Siria cfare i con shqiptaret ne xhihad?

Siria, cfare i con shqiptaret ne 'xhihad'?

Pak muaj mjaftojnë për të ndryshuar jetën e një burri në mënyrë të pashpjegueshme. Një bari, një furrtar, një murator dhe një mëngjes babai i moshuar gjen të varura në derë çelësat e shtëpisë tënde, asaj që ke ndërtuar për vite me radhë me duart e tua. Muaj më vonë ai mëson se ke lënë gjithçka dhe se ndodhesh në Siri, për xhihad kundër Assadit dhe kundër qafirave (kafirave), bashkë me gruan dhe tri vajzat. Kjo është historia e Krenar Shulit.

 

Të atit, 72-vjeçarit Dylber Shuli (foto), i mungonin mbesat të mërkurën, në një ditë plot diell e paqe në oborrin e shtëpive të djemve të tij të ndërtuara pranë e pranë, ku është i vetëm me të shoqen. Burrit nga Gurrasi, pak kilometra mbi Drilonin në Pogradec, i dridhet zëri kur i kujton mbesat. “Nuk e marr vesh më këtë botë”, thotë ai sa kohë nuk di të na japë përgjigje, “Feja (Islami) nuk ka qenë kështu, këto dolën tani, nuk i kuptoj dot”, thotë i moshuari vetë besimtar mysliman, që na pret duke cituar fjalë të profetit.

 

Në një lokal në Leshnicë, sapo ke zbritur qafë Plloçën, vëllai i Ervisit që dyshohet i zhdukur në Siri, nuk qëndron dot gjatë në një vend. Gjestet e tensionit, buza e poshtme që i dridhet sa herë i duhet të flasë për të vëllanë dhe supet e mbledhura janë përgjigjet e tij për pjesën më të madhe të pyetjeve. Herën e fundit që ka folur i vëllai mësohet se i kishte thënë se “ishte në Gjermani në kufi me Arabinë”.

 

“A kupton ai donte të gënjente, por nuk e dinte ku ishte Gjermania dhe ku Arabia”, thotë i riu i nervozuar sepse nuk ka përgjigje. Gurrasi dhe Leshnica janë dy fshatrat me numrin më të madh të të larguarve të dyshuar se janë në Siri. Një pjesë dihet që ndodhen atje, dy dyshohet se kanë humbur jetën,  të tjerë janë larguar dhe familjet nuk e dinë saktësisht vendndodhjen por i bren dyshimi se të afërmit ndodhen në front. Secili ka ikur në kohë të ndryshme dhe lidhjet e pakta mes grupit është fakti që para se të largoheshin kanë thënë të familjarët se u “kishin dalë kartat për në Arabi” apo se punojnë në supermarket në Turqi, togfjalësha që i dëgjojmë nga të tërë ata që takuam. Thuajse në të gjitha rastet bëhet fjalë për persona që e kanë pasur një kontakt me të arrestuarin Genci Balla, por askush nuk mund të thotë se cili ka qenë roli i këtij të fundit në vendimin e këtyre personave për të shkuar në Siri.  Maksimumi që mësojmë në shtëpinë e Besmir C, ish-gardist, i cili këmbëngul te familja se ndodhet me studime në Arabi dhe se po u bën kartat që t’i marrë atje, është fakti që disa herë ai është shoqëruar me të arrestuarin dhe ndonjëherë e ka vizituar edhe në Tiranë. Se si janë lidhur mbetet e paqartë edhe për të ëmën e Besmirit, që na thotë: “Ai duhet të jetë në Arabi dhe më mirë se këtu, derisa thotë që do të na marrë edhe ne atje”.

 

Arsyet e secilit prej tyre po ashtu janë të paqarta për të afërmit dhe po ashtu e pamundur për ne të gjenim një motiv të vetëm që mund t’i bashkonte këta njerëz përveç arsimit të pakët në ndonjë rast. Prej këtej vetëm mund të hamendësohet. Në disa raste bëhet fjalë për varfëri, e shoqëruar me pamundësi dhe me njëfarë persekutimi. Krenar Shuli përshembull, pasi nuk ia dilte mesa duket në Greqi, humbi në Shqipëri edhe asistencën që merrte, me të cilën mbante familjen prej 5 frymësh. Dylber Shuli thotë se dikush kishte parë atë në një takim të Partisë Socialiste para zgjedhjeve dhe pak kohë pas kësaj djalit i është ndërprerë ndihma ekonomike. Komuna drejtohet nga LSI e fituar në koalicion me PD në zgjedhjet e fundit lokale. “Me para e mbaja unë”, tregon i ati, kur kërkon të ilustroj se dikush duhej të kishte paguar për udhëtimin e tij deri sa i biri nuk i kishte mundësitë. Në pak muaj ndërkohë ai ka ndryshuar gjithçka. Babai thotë se është grindur me të shpesh, se jo fe që ai fliste nuk ishte në fakt Islami.

 

“Shiko mor djalë, Profeti Muhamed, ishte i ulur me shokët e tij dhe kur kaloi xhenazeja (kortezhi mortor) e një hebreu u ngrit në këmbë. Ata shokët e vet u habitën dhe e pyetën pse po e bënte këtë dhe profeti iu përgjigj: “Po a nuk është dhe ai njeri, a nuk është edhe ai shpirt?”. Kurse këta tani (të rinjtë) nuk pyesin për jetën e tjetrit. Nuk i ke parë t’i librat që gjeta unë”, bën me shenjë burri dhe tregon se në libra flitej kundër atyre që nuk ishin myslimanë apo për mënyrën se si bije shehid (martir, dëshmorë). “Po të të zinte murtaja, ishe shehid më i madh”, thotë Dylberi se kishte lexuar duke treguar se ato libra i kishte grisur, ndërsa shpreh haptazi mosbesimin për to.  Ai tregon se si i biri filloi të mos shkonte mirë me vëllezërit se i quante ata të pafe dhe se po ashtu grindje me të. Ai thotë se ka punuar gjithë jetën e tij në minierë për t’i rritur fëmijët dhe se ishte bërë 72 vjeç por se “kështu nuk kam parë”.

 

Korrespondenti shqiptar i luftës, Vedat Xhymshiti thotë për Revistën Mapo se një pjesë kanë arsye ekonomike. “Ka shqiptarë që atje janë thjesht për arsye ekonomike. “Dëgjo Vudi, – më tha njëri prej tyre. -Kam luftuar për Kosovën, për Preshevën, për Maqedoninë, por familja ime akoma vuan dhe unë nuk mund t’i shkolloj fëmijët e mi. Erdha të luftoj në Siri sepse dihet që në vendet arabe, luftëtarët pas çlirimit, përfitojnë benefite”. Xhymshiti sidoqoftë ngre mjaft pikëpyetje e madje flet edhe për konspiracion e për lejim (mbyllje sysh) nga shtetet në Shqipëri e Kosovë që këta persona të shkojnë në Siri, ku u bashkohen ekstremistëve dhe sipas tij më shumë e dëmtojnë sesa e ndihmojnë Sirinë.

 

Ndërkohë, jo të gjithë kanë qenë në ngushtësi ekonomike. Pjesa tjetër e të larguarve kanë pasur mundësinë edhe të jepnin donacione për ndërtimin e xhamisë në fshatin e tyre, një rast në Leshnicë. Ndërsa jetonin kryesisht prej emigracionit. Në fakt thuajse të gjithë, përjashto Almir Dacin e shpallur në kërkim nga policia, kanë qenë më herët emigrantë në Greqi ku kanë bërë punë të ndryshme.

 

Taulanti, një nga besimtarët në Xhaminë e Leshnicës dhe mik e moshatar me Ervin Alinj, thotë se bashkë të dy kanë qenë në emigracion. Ai thotë se prej 8 vitesh ishin besimtarë dhe se faleshin edhe kur ishin në Greqi. Vetë thotë se nuk e ka menduar të shkojë në Siri, madje tregon se në fillim kur ikën Ervini, Bledari dhe Almiri banorët i thoshin edhe atij se pse nuk bënte “kartat që të ikte edhe ai”, ngase të gjithë mendonin se ndodheshin në Arabi. Ai thotë se vendimi i miqve të tij ka qenë personal. “Shikonin video në Youtube për padrejtësitë që bëheshin në Siri dhe u vinte keq”, thotë ai duke shpjeguar se pse ata vendosën të shkonin në luftë. Në fakt për një kohë të gjatë, sa kohë vëmendja e luftës në Siri ishte e përqendruar tek përmbysja e Assadit dhe kur organizatat ekstremiste si Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit (SHIISH) nuk ishin po aq të rëndësishme sa barbaritë e ushtrisë Siriane apo përdorimi i gazit nervin për të zhdukur lagje të tëra. Kjo solli reagime të ashpra në mbarë botën dhe dukshëm unifikimin e zërave kundër Asadit.

 

Drejtuesit politikë të Shqipërisë patën qëndrime të ngjashme duke dënuar dhunën në Siri që nuk kursente as fëmijët. Kjo situatë me të gjithë kundër Assadit mund të ketë qenë frymëzuese për një pjesë të atyre që ndodhen tani në Siri. Ndonjë do ta krahasonte situatën me atë që ndodhi në Spanjë në vitet 30’, përtej ngarkesave fetare. Kjo sepse xhiadistë në Siri vijnë pothuajse nga çdo vend i mundshëm. Në fakt e padyshimtë ashtu siç pohohet edhe në disa komente të Almir Dacit, të shpallur në kërkim nga policia dhe që sipas prindërve ndodhet në Turqi, një pjesë janë në Siri për arsye fetare apo siç thonë ata të krijimit të një shteti islamik. “Është dhe një pakicë që udhëhiqen nga kauza njerëzore për shkak të luftës në Kosovë në vitin 1999… Por pjesa më e madhe e shqiptarëve në Siri i janë bashkuar luftës për çështje të xhihadit, ideologjisë fetare”, tregon korrespondenti i luftës Xhymshiti për Revistën Mapo.

 

“Sociologët e fesë theksojnë se bota sot është në shumicën e rajoneve të saja më religjioze se kurrë më parë. Thënë këtë, duhet të njohim të gjitha trajtat e këtij ringjallërimi shpirtëror që në disa raste manifestohet në forma të ngurta”, thotë në një shkrim që botohet në Mapo të hënën, Elton Hatibi, i diplomuar për Kulturën dhe Religjionin në Mesdhe në Universiteti Papnor Gregorian në Romë. Hatibi, besimtar mysliman beson se edhe pse ashtu si një pjesë të mirë të botës Shqipërisë i duhet të përballet me ekstremizmin përmasa e tij në vendin tonë është e vogël. “Në rastin e Shqipërisë mund të theksojmë fort se nuk ka premisa për përplasje sektare”, thotë Hatibi, por tërheq vëmendjen se të kthyerit nga Siria duhet të mbahen nën kujdes dhe rehabilitohen dhe se vendi duhet t’i trajtojë gjakftohtësisht këto fenomene.

 

Në Gurras i vëllai 16-vjeçar i Besmirit mban veshur një bluze ku është stampuar një katedrale e Londrës. E ëma e njërit prej atyre që mendohet se kanë shkuar në Siri, na qeras me verë, të cilën e bëjnë vetë. Edhe pse të lodhur me gazetarë që u shkojnë thuajse çdo ditë, njerëzit këtu janë miqësorë aq sa munden dhe ndonjëherë mbi atë që munden. Nuk bëhet fjalë për shenja të ekstremizmit, nëse do kërkoje të tilla. Myslimanë, jo praktikantë dhe ateistë jetojnë bashkë siç kanë bërë gjithmonë dhe ndajnë përditshmëritë e tyre, mbushur me fukarallëk por zemër të bardhë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama