Skandali i fotos 80 mije dollareshe e Rames nje tjeter amerikan pranon perfshirjen

Skandali i fotos 80 mijë dollarëshe e Ramës, një tjetër amerikan pranon përfshirjen

Departamenti amerikan i Drejtësisë (DoJ) njoftoi të hënën se një tjetër shtetas amerikan ka pranuar akuzat e prokurorisë për përfshirjen në skandalin e 80 mijë dollarëve të fotos së Kryeministrit Rama me Presidentin Obama.

William Argeros, 57 vjeç nga Tamoa e Floridas, pranoi se në shtator 2012 kishte ndihmuar dhe instruktuar shtetasin amerikan Bilal Shehu të trasferonte 80 mijë dollarë të marra nga një burim i huaj, dhe i kishte treguar si të bënte dhurimin në komitetin e mbledhjes së fondeve.

William Argeros pranoi gjithashtu se, në shkurt 2015, kishte gënjyer përpara trupit gjykues kur kishte deklaruar se nuk kishte qënë pjesë e transferimit të 80 mijë dollarëve nga Bilal Shehu. Ky i fundit i ka pranuar akuzat e prokurorisë për futjen në mënyrë të qëllimshme të 80 mijë dollarëve nga burime të huaja në fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Obama.

Ligji federal amerikan i ndalon nënshtetasit e huaj të bëjnë dhurime për fushatat zgjedhore amerikane. Bilal Shehu është shpallur fajtor për financim të paligjshëm fushate dhe pritet të dënohet më 5 tetor. Dënimi që ai mund të marrë është deri në 5 vjet burg dhe 250 mijë dollarë gjobë.

Sipas informacioneve të deritanishme nga hetimet amerikane, Zoti Bilal Shehu pagoi 80 mijë euro për të siguruar dy bileta, një në emër të tij dhe një në emër të bashkëshortes, për të marrë pjesë në një aktivitet, pjesë e fushatës së Presidentit Obama, në 8 tetor 2012.

Zoti Shehu e ka pranuar se në aktivitet nuk u paraqit bashkëshortja e tij, por një tjetër nënshtetas i huaj, i cili nuk u lejua të hynte por që arriti të bënte një foto me Presidentin Obama në korridorin e vendit ku po zhvillohej aktiviteti.

Edhe pse në asnjë deklaratë të drejtësisë amerikane ende nuk është përmendur emri i Edi Ramës, mediat amerikane kanë konfirmuar se behët fjalë për foton e Zotit Rama me Presidentin Obama, që u përdor gjatë fushtës së 2013-ës në Shqipëri, për të treguar afrimitetin e kreut të opozitës së atëhershme me presidentin e SHBA-ve.

Vetë Kryeministri Rama ka zgjedhur të heshtë dhe nuk e ka përgënjeshtruar personalisht akuzën. Në emër të tij ka reaguar Departamenti i Komunikimit në Kryeministri, duke hedhur poshtë akuzat.

Përveç thyerjes së ligjeve amerikane, Kryeministri Rama është paditur dhe nga Partia Demokratike. PD kërkon hetimin e ligjshmërisë së origjinës dhe transfertës së parave, që me shumë gjasa janë paguar nga Zoti Rama.

Artikuj të bashkëlidhur:

Edi Rama: 80 mijë dollarë për një foto dhe për të shkelur ligjet amerikane

Pse nuk e mohon vetë lidhjen me skandalin e financimit të paligjshëm, Zoti Rama? - Koment


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama