e majtë?
Di të them vetëm që zemra ndodhet në të majtë të trupit, ndërsa dashuria kudo: në duar, në buzëqeshje, në vështrim. Dashuria është simetrike.
Zhak Atali
Ekonomist dhe studiues francez. Ka qenë këshilltar presidencial i ish-presidentit socialist francez, Fransua Miteran. Ka qenë presidenti i parë i BERZH-it, Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Personalitet i njohur i jetës publike franceze dhe autor i shumë botimeve
Marre nga : Gazeta Shqip











