Si e pushtoi NATO-ja Europen

Si e 'pushtoi' NATO-ja Europen

Në përvjetorin e 65-të të NATO-s, debati mbi zgjerimin e organizatës mbetet ende i diskutueshëm, ku disa e shohin atë si një premtim të thyer ndaj Rusisë, pas rënies së Perdes së Hekurt. 

 

NATO, një aleancë ushtarake ndërqeveritare, e bazuar në Traktatin e Atlantikut Verior, u nënshkrua në 4 prill, 1949, kur ShBA-ja, Kanadaja, Portugalia, Italia, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda u bashkuan me anëtarët e Traktatit të Brukselit për të themeluar Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior.

 

Ideja për krijimin e aleancës lidhej me ofrimin e mbrojtjes kundër një sulmi të mundshëm sovjetik. Në fillim të viteve 1950, fokusi i luftës së komunizmit kundër kapitalizmit kaloi në Azi, ku një seri luftërash të përgjakshme luajtën një rol madhor në bindjen e europianëve se Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij ishin jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe duhet të zmbrapseshin me çdo kosto. 

 

Pas ribashkimit të Gjermanisë, NATO pothuajse është dyfishuar, nga 16 anëtarë në vitin 1990 në 28 në vitin 2014. 

 

Sipas "Rusia Sot", shumica e zyrtarëve rusë ndihen të mashtruar nga NATO-ja dhe akuzojnë Perëndimin që mos të ndjekë zotimet e bëra gjatë negociatave për ribashkimin e Gjermanisë, ku NATO ra dakord që mos të zgjerohej në Lindje. 

 

Mikail Gorbaçov, asokohe president i Bashkimit Sovjetik, konfirmoi se ishte bërë një kompromis që NATO-ja të mos zgjerohej, madje “as një hap më tepër drejt Lindjes”. Mirëpo ky angazhim nuk u dokumentua kurrë formalisht dhe që atëherë, aleanca është rritur në mënyrë drastike. 

 

Ambasadori amerikan në Moskë gjatë asaj periudhe, Jack Matlock, tha për “Rusia Sot”, se ai personalisht e kundërshtonte zgjerimin e NATO-s. Diplomati i dalë në pension këmbëngul se zgjerimi i bllokut nuk është nxitur nga Uashingtoni, por nga vendet e Europës Lindore, që kishin nevojë për t’u mbrojtur nga Perëndimi, kundër një rigjallërimi komunist në Rusi. 

 

Që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, NATO është zgjeruar në mënyrë të ndjeshme drejt Lindjes, veçanërisht në dy dekadat e shkuara. Në vitin 1990, Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia iu bashkuan aleancës. Më pas ndodhi zgjerimi më i madh në historinë  e NATO-s: në 2004-ën, shtatë vende të Europës Lindore iu bashkuan aleancës – Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Romania, Sllovakia dhe Sllovenia. Ky zgjerim arriti kulmin me avancimin final në vitin 2009, kur u pranuan Shqipëria dhe Kroacia.

 

Gjatë një deklarate për shtyp në vitin 2008, presidenti rus, Vladimir Putin u shpreh se “një bllok i fuqishëm ushtarak që po shfaqet afër kufijve tanë, do të perceptohet në Rusi si një kërcënim direkt ndaj sigurisë së vendit tonë”. 

 

Me zgjerimin e aleancës dhe përfshirjen e vendeve baltike dhe europiano-lindore, u rrit edhe mosbesimi dhe tensioni në Lindje. Qëllimi i bllokut është vënë në pikëpyetje gjatë shekullit 21 dhe shumë analistë kanë dyshime lidhur me qëllimet të cilave iu shërben ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama