Shqiperia Kroacia sigurojne ftesen per ne NATO Maqedonia mbetet jashte

Shqipëria, Kroacia sigurojnë ftesën për në NATO, Maqedonia mbetet jashtë
Tashmë ka mbetur vetëm zyrtarizimi, por 26 vendet anëtare të NATO-s e kanë marrë vendimin e tyre: Shqipëria dhe Kroacia do të ftohen të enjten paradite të bashkohen rreth tryezës së rrumbullakët  të Aleancës. Mosmarrëveshjet me Greqinë për çështjen e emrit e kanë ndëshkuar rëndë Maqedoninë, e cila mbeti jashtë. Deri në fund, shpresat ishin tek një trysni e Shteteve të Bashkuara ndaj Athinës të hiqte dorë nga pengesa e madhe që i kishte vënë Shkupit. Greqia nuk kishte pranuar as propozimin që, deri në zgjidhjen e problemit, Maqedonia të njihej dhe nga NATO-ja me emërtimin “FYROM” si dhe as propozimet e ofruara nga ndërmjetësi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Methju Nimetz. Edhe darka e mbrëmshme e punës nuk solli asnjë ndryshim.       

 

"Greqia ishte shprehur se për momentin nuk ekzistojnë kushtet që ajo të jepte konsensusin për të ftuar Maqedoninë”, deklaroi pas darkës së punës, Ministri i Jashtëm i Spanjës, Migel Moratinos.

Ky qëndrim i Athinës ishte i pritshëm përsa kohë që për këtë problem ishin angazhuar publiksht autoritetet më të larta shtetërore greke. Pak para darkës së punës, si për të konfirmuar se nuk do të tërhiqeshin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë dhe pak më vonë vetëm Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, e thanë qartë se “nuk kishte me hapësira kohore për një propozim të ri për çështjen e emrit”. Megjithatë ëndrra e Maqedonisë nuk është këputur në mes. Ftesa për të do të konsiderohet e mirëqenë dhe ajo do të aktivizohet e do të hyjë në fuqi menjëherë sapo Shkupi dhe Athina të gjejnë një zgjidhje për emrin.

“Në këtë situatë ftesa do të bëhet vetëm për Shqipërinë dhe Kroacinë’’, deklaroi ministri i Jashtëm spanjoll, Moratinos.

Mbetja jashtë e Maqedonisë shihet megjthatë me shqetësim nga Shqipëria. Një një intervistë dhënë për agjencinë Rojters, para vendimit të mbrëmshëm, kryeministri Sali Berisha ishte shprehur se refuzimi i ftesës për Shkupin mund të nxisë lëvizjet radikale në Maqedoni.

 “Stabiliteti i fqinjit tonë është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, Kosovën, Greqinë dhe të gjithë rajonin”, u shpreh kryeministri Berisha.

Përpara se të hyjnë në sesionin e sotëm, ku do të zyrtarizohet ftesa për anëtarsim, Shqipëria dhe Kroacia janë thirrur në një takim në formatin e A3, të kërkuar nga Maqedonia. Nuk dihet se çfarë do të kërkojë Shkupi nga dy vendet me të cilat ka ndarë shpresën për t’u bërë anëtare e NATO-s.

Por, çështja e Maqedonisë nuk ishte e vetmja e papritur e këtij takimi të niveit të lartë. Aleanca nuk do të dalë as me një vendim për të përfshirë në Planin e Veprimit për Anëtarësim Gjeorgjinë dhe Ukrainën, kërkuar me forcë kjo nga Shtetet e Bashkuara dhe e refuzuar, jo vetëm nga Moska, por dhe nga vendet më me peshë në Evropë.


Pergatitur nga Gazetaria : Dhurata Milori

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama