Shqiptari hidhet ne uje per te shpetuar nje femije

Shqiptari hidhet ne uje per te shpetuar nje femije

Hekuran Krasniqi ishte i vetmi mes të pranishmëve që guxoi të vepronte në ato moment. 38-vjeçari nga Kosova i shpëtoi jetën fëmijës që po rrezikonte të mbytej

 

Ndodhi të shtunën në Herrichried (Baden Würtemberg, Gjermani). Fëmija 3-vjeçar, duke u lëshuar me vullnetin e tij nga kodrina me borë, nuk mundi të frenonte dhe rrëshqiti drejt e në liqenin gjysmë të ngrirë Stehlesee. Asnjëri nga të pranishmit nuk kishte guxim të shkelte mbi shtresën e hollë të akullit për të shpëtuar vogëlushin. Vetëm Hekuran Krasniqi guxoi të vepronte në ato momente dramatike. Duke kërcyer në ujin e akullt, 38-vjeçari nga Binzgeni i shpëtoi jetën fëmijës së panjohur, që po rrezikonte të mbytej.

 

Mbesa e tij e kishte ditëlindjen atë ditë. Ai me motrën, bashkëshortin e saj dhe të gjithë të ftuarit e ditëlindjes kishin ardhur për tu kënaqur në ambient me borë. Kur po dilte nga vetura, Hekurani pa grumbullimin e njerëzve të shqetësuar. Aty kishte ardhur edhe një autoambulancë. Me tu afruar, kosovari pa fëmijën mbi ujë. “Liqeni nuk ishte ngrirë tërësisht dhe fëmija po qëndronte mbi një pllakë akulli në mes të liqenit. Askush nuk guxonte të hynte brenda sepse të gjithë po pritnin zjarrfikësit. Unë e shikoja nënën e fëmijës, e cila e shqetësuar po rrinte pranë bregut dhe vazhdimisht thërriste për ndihmë”, -rrëfen Krasniqi.

 

Ai mori një palë shkallë të gjata në shtëpizën e teleferikut aty pranë dhe bashkë me dhëndrin, organizoi disa burra të gjendur pranë, për të mbajtur shkallën. Pastaj Hekurani e vendos shkallën nga bregu i liqenit, deri te hapësira me akull, ku qëndronte fëmija 3-vjeçar. “Por problemi ishte se, me peshën e trupit tim unë po e shtypja gjithnjë e më shumë pllakën e akullit, sa më shumë që i afrohesha”. Për këtë arsye ai vendos shpejt të hidhet në ujë dhe të kapë fëmijën nga pllaka e akullit, duke e sjellë atë në breg.

 

“Vogëlushin e mbaja me njërën dorë mbi kokën time, në mënyrë që të mos lagej ndërsa me dorën tjetër notoja”, tregon 38-vjeçari për gazetën gjermane “Südkurier”. Në ujin e akullt të liqenit, me fëmijën në krahë po ngjitej në breg, kur në ato momente atë e shtrëngojnë dy krahë. Ishte nëna e stërlumtur dhe e emocionuar e 3-vjeçarit, zërin e dridhur të të cilës e ndjente në vesh duke i thënë “të faleminderit”.

 

Vogëlushi është transportuar menjëherë nga sanitarët e pranishëm për në spital, bashkë me të ëmën. Hekuran Krasniqi u mbështoll me një batanije leshi dhe dhëndri i tij e çoi me makinë në shtëpi. Prej aty edhe ai u dërgua në spital. “Kisha marrë ftohje të thellë dhe mjeku më këshilloi që të pi shumë çaj të nxehtë”, thotë Krasniqi. Ndërkohë, gjithçka i është kthyer normales dhe ai është i lumtur që vogëlushi nuk pësoi asgjë. “Unë vetë kam dy fëmijë dhe mund ta përfytyroj se çfarë vuajtjesh hiqte nëna e vogëlushit, duke parë të birin mbi pllakën e akullit në liqen”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama