Skeme mashtruese per te grabitur bregdetin e Karpenit?

Skemë mashtruese për të grabitur bregdetin e Karpenit?

Kuvendi, pas qetësimit nga Reforma në Drejtësi, miratoi një ligj për t'i dhënë Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Energjisë fuqinë e përbashkët për të firmosur kontratën me një shoqëri britanike, me adresë një kuti postare, me kapital themelor prej 100 paund, e cila kontrollohet nga një shoqëri misterioze në Singapor, për një investim prej pesë miliardë dollarë për të ndërtuar në Karpen të Kavajës një port me thellësi të madhe dhe një zonë industriale prej 1 700 hektarë.

Përpara Komisionit të Ekonomisë u paraqitën të dhëna të tjera mbi projektin, dhe në veçanti mbi subjektet që duhet ta financojnë projektin e supozuar të portit. Por, këto informacione nuk ishin të përfshira në raportin zyrtar që shoqëron projekt-ligjin. Pra, informacionet e dhëna në dëgjesën në Komisionin e Ekonomisë janë vetëm fjalë, pa asnjë lloj vlefshmërie apo garancie praktike.

Në fakt shoqëria propozuese "Star Bridge Port Development Limited" është e përfaqësur nga një shoqëri e padepërtueshme në Singapor e quajtur One Gate Asia PTE. Kjo shoqëri nuk ka asnjë lidhje ligjore të verifikueshme me financuesit e mundshëm të paraqitur nga qeveria, të cilët sipas qeverisë, drejtohen nga banka tregtare amerikane William Blair. Kjo e fundit vepron edhe si konsulente, pra nuk investon tamam para, por në këmbim të një komisioni kryen detyrën në kërkim të invetitorëve që mund të financojnë.

Propozimi nuk ka asnjë studim, asnjë vlerësim, asnjë projekt që e shoqëron. Ka vetëm një premtim pa asnjë bazë, dokument apo detyrim ligjor se do të ndërtohet një port dhe zonë industriale që do të kushtojnë 5 miliardë euro.

Për të justifikuar mbështetjen skandaloze për këtë projekt në ajër, Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto lëshoi para Komisionit të Ekonomisë një nga deklaratat më të habitshme në historinë ndoshta botërore të investimeve, duke thënë se projekti nuk ka studim bëshmërie sepse "është e pamundur të bëhet një studim bëshmërie i përshtatshëm për një projekt kaq kompleks."

Për ta përmbledhur: qeveria i propozoi parlamentit (në mungesë të opozitës) që ta autorizonte për të firmosur (në nxitim e sipër) një kontratë për një projekt të papërcaktuar me një shoqëri fallse.

Në këtë situatë, një gjë është e sigurtë: në Karpen nuk do të investohen 5 miliadë dollarë--me gjasa nuk do investohen as 5 milionë dollarë.

Se për çfarë mund të shërbejë ky konçesion mund të spekullohet nga gjithkush.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama