Fan Noli ne historine shqiptare

Fan Noli në historinë shqiptare

Fan Noli shkroi drama, botoi artikuj në gazetën “Drita”, përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”. Ai shkoi në SHBA ku luajti rol në bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”. Në këto vite Noli krijoi vargjet e para dhe nisi edhe shqipërimet. Megjithëse jetoi larg Shqipërisë ai dha shumë për të. Rolin kryesor Noli e luajti në pozicionin e tij si prift. Ai e mori këtë detyrë në moshën 27 vjeçare. Si prift ortodoks për herë të parë ai mbajti liturgji në gjuhën shqipe në sallën “Knights of Honor” në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Në vitin 1913 Fan Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në këtë vend në prani të princit Vilhelm Vid.

Noli si politikan
Noli erdhi në Shqipëri në vitet 1913 dhe 1920. Ai u bë figurë udhëheqëse në luftën për vendosjen e rendit demokratik. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit më 17 qershor 1924 Fan Noli u vu në krye të qeverisë së Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve, ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua të përballonte problemet politike dhe ekonomike të shtetit të ri shqiptar, të cilat ishin mjaft të rënduara. “Por programi i tij për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, doli se qe tepër i nxituar në një vend pa tradita parlamentare”, mendojnë edhe sot një pjesë e historianëve. Me rrëzimin e qeverisë së tij Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria. Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme dhe të jashtme i shtjelloi në shkrime dhe fjalime të viteve 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar.

Veprimtaria kulturore dhe atdhetare
Fan Noli është një nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare. Me veprimtarinë e shumëanshme ai dha ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare. Një pjesë të mirë të forcave të tij ai ua kushtoi gazetarisë dhe publicistikës, duke drejtuar me ndërprerje gazetën “Dielli”, themeloi dhe drejtoi gazetën “Republika”. Ai është një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare, lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike. Noli shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri dhe tokë, për drejtësi dhe përparim.
Fan Noli i kushtoi vëmëndje të posaçme edhe studimeve historike. Në këtë fushë interesat e tij u përqëndruan rreth jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Njeri me interesa të gjera krijuese ai u mor edhe me muzikologji; monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni francez” në gjuhën angleze, u çmuan lart nga specialistë dhe personalitete të shquara. Fan Noli la përkthime mjeshtërore të disa veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botëror, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi etj. Ai vdiq në Florida në mars të vitit 1965 në moshën 83 vjeçare.

Marre nga : BalkanWeb.com


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama