SHBA ratifikon hyrjen e Shqiperise ne NATO

SHBA ratifikon hyrjen e Shqipërisë në NATO

Lajmi i ratifikimit të protokollit bëhet e ditur nga faqja zyrtare e senatit amerikan, ndërkohë që ambasada amerikane në Tiranë, thekson në një deklaratë për shtyp se "ky akt i Senatit ka domethënie të jashtëzakonshme. Ai përfaqëson jo vetëm një votë besimi në një prej partnerëve më të palëkundur të Amerikës, por edhe një njohje të sinqertë të vendosmërisë së qeverisë, opozitës dhe, mbi të gjitha, popullit shqiptar, për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm". Sipas ambasadës amerikane Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash, por janë ende shumë reforma për t\'u përfunduar. "Kombi shqiptar ndërmori një program madhor reformash për ta përmbushur këtë synim. Megjithatë, shumë reforma mbeten për t\'u përfunduar dhe filluar. Ne, populli amerikan, presim me kënaqësi të punojmë me shqiptarët për të përfunduar, siç e ka thënë Presidenti Linkoln, \'një detyrë të filluar kaq fisnikërisht\'. Përkushtimi amerikan ndaj Shqipërisë, demonstruar aq qartë në votën e djeshme, mbetet i fortë dhe shikon nga e ardhmja", vijon më tej deklarata e ambasadës amerikane.

Diplomacia shqiptare ka shfrytëzuar takimet e fundit gjatë zhvillimit të punimeve të asamblesë së përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për t\'i kërkuar vendeve anëtare të NATO-s ratifikimin e protokollit të anëtarësimit. Presidenti Topi dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha kanë zhvilluar takime me homologët e tyre gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku theks të veçantë i kanë vënë pikërisht ratifikimit të protokollit të anëtarësimit. Kreu i diplomacisë shqiptare u ka kërkuar homologëve të tij në një drekë të shtruar nga sekretarja amerikane e shtetit, që të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, ambasada gjermane në Tiranë bën të ditur në një njoftim për shtyp, se në 24 shtator Qeveria Federale Gjermane vendosi hartimin e një ligji për marrëveshje në lidhje me protokollet e 9 korrikut 2008, të marrëveshjes së Atlantikut të Veriut mbi anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë. "Në këtë mënyrë hapet procedura për përgatitjen e ratifikimit të protokolleve nga Parlamenti. Me këtë vendim Qeveria Federale jep sinjalin e një mbështetjeje të angazhuar në anëtarësimin formal të këtyre dy shteteve në NATO. Qeveria Federale është e bindur se anëtarësimi i dy shteteve në NATO do të japë kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë", thuhet më tej në deklaratën e ambasadës gjermane. Pas tre vendeve që e kanë ratifikuar protokollin, janë edhe 23 vende të tjera, të cilat pritet ta ratifikojnë deri para prillit të ardhshëm, kur do të mbahet samiti i NATO-s. Shqipëria do ta ratifikojë e fundit dokumentin, ndërkohë që pas këtij procesi Protokolli i Anëtarësimit do të dërgohet në Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili është edhe depozituesi i këtij dokumenti për Aleancën.

Berisha: SHBA votoi në kohë rekord dokumentin

Kryeministri Sali Berisha, përshëndeti dje ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga senati amerikan. Fillimisht kreu i qeverisë shprehu falënderimin nga një vizitë në fshatin Bërdicë të Shkodrës, ku zbuloi se lajmin ia kishte transmetuar ambasadori Uidhers dhe më pas me një konferencë të posaçme për shtyp në kryeministri. "Votimi i djeshëm në Senatin e SHBA është një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe për kombin tonë, kjo sepse anëtarësimi në NATO është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe se Presidenti Bush, qeveria e tij, senati i Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e tyre të fuqishme, bënë që Protokolli i Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë të votohet dhe ratifikohet nga vendi i tyre, lider i NATO-s, me një shpejtësi rekord", theksoi kreu i qeverisë.


Pergatitur nga Gazetaria : Dhurata Milori

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama