Skandali i Zotit Xhafaj Kuvendi ka perpara nje draft te paligjshem?

Skandali i Zotit Xhafaj: Kuvendi ka përpara një draft të paligjshëm?

Duket se miratimi i saj ka hyrë sot në një tjetër shkelje flagrante, duke shkatërruar përfundimisht çdo lloj sensi ligjshmërie dhe kushtetueshmërie të procedurave të shqyrtimit e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, në kuadër të reformës në drejtësi.

Në kushtet e mungesës totale të transparencës dhe komunikimit publik, është e vështirë të merret vesh se cila është e vërtetë dhe cila jo në lidhje me draftin më të fundit, por me shumë gjasa drafti që është paraqitur sot në Kuvend nga Kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës, Zoti Fatmir Xhafaj, është draft privat i tij dhe jo zyrtar i Komisionit.

I vetmi institucion që ka të drejtën të propozojë në seancë plenare draft-ligjin për ndryshimet kushtetuese që kuvendi duhet të shqyrtojë është Komisioni i Posaçëm i Reformës ne Drejtësi.

Por drafti i fundit zyrtar i miratuar nga Komisioni i përket periudhës para propozimeve të Zonjës Nuland, të cilit i janë bëre disa ndryshime që nuk kanë të bëjnë me reformën në drejtësi në datën 19 korrik.

Zoti Xhafaj nuk ka thirrur asnjëherë mbledhje të Komisionit për të shqyrtuar propozimin e Zonjës Nuland dhe për të bërë përditësimin përkatës të draftit zyrtar të reformës.

Duket se ai i ka bërë ndryshimet e draftit jashtë Komisionit dhe i ka paraqitur ato privatisht në seancë plenare, pasi ai ka deklaruar se drafti që po shqyrtohet sot në Kuvend reflekton propozimin e Zonjës Nuland.

As Zoti Xhafaj dhe askush tjetër nuk ka dhënë ndonjë informacion se kur dhe si është hartuar dhe miratuar ky draft-propozim i paraqitur në Kuvend.

Në faqet zyrtare në rrjet të Kuvendit dhe të Komisionit të Reformës nuk ka ansjë informacion për ndojë vendim të tillë të Komisionit dhe asnjë publikim të draftit që i është paraqitur Kuvendit.

Ajo që është më skandaloze është që deputetët edhe këtë draft, me gjasa të paligjshëm, të Zotit Xhafaj e kanë marrë sot dhe do të duhet që ta votojnë po sot.

Së paku, kjo nuk duket mënyrë normale për të bërë kushtetutë të re.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama