Shqiptaret qe po trondisin Maqedonine

Shqiptaret qe po trondisin Maqedonine

Branko Manojlovski, që është ndër të parët që u deklarua se është shqiptar ortodoks nga Reka e Epërme në Maqedoni, ka konfirmuar publikisht lidhjen familjare me Branislav Sinadinovskin, profesorin universitar, i cili së fundi ka tronditur opionion maqedonas, pas deklarimit të origjinës dhe përkatësisë së tij të pastër shqiptare.

Branko Manojlovski, që është edhe kryetar nderi i shoqatës atdhetare “Josif Bageri”, dhe që jeton në Çikago, ka rrëfyer për lidhjet e tij familjare me profesorin Sinadinovski, i cili me rastin e festës së 28 Nëntorit publikoi librin e tij “Shqiptarët Ortodoksë në Maqedoni”, dhe që nxiti debate të gjera në Maqedoni, por edhe një reagim të papritur nga motra e tij Liljana Sinadinovska, e cila theksoi se vëllai i tij nuk është shqiptar.

“I ati i Branislav Sinadinoskit ishte Joakim Sinadinoski. Kurse nëna e Joakimit ishte Keva, e cila ishte motra biologjike e nënës time, Zafirkës. Që të dyja, dembabadem janë lindur dhe rritur në Beliçicë të Rekës së Epërme, ku kishin llafosur vetëm shyp, pasi fshati ynë dhe të tjerët përreth llafosnin shyp. Pleqtë dhe prindërit tanë nuk dinin maqedonisht. Të gjithë kuvendonin shyp”, theksoi Manojlovski për agjencinë e lajmeve INA.

Por, Branko rrëfen se si është zhdukur edhe mbiemri i tyre origjinal Tanashi, i cili historikisht ishte trashëguar brez pas brezi, deri në periudhën e pushtimit serb kur u emërtuan dhe u detyruan të regjistrohen si Tanasheviç, aty nga vitet 1870.

Ai rrëfen se si ka vijuar më pas me diskriminimin kur pas Luftës së Dytë Botërore ishte nisur me motrën e tij për të nxjerrë në cerfitifikatë në Zyrën e Ofiqarisë.

“Unë me motrën time shkuam në ofiqari për të nxjerrë një certifikatë lindje. Punonjësi i kësaj zyre ma shkroi mbiemrin Manojlovski, duke më thënë mua dhe motrës se prej tani kemi këtë mbiemër dhe jo më Tanasheviç. Kjo ishte akti i dytë i një gjenocidi dhe diskriminimi vetëm e vetëm për të humbur gjurmët tona”, rrëfen 71- vjeçari, i cili tërë verën e kalon në fshatin e lindjes, ndërsa dimrin në Çikago në SHBA.

Ai thotë se kishte kërkuar nga priftërinjtë në Kishën e Shën Bigorit për origjinën e tyre dhe të mbiemrit të tyre Tanashi.

“Pas disa hulumtimeve në praninë time dhe të një prifti të kishës, nëpër librat e moçëm apo regjistrat e viteve 1870-80,  gjetëm mbiemrin e vërtetë dhe më tha: Para të vërtetës hesht edhe Zoti! Në këtë rast edhe prifti nuk foli gjë. I thashë se kjo është e vërteta, e cila në këtë moment ka nevojë për guxim, kurajo dhe përkushtim. Familjet tona të Tanashajve flisnin vetëm gjuhën shqipe të dialektit të Rekës së Epërme, të cilën në studimet e tij të thella gjuhësore e përmend edhe studiuesi me famë botërore, Robert Elsie”, thotë Branko.

Dalja në dritë e shqiptarëve ortodoksë të Rekës do të vijojë dhe zëri i tyre i drejtësisë dhe të vërtetës historike do të përhapet kudo.

Me angazhimin e Komunitetit Shqiptaro– Amerikan në Çikago dhe vetë Branko Manojlovskit, së shpejti edhe në SHBA do të bëhet promovimi i librit “Shqiptarët Ortodoksë të Maqedonisë” nga autori Branislav Sinadinovski.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama