Shqiptari qe ecen me 600 km/ore

Shqiptari që ecën me 600 km/orë

Para disa muajsh, në fillim të prillit të këtij viti, media botërore dha lajmin e hedhjes në qarkullim të
një treni të ri të shpejtësisë rekord TGV V150, prej 574.8 kilometra në orë. Mbi 80 gazetarë nga gjithë bota ndoqën ceremoninë e zhvilluar në Francë për trenin më të shpejtë në botë, një mrekulli e teknologjisë dhe forcës së mendjes njerëzore. Media shqiptare e pasqyroi këtë gjë nën okelion e lajmeve për modën. Lajmi dukej si për një botë tjetër!
Por në rast se këtu askush nuk hoqi paralele për kontrastin e madh të këtyre realiteteve, nga ana tjetër, në Paris, me ftesë të veçantë në dorë në trenin e “Parajsës” do të hipte edhe një shqiptar. Nuk ishte turist i përzgjedhur apo zyrtar: ishte njëri nga projektuesit e këtij treni, pasardhës i denjë i projektuesit të hekurudhës malore në Austri, shqiptarit tjetër me emrin Karl Gega. “Welcome, Mr. Kuka!”, i foli stjuardesa e trenit rekord “V150”, pa qenë nevoja të kërkonte ftesën me kartën “VIP”.
Në momentin që treni u nis ing. Naim Kuka kujtoi Shqipërinë dhe gjithë rrugën që kishtë bërë për të ardhur deri aty… Tashmë ishte 54 vjeç dhe e kishte provuar të gjitha llojet e udhëtimit, duke nisur me udhëtimet e lodhshme të gjata më këmbë kur ishte fëmijë në qytetin e lindjes Peshkopi, ato me autobusat e vjetër për të shkuar në shkollë në Tiranë (7-8 orë për 200 km rrugë), pastaj shtyrjet e njerëzve për të zenë një vend në trenin e plazhit Tiranë-Durrës…
Të gjitha këto ing. Naim Kuka na i rithotë për një intervistë për revistën “MAPO”. Në një moment nostalgjie dhe sinqeriteti ai na thotë:
“Më trishton fakti që praktikisht jemi i vetmi vend europian pa hekurudha (edhe ato pak që ishin në punë më duket se janë në gjendje të mjeruar). Kohët e fundit ALSTOM, kompania për të cilën punoj, ka fituar një garë për infrastrukturën dhe mjetet hekurudhore në Trinidad-Tobago. E, pra, trishtohem me të vërtetë kur mendoj që mundemi të zhvillojmë vende të Afrikës, por jo ende Shqipërinë time që e kemi në prag të derës. Endërroj një ditë të dëgjoj që Shqipëria hap një tender për transportin hekurudhor”.
Por, përveç një rrethi të ngushtë miqsh, shokësh dhe kolegësh, në Shqipëri ing. Kuka pothuaj nuk njihet. Sepse Shqipëria tani është bërë “atdheu” tipik i demagogëve dhe parazitëve që llomotisin nëpër tribuna dhe ekrane fals për gjoja zhvillimin e vendit. Më të mirët, më punëtorët kanë ikur. Si inxhinier Kuka, i cili prej 15 vjetësh punon në Itali, në kompaninë nr. 1 në botë për industrinë hekurudhore ALSTOM. Drejton prej disa vjetësh një nga “celulat” inteligjente të këtij gjiganti, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar për trenat e së nesërmes.
Në fakt, njohja jonë me këtë njeri qe krejt e rastësishme, por biografia dhe karriera e tij zbardh edhe një herë paradokset e jashtëzakonshme të jetës shqiptare, hendekun e madh që ekziston mes potencialit dhe energjive të pashtershme të shqiptarëve dhe mungesës së menaxhmit efektiv nga kastat politike dhe qeveritë përkatëse. Më poshtë po japim intervistën e plotë me inxhinierin që mori pjesë si protagonist në projektin e trenit më të shpejtë në botë:

–Zoti Kuka, rastësisht kemi marrë vesh që një shqiptar, pra, Ju, keni marrë pjesë në projektimin e trenit më të shpejtë në botë. A mund të na thoni diçka për këtë ngjarje dhe rolin tuaj aty?

Më 3 prill 2007, në prezencën të një numri të madh gazetarësh të të gjithë botës, treni V150 arriti 574.8 km/orë, një rekord i ri i shpejtesise mbi shina. Treni TGV V150 (shpejtësia 150 m/sec), simbol i nivelit të lartë teknologjik, është bashkëpunin i ngushte midis ALSTOM (konstruktori nr. 1 në transportin hekurudhor, me mbi 25000 punonjes dhe stabilimente në vendet kryesore të botes), SNCF (shoqëria e transportit hekurudhor francez) dhe RFF (rrjeti i infrastruktures hekurudhore franceze).
Studimi, zhvillimi dhe prova e trenit V150 eshte rezultat i 14 muajve punë, ose 100.000 orë projektimi e përgatitje e 60 inxhinierëve e teknikëve te stabilimenteve te ndryshem Alstom. Treni i rekordit perbehet nga 2 lokomotiva elektrike (25 kV, 50 Hz) e 3 vagona me dy kate (nivele). Fuqia totale e trenit është 19,6 megaëatt (mbi 25.000 kuaj fuqi), afro dyfishi i fuqise të të gjitha veturave të Formula UNO, të marra së bashku, në momentin e nisjes së garës.
Në kuadrin e mobilizimit te pergjithshem te te gjitha burimeve teknike te Alstom jane kontaktuar e kane dhene kontributin e tyre, direkt ose indirekt, te gjithe rrjetet e experteve ALSTOM e midis tyre edhe “Railway Dynamics and Wheel-Rail Contact - RDWRC” Core Competence Network - CCN, të cilën unë e drejtoj prej vitit 2004.
Për motive pune unë fluturoj shpesh, por ju garantoj që të udhëtosh me tren me mbi 500 km/h është me të vërtetë e jashtëzakonshme!

– Zoti Kuka, a mund të prezantoheni më hollësisht për jetën tuaj? Nga vini dhe si mbërritët deri “tek shpejtësia e dritës”? Cili është ndryshimi midis dinamikës së jetës shqiptare (ku në rastin më komod mund të udhëtosh deri me 100 km. në orë) dhe dinamikës evropiane?

E konsideroj veten time me fat; para së gjithash për mundësitë që më dha familja dhe vendi im të shkollohem në një Universitet Politeknik te cilësisë së lartë – dëshiroj ta theksoj kete fakt- dhe vazhdimin e kualifikimit pasuniversitar dhe doktoratës në fushën e transportit hekurudhor. Gjate periudhës së doktorates kam patur fatin te njoh specialistë të shkëlqyer të hekurudhave shqiptare.
Per fat te keq nuk jam i azhornuar per situaten e hekurudhave shqiptare pas viteve 1991. Me sa kam parë dhe dëgjuar eshte me te vertete një situatë e dhimbshme. Ndoshta jam i njëanshëm (meqënëse që nga 1980 i jam kushtuar ketij lloj transporti), por mendoj qe Shqiperia duhet te fitoje kohen e humbur: transporti hekurudhor eshte ekonomik, i sigurte, relaksues, ekologjik etj. Transporti hekurudhor është i te gjitheve e pa te nuk ka integrim real ne Europë e në botë. Pra duhet pare si i tillë edhe nga klasa politike.
Nëse mendojmë që me trena diesel që ne prodhojme në Savigliano mund të udhëtohet me komoditet me shpejtësi 130-160 km/h, vetëm duke rinovuar infrastrukturën eksistente dhe llogaritë janë të thjeshta: për 20 min mund të shkojme nga Tirana në Durrës; per 2-2.5 orë besoj se mund të shkojmë nga Shkodra në Vlorë.
Për të mos folur për trena me te shpejte, 250 km/h, te cilet jane rutine per ne e me te cilet kemi furnizuar kohet e fundit Republiken e Kines (ne prill 2007 hyne ne sherbim 5 trenat e pare Alstom ne Kine, me v=250 km/h, e per te cilet une kam qene shume i angazhuar).

- Në internet gjen edhe një kontratë evropiane (Komisioni Evropian, Bruksel) me nënshkrimin tuaj. A ka shumë shqiptarë të nivelit ndërkombëtar në fushat e shkencës dhe teknikës? A përbën kuriozitet fakti që nga shkolla shqiptare mund të dalin protagonistë të shkencës dhe teknikës së nivelit evropian?

Ka shumë shqiptarë të tjerë që punojnë mirë dhe kanë sukses, por jo të gjithë kanë patur fatin të evidentohen edhe në nivele ndërkombëtare. Aktualisht unë, si punonjes i ALSTOM, jam koordinator i nje projekti 3-vjecar të financuar nga Komisioni Europian në të cilin bashkëpunojnë edhe një universitet anglez dhe një sllovak. Eshtë kënaqësi e vecantë per mua qe nepermjekt ketij bashkepunimi ndjej nje vleresim te vecante edhe per shkollen shqiptare.

- Cila është familja juaj këtu në Itali? A ndjeheni të integruar, ku studjojnë fëmijët?

Siç e përmenda më sipër, ne si familje e quajmë veten me fat, sepse mua më është ofruar nje pune e mire perpara se te vendosja te trasferoja familjen në Itali. Bashkëshortja ime, Haxhire Kuka (Asllani) është e diplomuar në Biologi-Kimi në Universitetin e Tiranes dhe ketu ne Itali ka ndjekur kurse specializimi per “mediatore Interkulturore”, figurë mjaft e nevojshme për të lehtësuar komunikimin midis imigranteve dhe istitucioneve italiane.
Kemi dy vajza: e madhja, Mirela, eshte e diplomuar ne Bioteknologji, me vleresimin maksimal,dhe kete vit ka filluar doktoraten prane Universitetit te Sienes, ne bashkepunim me nje shoqeri shumekombeshe farmaceutike. Vajza e vogel, Elira, vazhdon vitin e trete te Universistetit për ekonomi, në Shtetet e Bashkuara (Boston). Pra deri tani ndjehemi më të vërtetë të lumtur për progresin e tyre në jetë e në shoqëri.

– Shqipëria ka sot rrjetin më anakronik të hekurudhave. A ju trishton ky fakt? Si e mendoni të ardhmen e hekurudhës shqiptare?

Trishton fakti që praktikisht jemi i vetmi vend europian pa hekurudha (edhe ato pak që ishin në punë me duket se janë në gjendje për të vajtuar). Kohët e fundit ALSTOM ka fituar nje garë për infrastrukturën dhe mjetet hekurudhore, në Trinidad-Tobago. Trishtohem me te vertete kur mendoj qe mundemi te zhvillojme vende te Afrikes dhe jo Shqipërinë që e kemi në prag të derës. Endërroj një ditë të dëgjoj që Shqipëria hap një tender për transportin hekurudhor.

- Ndjeheni krenar për faktin që jeni shqiptar në këtë nivel apo kjo nuk ka ndonjë rëndësi për ju? Krenaria buron nga fakti nga jeni nisur apo thjesht ku keni arritur?

Krenaria ekziton në ADN-në e shqiptarëve, shpesh edhe si obsesion. E rëndësishme është që herë pas here duhet kthyer koka prapa e shikuar nga je nisur e ku ke arritur, krahasuar me objektivat që i ke vënë vetes. Në këtë kuptim e ndjej veten të kënaqur e krenar edhe pse gjithmonë ka vend për të bërë akoma më shumë.

Naim Zoto : Revista Mapo

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama