Sot 11 shtatori - 14 vjet nga dita qe ndryshoi boten

Sot, 11 shtatori - 14 vjet nga dita qe ndryshoi boten

Kambanë për mbarë botën e qytetëruar, për të na kujtuar se terrorizmi luftohet duke qëndruar të bashkuar


Ndoshta nuk është një përvjetor tipik, nuk mbushen pesëmbëdhjetë e as njëzet vjet, por çdo vit ai merr vëmendjen e vet, pasi më shumë se gjithçka, 11 shtatori 2001, i kthyer në një simbol shumëplanësh, ka ndikuar në jetët tona. Qysh prej asaj dite, asgjë nuk është më si më parë, e realiteti tregon se kjo nuk është vetëm një ndjesi. Dhjetë vite pas tij, u panë edhe përpjekje që donin të dëshmonin “shkencërisht” se 11 shtatori 2001 nuk ishte pra dita që ndryshoi botën. Por ngjarjet që pasuan e poqën edhe më shumë këtë ide, pasi kërcënimi me emrin “Shteti Islamik”, do të kthehej tashmë në një kambanë për mbarë botën e qytetëruar, për të na kujtuar se terrorizmi nuk është një ideologji e fragmentizuar, e lokalizuar, në kohë e hapësirë, por një realitet i prekshëm e i hidhur që duhet luftuar duke qëndruar të bashkuar.

Bilanci tragjik i sulmit

Pikërisht sot, mbushen 14 vjet, nga dita kur ndodhën sulmet terroriste mbi Kullat Binjake në Nju Jork, më 11 shtator 2001. Aeroplanët, të drejtuar nga ithtarë trushpëlarë të terrorizimit goditën mes për mes kullat më të larta në botë, simbole të “ëndrrës amerikane”. Njëri prej avionëve u rrëzua në fushën e Pensilvanisë. Nga sulmi i bëftë dhe i përgjakshëm, humbën jetën 3000 persona të pafajshëm. Ndërsa, në mediat botërore u transmetuan edhe pamje nga më të rëndat, ndërsa shiheshin njerëz që hidheshin nga lartësitë, e turma humanësh që vraponin të trembur për t’i shpëtuar tmerrit. Bilanci bëhet edhe më tragjik kur mendon se 1609 njerëz humbën bashkëshortët, apo se 3051 fëmijë humbën një prind, por shpresa ngjallet kur sheh se puna e solidariteti human bëri që 1.506.124 tonë mbetje të lëviznin nga kullat.

Ndër viktimat edhe shqiptarët

Sot është pikërisht dita të përkujtojmë edhe viktimat shqiptare të 11 shtatorit që u gjendën në ato momente fatkeqe në vendin dhe në momentin ku nuk duhej të ishin. Ishin shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e viset e tjera shqiptare në Mal të Zi, që kishin nisur apo vijonin jetën e tyre mes përpjekjesh normale në “vendin e ëndrrave”, që iu ndërpre në mes nga terrori. Sot në SHBA nuk janë paralajmëruar ceremoni të mëdha, si ato që kemi parë më parë, por njerëzit po “shpikin” ndërkaq ide të reja për të mos e lidhur më atë ditë vetëm me frikën, por edhe me shpresën, pasi pikërisht në atë ditë paradoksalisht kishte nëna që u gëzuan dhe fëmijë që lindën, e që sot janë 14 vjeç. Ekstremistët e Shtetit Islamik e të gjitha grupimeve të tjera të ngjashme, vijojnë ta përmendin atë si një referencë ngadhënjimtare për të përmbushur synimet e propagandës së tyre terroriste, por kërcënimet e tyre, sidomos të lidhura me përsëritjen e 11 shtatorëve të tjerë, duket se e kanë edhe një efekt pozitiv në vetvete, me siguri: ndërgjegjësimin për një shtysë të re në përpjekjet për të luftuar terrorin në mënyrë të pandërprerë e të pakompromis.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama