Shqiperia mes dy Papeve nga Vojtila te Francesku

Shqiperia mes dy Papeve, nga Vojtila te Francesku

Tirana dje, në përgatitjet e fundit për të pritur Papën e dytë në dy dekada. Arsyet e vizitës së Atit të Kishës Katolike në Shqipëri dhe ajo që shqiptarët presin nga ardhja e tij. Për një ditë vendi  kthehet në qendër të katolicizmit dhe do ketë një rast jo të vogël të mburret me paqen fetare

21 vjet kanë ndryshuar katërcipërisht Shqipërinë që bëhet gati të presë Papën e dytë në radhë, edhe pse “Billy Jean” e Majkëll Xhekson, kënga që u vu për të testuar foninë aty nga ora dy e mesditës në bulevard e bëri efektin e kthimit pas në kohë.  Një kryq “i sajuar” druri ishte i vetmi simbol kishtar në mes të mijëra besimtarëve të krishterë dhe po myslimanë që pritën Papa Gjon Palin II në Shkodër, më 1993. Papa Françesku që mbërrin në Tiranë të dielën, do të gjejë jo vetëm një kishë katolike të ringjallur, por edhe një Shqipëri të ndryshuar. Nuk bëhet fjalë më për kryqe druri të rregulluara aty për aty. Dhjetëra punonjës ishin dje në “Dëshmorët e Kombit” ndër të tjera edhe duke instaluar ekrane të sheshta prej nga rreth 500 mijë pjesëmarrës, sipas një vlerësimi të ambasadës së SHBA në Tiranë, në një njoftim për shtetasit amerikanë që duan të jenë të pranishëm, do të ndjekin meshën e së dielës në sheshin “Nënë Tereza”.

Arsyet e vizitës

Sheshit po i jepet dora e fundit. Grupe-grupe pastrues të Bashkisë po fshijnë çdo pllakë rreth e rrotull vendit ku do të jepet mesha. Rreth tyre, të tjerë punëtorë po krijojnë gardhe hekuri që do kushtëzojnë hyrjet dhe daljet në shesh. Foto të klerit të persekutuar e vrarë nga diktatura që e shpalli vendin ateist, janë pjesë e dekorit që do të presë Papën dhe një nga arsyet pse ai po viziton Shqipërinë. 40 prej këtyre njerëzve që u vranë dhe u torturuan në mënyra çnjerëzore për shkak të fesë, janë në proces lumturimi. E rrallë për një vend. Kur renditi arsyet se pse po vinte, Papa shënoi këtë të parën. Ai do vizitonte Shqipërinë që kishte vuajtur prej diktaturës. Në radhë menjëherë pas kësaj ishte harmonia fetare mes besimeve të ndryshme në vend. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, duke nënvizuar harmoninë mes feve në vendin tonë u shpreh se Papa Françesku do e vizitojë Shqipërinë për t’iu treguar popujve të tjerë që mund të bashkëpunohet. “Etërit themelues të Shqipërisë moderne besonin në mundësinë e ndërtimit të një shoqërie multifetare dhe historia u dha atyre të drejtë. Ndërkohë, në vende të ndryshme të botës e përdornin fenë si pretekst për dhunën dhe abuzimin”, tha Kardinali pak ditë më parë. Papa sigurisht do të përfitojë nga kjo vizitë për ta bërë më të fortë mesazhin e paqtimit mes feve pikërisht në një kohë kur luftërat bazuar mbi besimin po u kushtojnë jetën mijëra personave në Lindjen e Mesme.

Edhe në Komunitetin Mysliman Shqiptar e presin një mesazh të tillë, ndërsa thonë se janë të hapur të dialogojnë gjithmonë për të mirën e përbashkët dhe shoqërinë. Kreu i këtij komuniteti, më i madhi në vend, pritet të jetë i pranishëm ashtu si pjesa tjetër e drejtuesve fetarë në takimet zyrtare të Papës në Tiranë. “E ndjekim me interes. Është një vlerë e shtuar për bashkëjetesën mes komuniteteve fetare dhe për shoqërinë. Jemi të gëzuar për besimtarët katolikë, të cilëve u vjen në vizitë udhëheqësi i tyre shpirtërorë”, – tha për MAPO-n nënkryetari i këtij Komuniteti, Ali Zajmi.

Nga ana tjetër, edhe pse mes atyre mijërave që do presin Papën të dielën do të ketë me padyshim mjaft myslimanë, Shqipëria, qoftë edhe në raportet mes besimeve, nuk është më ajo që gjeti Papa Vojtila kur ra në gjunjë në Rinas, që atëherë ende nuk quhej “Nënë Tereza”. Kjo ishte hera e parë që një Papë shkelte në tokën e “ateistëve”. Mijëra mbushën sheshet, pavarësisht besimit, në Tiranë e Shkodër, ku Gjon Pali qëndroi gjatë vizitës së tij. Një vend që me detyrim për dekada fshiu apo u përpoq të fshinte çdo lidhje mes njeriut dhe Zotit, u ngrys e u gdhi i ringjallur në besim. Prej atëherë kanë rrjedhur ujëra pa fund. Vendi nuk është më aq imun ndaj radikalizmit fetar apo fobisë ndaj besimit të tjetrit, edhe pse kjo është larg të qenit shumicë apo qoftë edhe pakicë shqetësuese. Qeni anti-minë që kontrollon cep më cep Akademinë e Arteve apo zhurma në media (kryesisht ruse) se Papës mund t’i bëhej atentat, e përgënjeshtruar fort nga Vatikani që tha se nuk do të shtonte sigurinë, përligjet njëfarësoj pikërisht prej pranisë së këtyre grupeve radikale. Përtej kësaj, Papa me siguri do të gjejë mjaft myslimanë mes besimtarëve të tij që do të dëgjojnë çdo fjalë të meshës edhe pse nuk do ta kuptojnë atë. Shumica e punëtorëve që meremetonin dje sheshin ishin myslimanë. “Agjëroj sa herë kam mundësi”, na thotë njëri prej atyre që rregullon rrugicat ku do ta kalojnë njerëzit. “Për Allah”, betohet pak më tutje një prej pastruesve që ka diçka për të diskutuar me shoqet e saj, ndërsa fërkon fort pllakat e trotuarit. Në Shqipërinë ku kishën dhe xhaminë i ndajnë vetëm pak minuta e ku besimtarët kryqëzohen në rrugë çdo ditë nëse shkojnë për në meshë apo për faljen e Xhumasë, asnjë prej këtyre detajeve nuk përbën habi të madhe. Të tjerë ama nuk e shohin kaq pa habi gjithë këtë. Të paktën 600 gazetarë të huaj nga media si CNN, Al Jazeera, Rai e dhjetëra të tjera do i përcjellin botës aktivitetin dhe padyshim edhe versionin shqiptar të paqes mes feve.

Çfarë presim?!

Kjo është ajo që në fakt pret Shqipëria. Kreu i Komitetit të Kulteve, Ilir Hoxholli, mysliman në besim, thotë se vizita e Papës dhe përmendja e harmonisë fetare është reklama më e mirë që i bëhet Shqipërisë. Sipas tij, kjo “na bën të kuptojmë ne shqiptarëve se ç’pasuri kemi në duar”. Por veç imazhit, Shqipëria ka shpresë se e gjithë kjo do të përkthehet në më shumë njerëz që na shohin pozitivisht. Më shumë vizitorë dhe më pak nga ata që besojnë se ende jemi njerëz me bisht. “Një vizitë e… një figure si Papa është një reklamë pozitive dhe vëmendja që ai do të tërheqë në media do të kundërbalancojë imazhin e padrejtë të Shqipërisë”, tha Kliton Gërxhani, një konsulent i turizmit në Shqipëri për BIRN. Ai thotë se mbulimi mediatik ndërkombëtar i vizitës ka gjasa që të ketë ndikim pozitiv afatgjatë më shumë sesa ndikim ekonomik të menjëhershëm nga pelegrinët që pritet të shoqërojnë vizitën e Papës. Këta të fundit, sipas koordinatorit të përgjithshëm për vizitën e Papës, Albert Nikolla, mund të arrijnë deri në 10 mijë kryesisht prej vendeve fqinje, por edhe të huaj. Ajo që do të ndodhë pas vizitës nga ana tjetër është diçka më shumë se kaq. Dje në Tiranë nuk ishte e vështirë të gjeje veç grupeve të turistëve nga Europa edhe njerëz që vinin nga Brazili. Dy gra i takuam pikërisht ndërsa bënin selfie para altarit ku do të mbahet mesha e së dielës. Thanas Goga, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë për Mediat, dhe njëkohësisht koordinator i grupit që do të menaxhojë marrëdhëniet me publikun gjatë vizitës, thotë se vetëm numri i gazetarëve të akredituar tregon se përmasat do të jenë të jashtëzakonshme. Ata që ndihmojnë në përgatitjen e sallës së gazetarëve në Pallatin e Kongreseve, janë të bindur se Shqipëria do të tregojë më të mirën e saj të dielën. Gazetarët italianë të Rai-t janë të parët që kanë mbërritur, të tjerët vijnë nesër dhe një pjesë do të udhëtojnë me Atin e Shenjtë. Patër Gjergj Meta, zëdhënësi i Kishës Katolike, është njeriu më i kërkuar në këto anë. Ka nga ata që i kërkojnë kartat e akreditimit, të tjerë që duan të dinë ku do të ulen dhe të tjerë që duan informacion. Edhe pse e lodhshme, përkujdesje deri në detaje, për llambat, frigoriferët, kompjuterat, prizat e gjithçka tjetër rreth vizitës, organizatorët janë optimistë se gjithçka do jetë mjaft e mirë.

Më 1993, gjërat nuk kanë qenë kaq të llogaritura. Gjon Pali II vinte në një vend ku nuk kishte as një drejtues të Kishës Katolike. Ai shuguroi atëherë katër ipeshkvët shqiptarë në një kishë që për vite me radhë jo vetëm nuk kishte mundur të edukonte kler të ri, por kishte humbur thuajse të gjithë ata që kishte pasur dhe kush ishte ende gjallë, kishte kaluar kohë të gjatë në burgje e internim. Papa Françesku, Papa i të varfërve, vjen në një Shqipëri tjetër.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama