Si po i vret Maqedonia shqiptaret

Si po i vret Maqedonia shqiptaret

Tetova është sot qyteti më i ndotur në Europë. Normat e matjeve të ajrit që ofrohen përmes të dhënave zyrtare janë të frikshme, ashtu siç janë të frikshme shifrat e rritjes së sëmundjeve të ndryshme, duke filluar nga ato kancerogjene. Mjafton të prekësh këtë realitet, për të kuptuar gjendjen vërtet të rëndë në këtë qytet dhe rrethinat e tij.

Të dhënat janë alarmante dhe mund t’i gjesh jo thjesht në raportet e organizatave e mediave të ndryshme ndërkombëtare, por edhe të vetë Ministrisë së Ekologjisë, siç ajo quhet në Maqedoni. Në renditjen e një faqeje serioze si ajo “Numbeo”, e cila informon për nivelin e ndotjes në të gjitha qytetet e botës orë pas ore, Tetova renditet në vendin e tretë në botë, pas Akrës në Ganë dhe Katmandus në Nepal.

Gazeta prestigjioze “The Guardian” gjithashtu i ka rënë kambanës së alarmit për këtë qytet. Ndërkohë shifrat e ofruara nga Ministria e Ekologjisë prekin qiellin. Sipas tyre Tetova, gjatë vitit 2014, nga 365 ditë të vitit, plot 285 të tilla i ka pasur me ndotje mëse 20 herë mbi normën e lejuar. Grafiqet përkatës në video tregojnë se cili është kufiri normal dhe ku në fakt qëndron ky qytet.

Kjo ndotje masive përbëhet nga prezenca e rrezikshme e të ashtuquajturave “grimca PM10”. Një grimcë që ka shkaktuar mijëra të vdekur, në qytete me tregues shumë herë më të ulët se Italia, vend në të cilin siç raportohet ka mesatarisht 4 mijë të vdekur çdo vit. Siç raporton gazeta prestigjioze italiane “La Repubblica”, në Romë ka një përqendrim prej 40,4 mikrogramë grimca në 1 metër kub, ndërsa në Milano 49,3.

Nëse i referohesh shifrave të Shqipërisë, të publikuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ato lëvizin nga 43,3 mikrogramë në Tiranë, në 45,14 mikrogramë grimca për metër kub në Elbasan. Ndërsa në Tetovë treguesit shkojnë nga 600 apo 700, e në ditë kur nuk fryn erë deri në 1000 apo 1500. Shifra këto që konfirmohen nga ekspertët, por edhe nga Ministria e Ekologjisë.

“Për një njeri normal, që vetëm shëtit e nuk punon askund në Tetovë, 5 orë të kaluara do të thonë 5 miligramë pluhur në minimum, në mushkëri”, thotë Iljaz Iljazi, inxhinier.

Por çfarë po ndodh sot në Tetovë dhe sa në rrezik janë, përtej shifrave, banorët e këtij qyteti?

“Në Tetovë vërehet një rritje e paraqitjeve të infarktit akut miokardiak, te grupmoshat të cilat nuk kanë qenë karakteristikë para 10 apo 15 viteve, ose 20 viteve të thuash. Por kohët e fundit ekziston një lëvizje e tillë, e cila duhet të shikohet”, thotë Fatmir Ferati, kardiolog.

Veç problemeve kardiovaskulare, shifrat janë të larta edhe për sëmundjet në traktin respirator, kjo më e theksuar sidomos te fëmijët.

“Në vitin 2014 ka pasur një rritje drastike të numrit të fëmijëve të sëmurë. Ata të grupmoshës 0-6 vjeç shënojnë një rritje prej 46 për qind nga viti i kaluar, kurse në grupmoshën 7-24 vjeç me rritje deri në 30 për qind, ose 5743 pacientë”, thotë Venera Limani.

Shifrat e mbledhura flasin për një rritje ekstreme të të sëmurëve me tumore të ndryshme. Nëse ata kanë qenë 1319 pacientë në 2010-n, sot janë mbi 2375, çka shënon një rritje prej mëse 80 përqind, shifra këto që ofrohen nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoni. Një tjetër e dhënë alarmuese është numri në rritje i aborteve spontane. Edhe pse shifrat zyrtare mungojnë, të dhënat që vijnë nga vetë nënat janë më shumë se të frikshme.

“Është i frikshëm fakti, që unë nuk jam një prej të vetmeve ose të rrallave, që kanë të tilla probleme. Kur kam pasur rastin të shtrihem në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës, kam parë se në gjysmat e shtretërve në dhomat me nga tetë krevate, ka qenë një grua me shtatzëni të dështuar, apo një grua që ka probleme me shtatzëninë, të cilën mjekët mezi e mbajnë gjallë”, thotë një prej nënave që ka vuajtur me shtatzëninë e saj.

Vetë mjekët e kësaj fushe pohojnë rritjen e numrit të shtatzënive të pazhvilluara dhe ndikimin që ndotja ka në raste të tilla.

“Kanë të bëjnë me fazën e parë të shtatzënisë, apo kur bëhet strukturimi i organeve, çka do të thotë se më së tepërmi ndikon ajri i ndotur mbi strukturimin normal të organeve të embrionit”, thotë Dr. Arjan Alili, gjinekolog-obstetër.

Gabon kush mendon që rrezik ka vetëm për nënat tetovare. Ai shkon shumë më tej, deri te rritja e sterilitetit te meshkujt.

“Është e vërtetë se numri i meshkujve, të cilët kanë probleme me spermogramet, gjatë analizave laboratorike të cilat i bëjmë për verifikimin e kualitetit të spermës. Kohët e fundit janë vërejtur një numër i madh spermogramesh, të cilat nuk janë normale, e që nuk kanë qenë prezentë kohë më parë”, vijon më tej Dr. Arjan Alili.

Por nga vjen kjo ndotje masive, që po helmon çdo ditë Tetovën, por edhe gjithë Pollogun? “EkoGuerrils”, reaguesit më të fortë dhe organizuesit e protestave për këtë çështje, e kanë përgjigjen e tyre.

“Një nga shkaktarët kryesorë të ndotjes që ne kemi identifikuar është një fabrikë, që ndodhet diku 15 km në vijë ajrore nga qyteti i Tetovës dhe që është emetuesi më i madh i grimcave PM10 në atmosferë”, thotë Arianit Xhaferri.

Fabrika e “Jugo Hromit”, që prodhon FerroSilicium, është sot shkarkuesi më i madh i ndotjes në Tetovë. Ajo është hapur që prej vitit 1957 dhe, siç theksojnë burime të shumta, shumica e drejtuesve të saj tashmë kane vdekur nga tumore të ndryshme. Justifikimi i deklaruar disa herë nga Qeveria maqedonase, se ajo është detyruar të punojë me gjysmë kapaciteti nuk është i vërtetë, pasi “JugoHromi” ka më se 25 vjet, që punon me të njëjtin kapacitet. Problemi i vërtetë, sipas ekspertëve, vjen nga mosvendosja e filtrave përkatës, çka përbën një skandal të jashtëzakonshëm. Asnjë fabrikë në Evropë nuk punon në këto kushte. Ekspertët thonë se vetëm nga ky vend, mbi Tetovë e gjithë Pollogun në ajër, shkarkohen çdo ditë më se 30 ton pluhur.

“Ajo që është edhe më shqetësuese, është se askush nuk mund të dëshmojë çka në fakt ndodh aty”, thotë Abdylmenaf Bexheti.

Është skandaloze të mendosh, se jo vetëm aktuali, por katër ministrat e fundit të Ekologjisë kanë qenë shqiptarë dhe asnjë prej tyre s’ka bërë asgjë, përveç se të shohin sesi shuhen çdo ditë banorët e Tetovës. Aq më pak politika shqiptare në tërësi, që nuk dihet çfarë interesash mbron, sepse dukshëm ato shqiptare nuk po i përkrah. Ata kanë harruar gjithçka, gjyshër, baballarë e nëna, e mbi të gjitha fëmijët, të ardhmen e të cilëve po e mbulojnë me errësirë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama