Lidhja me Tarantinin
Gjithçka nisi vitin 2008, në martesën e një funksionareje të partisë, ku Silvio Berluskoni ishte dëshmitar, ndërsa Xhianpaolo Tarantini i ftuar. Që aty nisën kontaktet telefonike mes të dyve për të organizuar festa me vajza bukuroshe dhe të gatshme për të bërë mrekullira. Sipërmarrësi barez punonte pa pushim për të rekrutuar gra të reja, duke parashikuar gjithçka me detaje. “Flokë të lëshuar e të krehur bukur, ndërsa tualeti jo shumë i theksuar, morët vesh? Fustani pas trupit, i zi dhe që të nxjerrë në pah format”, u thoshte Tarantini vajzave para se t’i çonte drejt haremit të Kryeministrit. Mes Kryeministrit dhe Xhianpaolos ka shumë konfidencë. Kjo dukej nga detajet intime që ai tregonte. “Dje kisha rreth 11 vajza që qëndronin në radhë përpara derës sime, por vetëm me tetë prej tyre mund të shkoja”, i thotë Kryeministri pa u ndrojtur.
Kërkesa e madhe
“Kë do më sjellësh sonte?”, ishte pyetja që Berluskoni i bënte shpesh mikut të tij Tarantini. Kryeministri i kërkonte vazhdimisht që t’i sillte vajza. Pastaj ditë për ditë, me mikun e tij komentonte edhe mbrëmjet. Performancat seksuale, gjykimet estetike për fizikun e vajzave, ku vëmendje e veçantë u kushtohej prapanicave të tyre. Kur Kryeministri e merrte në telefon dhe i kërkonte ndonjë mbrëmje të veçantë, qoftë edhe pak orë përpara, sipërmarrësi puliez dukej se nuk e kishte problem që në çfarëdolloj ore dhe momenti të gjente vajza të disponueshme.
Jo shumë të gjata
Një nga kërkesat e Berluskonit për Tarantinin ishte që të mos i sillte vajza shumë të gjata. “Nëse ke vajza për të sjellë, të lutem mundohu që të mos jenë shumë të gjata, sepse edhe ne vetë nuk jemi të gjatë”. Nga ana tjetër, Tarantini i përgjigjej: “Në rregull, do të mundohem. Unë do të sjell disa, ti pastaj vetëm zgjidh”.
Fiksimi për Belen
Bukuroshja argjentinase, Belen Rodriguez, ka qenë një nga fiksimet e Kryeministrit Berluskoni, por që nuk arriti ta shtinte dot në dorë, pasi në atë kohë ajo ishte e lidhur me një nga futbollistët e tij. Bëhej fjalë për Borrielon, të fejuarin e Belen Rodriguez në atë kohë. Nga telefonatat del se kur Tarantini i tregonte rreth asaj që Belen bënte, Berluskoni ishte gati të paguante çdo lloj çmimi për ta pasur në haremin e tij. Mes një mijë e një peripecive Tarantini i ka siguruar disa telefonata me bukuroshen argjentinase. Kryeministri nuk hoqi dorë kollaj dhe sapo mori vesh për ndarjen e saj me Borrielon, iu rikthye sërish. “Ti më pëlqen shumë. Je shumë e bukur. Si përfundoi historia jote me Borrielon?” - i ka thënë. Nga ana tjetër, pas këmbënguljes dhe përpjekjeve të Berluskonit, Belen ka pranuar të marrë pjesë në një festë në vilën Certosa. “Ishim rreth 50 veta. Njerëz të artit dhe televizionit. Erdhi na mori një autobus. Të gjithëve na bëri një tur nëpër shtëpinë e tij gjigante. Kishte edhe një bandë që luante muzikë rok. Kënduam të gjithë”. Me pak fjalë, për t’i hequr fiksimin, Belen e ka kaluar një mbrëmje nën shoqërinë e Kryeministrit por, sipas saj, nuk ka pasur bung bunga, por vetëm këngë dhe festë mes miqsh.
Tatuazhi
Shumë prej vajzave që kanë kënaqur Kryeministrin, nuk dinin si t’ia shpërblenin Tarantinit mundësinë që ai u kishte dhënë. Sabina Began, që ai e kishte ndihmuar dhe i kishte bërë shumë favore, kishte gjetur një mënyrë të veçantë për të shprehur mirënjohjen: në kavilje një tatuazh i veçantë, një flutur dhe rreth saj fraza “Takimi që ndryshoi jetën time, S.B”.