Te burgosurit naziste te pergjuar nga gjermanet

Te burgosurit naziste, te pergjuar nga gjermanet
Një grup gjeneralësh gjermanë, të kapur gjatë Luftës së Dytë Botërore, filluan të mendonin se në fakt u kishte dalë fati i mbarë. Ata u vunë të jetonin në një shtëpi të mirë dhe u lejuan të mbanin shërbyes personalë, të pinin verë dhe të hanin ushqim të mirë

Por ajo që të burgosurit nuk e dinin ishte se shërbimet e informacionit të Britanisë kishin vendosur përgjues në çdo cep të shtëpisë së tyre, që nga shandanët e dritës deri te vazot e luleve

Përveç apartamenteve të rehatshme për të jetuar në parkun Trent, gjeneralët shijuan lukse, përfshirë festa në kopsht të organizuara nga koloneli Thomas Kendrick, oficeri i MI6 që mbikëqyri të gjithë operacionin e përgjimit


Mijëra të burgosur gjermanë lufte u mbajtën në Angli gjatë Luftës së Dytë Botërore, por shumë prej tyre u përgjuan nga “dëgjues sekretë” që vetë qenë gjithashtu gjermanë, por që punonin për britanikët. Historiania Helen Fry dhe një nga përgjueset e fundit të mbijetuara, shpjegon sesi të burgosurit u hutuan që të tregonin sekrete nga makina naziste e luftës.

Një grup gjeneralësh gjermanë, të kapur gjatë Luftës së Dytë Botërore, filluan të mendonin se në fakt u kishte dalë fati i mbarë. Ata u vunë të jetonin në një shtëpi të mirë dhe u lejuan të mbanin shërbyes personalë, të pinin verë dhe të hanin ushqim të mirë.

Për rrjedhojë, ata u thanë familjeve të veta sesa budallenj qenë britanikët dhe madje njëri prej tyre shkroi një letër, ku thoshte se do të pëlqente që familja e tij të bashkohej me të në burg, i cili ishte aq i rehatshëm.

Por ajo që të burgosurit nuk e dinin, ishte se shërbimet e informacionit të Britanisë kishin vendosur përgjues në çdo cep të shtëpisë së tyre, që nga shandanët e dritës te vazot e luleve apo poshtë tryezave të bilardos, përreth të cilave ata rehatoheshin gjatë ditëve të ngadalshme të burgut.

Ata qenë një burim shumë i mirë informacioni mbi mendësinë e ushtarakëve nazistë, një informacion që mblidhej nga thashethemet përtace që qarkullonin mes të burgosurve.

Duke dëgjuar me kujdes bisedat, qenë bashkëkombës të tyre gjermanë me origjinë hebraike që ishin arratisur nga nazistët. Të burgosurit nën përgjim u mbajtën në tri vendndodhje të ndryshme në tri qytete britanike.

Dy nga burgjet mbanin ekuipazhe nëndetësesh “U-Boat” të kapura në det, si dhe pilotë të “Luftvafes”, të cilët përgjoheshin për një apo dy javë para se të dërgoheshin në një vendbanim konvencional për të burgosurit e luftës.

Gjeneralët, numri i të cilëve arriti kulmin në fund të luftës me 59 vetë, qëndruan në një shtëpi në Londër deri në fund. Të fshehur në tri shtëpitë e kthyera në burg, gjendeshin gjermanë probritanikë, të cilët dëgjonin nga një vend që quhej “Dhoma M” (“M” nënkuptonte mikrofonat), ku “dëgjuesit sekretë” mbanin gjatë të gjithë kohës kufje në vesh.

Historiania Helen Fry, e cila ka shkruar një libër të quajtur “Dhoma M: Dëgjuesit sekretë që përgjuan nazistët”, thotë se informacioni i mbledhur nga gjeneralët gjermanë kishte një rëndësi të madhe për luftën, aq sa iu dha buxhet i pakufizuar nga qeveria.

Ajo beson se çfarë mësohej nga Dhoma M, e cila gjendej në një ndërtesë në parkun Trent të Londrës, ishte po aq e rëndësishme sa edhe puna për thyerjen e kodeve të komunikimit, që po kryhej në atë kohë në një shtëpi të quajtur Parku Bletçej.

“Shërbimet inteligjente të Britanisë morën materialet më të mira nga përgjimi i bisedave. Çurçilli tha se parku Trent jepte një informacion unik nga të menduarit e armikut. Ajo na ndihmonte ne të kuptonin mendësinë e gjermanëve po aq sa të mësonim edhe sekrete ushtarake.”

“Nëse nuk do të ishte ky operacion përgjimi, ndoshta ne nuk do ta kishim fituar luftën.”

Fry thotë se transkriptet e bisedave, të cilat arritën numrin mbi 100 mijë, u dhanë britanikëve “shumicën e asaj që dinim” mbi kapacitetet ushtarake gjermane, armët dhe zhvillimet e reja teknologjike përgjatë luftës.

Përmes informacioneve të mbledhura së bashku nga bisedat e të burgosurve, britanikët ishin në gjendje të identifikonin vendndodhjen e sistemit raketor V2 në maj 1943 në Penemunde, në brigjet veriore të Gjermanisë, ku po përgatitej hedhja e raketave vdekjeprurëse kundër Britanisë.

Në mënyrë thelbësore, përgjimi ofroi informacionin e parë për Britaninë e Madhe mbi përzierjen e ushtrisë gjermane në krime dhe në vrasjen masive të hebrenjve. Dokumentet e deklasifikuara ofruan provat e para për këtë.

“Ushtria e ka mohuar gjithmonë dhe besohej gjerësisht për 65 vjet pafajësia e saj në krime. Por transkriptimet tregojnë se ishte ushtria gjermane, krahas forcave SS, përgjegjëse për krimet e luftës”, thotë ajo.

Përveç apartamenteve të rehatshme për të jetuar në parkun Trent, gjeneralët shijuan lukse, përfshirë festa në kopsht të organizuara nga koloneli Thomas Kendrick, oficeri i MI6 që mbikëqyri të gjithë operacionin e përgjimit dhe që më vonë mori një dekoratë për përpjekjet e tij.

Miqtë e rangjeve të larta bënë thashetheme me njëri-tjetrin mbi ngjarje të ndryshme në gjuhën e tyre, pa e ditur se vetë koloneli Kendrick fliste e kuptonte gjermanisht dhe se dëfrime të tilla ofroheshin në mënyrë që ata të rehatoheshin, duke ia ulur vëmendjen ndaj ruajtjes së sekreteve që mbanin.

Fry thotë gjithashtu se Uinston Çurçill u zemërua shumë kur mësoi se gjeneralët qenë dërguar me autobus në një restorant të shtrenjtë të Londrës qendrore për drekë. Ai urdhëroi ndalimin e trajtimit të mirë për gjeneralët.

Por rehatimi i gjeneralëve dhe fuqizimi i egove të tyre po sillte informacion shumë të vlefshëm, kështu që zyrtarët e shërbimeve sekrete britanike vendosën të vijonin me rrugën e tyre, por thjesht ndaluan së raportuari te Çurçilli mbi këtë veprimtari.

“Gjeneralët ndienin se po trajtoheshin në përputhje me statusin e tyre”, thotë Fry. Njëri prej tyre i shkroi familjes së vet dhe i tha se “me të vërtetë dëshironte që ata të ishin me të, se ishte e mrekullueshme dhe se nuk kishte tela me gjemba”.

“Ata kishin një zyrtar britanik që një herë në javë shkonte për të blerë krem roje apo çorape apo çdo gjë që ata dëshironin. Ai quhej Lord Aberfeldy, por në fakt ky ishte një pseudonim për një oficer të shërbimit sekret. Por britanikët menduan se gjeneralët do të gajaseshin shumë në rast se për ta kujdesej një lord.”

Besohet se sot janë dy vetë “dëgjues sekretë” gjallë nga grupi fillestar me më shumë se 100 vetë. Një prej tyre është Fritz Lustig, 93 vjeç, i cili jeton në Londrën e veriut.

Megjithëse ka lindur në Berlin dhe është pagëzuar si protestant, familja e tij kishte anëtarë hebrenj dhe në sytë e nazistëve, ai nuk ishte “mjaftueshëm arian”. Ai emigroi në Angli në prill 1939.

I etur për të ndihmuar luftën kundër nazistëve, ai u bashkua me ushtrinë britanike në Korpusin e Pionierëve Mbretërorë dhe, ndërsa ishte në gjendje të fliste anglisht, u ftua të bëhet përgjues sekret në operacionin në fjalë.

Lustig dhe përgjuesit e tjerë sekretë mësuan fillimisht nga koloneli Kendrick se ajo çfarë do të bënin aty ishte më e rëndësishme sesa të qëlloje me armë në luftë.

“Morali ishte i lartë mes nesh”, thotë Lustig, “veçanërisht nëse ne ishim në gjendje të mblidhnim ndonjë informacion të rëndësishëm. Emocionalisht ne ishim tërësisht të ndarë nga njerëzit mbi të cilët po përgjonim.”

Ai thotë se nuk mban më mend se për çfarë diskutonin të burgosurit, por mban mend mirë një nënvijëzim në një transkript të fjalës “masakra” me një stilolaps të kuq.

“Ne dëgjuesit nuk ndienim se të burgosurit ishin bashkëkombësit tanë në fund të fundit. Ne i dinim të gjitha gjërat e tmerrshme që po ndodhnin në Europën Lindore, me vrasjen e hebrenjve dhe e dinim se diçka e tillë mund të na ndodhte edhe ne nëse qëndronim në Gjermani.

Ne nuk ndienim faj, përkundrazi, ndiheshim krenarë që ishim në gjendje të ndihmonim përpjekjet e luftës së Britanisë së Madhe. Unë jam krenar për atë që bëmë.”

Teknologjia e përgjimit në Luftën e Dytë Botërore

Vendosja e fijeve fizike në parkun Trent për përgjim kërkoi katër deri në gjashtë muaj punë.

Dhoma M gjendej në bodrum. Përgjuesit ishin vendosur në të gjitha dhomat, si dhe në barakat përreth shtëpive apo në kopsht.

Përgjuesit përdornin gramafona për të regjistruar bisedat.

Pajisjet qenë më moderne për kohën, përfshirë mikrofona me presion 88A, si dhe disqe me regjistrim nga të dyja krahët 12 inç, kufje me cilësi të lartë e pajisje të tjera.

Pajisjet qenë prodhuar nga Radio “Corporation of America”.

Transkriptet u hoqën nga lista e dokumenteve sekrete më 1999-n.

Gjatë luftës, 10 mijë të burgosur lufte u përgjuan me një kosto të përgjithshme prej gjysmë milioni paund të kohës.

Diçiturat e fotove

Një përgjues sekret në parkun Trent, një nga skuadrat prej 100 gjermanësh që ndihmonin britanikët.

Fritz Lustig kaloi shumë orë duke përgjuar të burgosurit gjermanë të luftës.

Parku Trent ishte shtëpia e 59 gjeneralëve gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Disa nga gjeneralët e kapur kanë dalë në këtë foto në parkun Trent.

Pothuajse të gjithë burrat në këtë fotografi ishin nga stafi i përgjuesve sekretë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama