Kosova ne feste 6 vjet shtet. Nishani uron homologen Jahjaga

Kosova ne feste, 6 vjet shtet. Nishani uron homologen Jahjaga

Kosova feston sot 6 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Homazhe tek të rënët për liri dhe pavarësinë e vendit, sikurse edhe aktivitete të tjera janë parashikuar për ditën e 17 shkurtit.

Agjenda shtetërore nis me homazhet para varrit të presidentit Rugova, në orën 9:00. Një orë më pas, në orën 10:00 do të bëhen homazhe para varrezave të komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka parashikuar të zhvillojë mbledhjen solemne në orën 11:00. Në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet Manifestim Qendror, me pjesëmarrje të njësiteve të FSK-së, Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues dhe bëhet parakalimi i efektivave të tyre

Në orën 12:45, në organizim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi organizohet pritje solemne në Hotelin Grand. Në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet koncert për fëmijë. Ndërsa në mbrëmje, në orën 20:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet koncert me këngëtarët më eminentë të vendit. Në orën 22:30, pas përfundimit të koncertit bëhet ndezja e fishekzjarrëve.

Ndërkohë në komunat e Republikës së Kosovës, janë paralajmëruar homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës, si dhe seanca solemne në Kuvendet e Komunave. Në mbrëmje organizohen koncerte në sheshet e qyteteve, dhe në përfundim bëhet ndezja e fishekzjarrëve.

Deri më tani Kosova është njohur nga 106 shtete.

Thaçi në FB: Falënderoj secilin nga ju për sakrificat që keni bërë për lirinë e vendit tonë

Të dashur qytetarë të Kosovës kudo që jeni. Nga thellësia e shpirtit tim iu uroj Ditën e Pavarësise dhe iu falënderoj secilin nga ju për sakrificat që keni bërë për lirinë e vendit tonë.
Urime shumë dhe Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Nishani uron Jahjagën: Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, t’i shndërrojmë në model rajonal

Presidenti Bujar Nishani uron Presidenten Atifete Jahjaga me rastin e Festës së Pavarësisë së Kosovës. Përmes një mesazhi urimi, Nishani shpreh angazhimin e Shqipërisë në intensifikimin e vazhdueshëm të partneritetit strategjik të marrëdhënieve me Kosovën, për t’i shndërruar ato në model rajonal, në të mirë të zhvillimit të dy vendeve tona, përmbushjes së aspiratave të përbashkëta eurointegruese, si edhe në ndihmë të kohezionit mbarëshqiptar.

“Kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht Ditën e Pavarësisë, Juve dhe gjithë popullit të Kosovës!Më lejoni t’ju ripohoj, Zonja Presidente, angazhimin tim e të vendit tim, në intensifikimin e vazhdueshëm të partneritetit strategjik të marrëdhënieve që karakterizon Shqipërinë dhe Kosovën, për t’i shndërruar ato në model rajonal, në të mirë të zhvillimit të dy vendeve tona, përmbushjes së aspiratave të përbashkëta eurointegruese, si edhe në ndihmë të kohezionit mbarëshqiptar.

Republika e Shqipërisë i gëzohet arritjeve të mëdha shtetkonsoliduese, angazhimeve rajonale dhe evropiane që Kosova ka përmbushur përgjatë këtyre gjashtë viteve modeste, si edhe garanton mbështetjen e vazhdueshme në vazhdimësinë e mëtejshme të përballjes së këtyre sfidave.

Duke ju shprehur konsideratën time më të lartë, si edhe dëshirën për t`Ju mikpritur së afërmi në Tiranë, ju lutem pranoni edhe njëherë, e nderuar Zonja Presidente, urimet e mia më të ngrohta e të sinqerta për këtë festë të shënuar mbarëshqiptare!” shkruan Nishani.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama