Sa i cmendur viti 2007!

Sa i çmendur viti 2007!

Në 2007-ën, "moti do të çmendet", mund të thoshim dikur me të qeshur, por tani, askush nuk ka ndërmend të buzëqeshë dhe të bëjë shaka kur flitet për çështjen e klimës. Ideja se ngrohja globale do të ndryshojë tërësisht panoramën klimatike me të cilën jemi mësuar dhe bashkë më të, edhe mënyrën tonë të jetesës, po bëhet një ankth, i cili po ushqehet çdo ditë nga provat që natyra dhe moti i "çmendur" po na jep. E në fakt, çdo vit po sjell me vete edhe rekorde të reja për sa i përket përmbytjeje, shirave të dendur, stuhive dhe valëve të të nxehtit, dukuri që gjithmonë e më shumë, po shoqërohen edhe me një numër të madh viktimash. Në të vërtetë, ajo që po ndryshon dhe që na shqetëson të gjithëve është shpeshtësia dhe shpërndarja e tyre gjeografike. Pikërisht, ato zona që në shkollë i kemi mësuar se karakterizohen nga klima e butë, tashmë, gjithmonë e më shumë, po preken nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet, ndërsa valët e të nxehtit po bëhen më të gjata dhe ditët tmerrësisht të nxehta, po shtohen gjithnjë e më shumë.

Ky vit nuk ka pasur ndonjë verë të nxehtë, po ta krahasosh me atë të 2003-it, por në të vërtetë është më keq se atëherë. Kështu, sapo kemi kaluar vetëm mesin e vitit, por "World Meteorogical Organization", organizata e OKB-së, e cila merret me çështjet e klimës ka treguar se viti 2007, shënoi një numër të madh rekordesh për sa i përket çështjeve të klimës, që nga bora në Buenos Aires, e deri tek 33 gradë celsiusët në Moskë, më 28 maj. Në fakt, kurrë më parë në një vit nuk ishte shënuar një numër kaq i madh episodesh klimaterike jashtë çdo norme, ose ndryshe "ekstreme" siç e përcaktojnë specialistët. Të gjithë së bashku formojnë një skenar sa anormal, aq edhe të jashtëzakonshëm e të çuditshëm. I çuditshëm, sepse tregon se në Tokë ka ndryshuar çdo ekuilibër, duke pritur gjithmonë e më shumë episode të jashtëzakonshme dhe të pa parashikuara. Pikërisht, ato që tregojnë se ajo çka po ndodh sot, është rezultat i padiskutueshëm i efektit serrë dhe të ngrohjes globale. Le ta nisim nga temperaturat. Tashmë e dimë se nga 12 vitet më të nxehta të regjistruara deri më tani që nga viti 1880, 11 prej tyre i takojnë periudhës 1995-2006. Por, në të vërtetë, viti 2007 rrezikon t‘i kalojë të gjithë. Që kur kanë nisur të maten temperaturat në shkallë botërore, domethënë nga viti 1880 nuk ka pasur kurrë një janar kaq të nxehtë, si ai i këtij viti, me 1.89 gradë më shumë se mesatarja e viteve të mëparshëm. Në fakt kjo gjë ndodhi në rang botëror. Në Holandë, temperatura rezultoi të ishte 2.8 gradë më e lartë se mesatarja historike, ndërsa në Gjermani 4.6 gradë. Palltoja këtë dimër ishte e destinuar të rrinte në dollap, përveç dy-tri ditëve, ndërsa në prill, mjaftonte një xhaketë e hollë për t‘u ndjerë rehat. Këtë muaj, temperatura e regjistruar në të gjithë botën ka qenë 1.37 gradë mbi mesataren, ndërsa në Evropë 4 gradë. Por, temperaturat e këndshme të prillit u shndërruan menjëherë në një vapë të tmerrshme. Në maj, vala e parë e të nxehtit përfshiu Rusinë, ndërsa termometri shënoi 32.9 gradë. Kjo ishte edhe temperatura më e lartë që prej vitit 1891 e shënuar në një muaj të tillë dhe në një vend të tillë.

Në të njëjtën kohë, në Indi, termometri shënonte 45-50 gradë. Një valë e dytë dhe e tretë të nxehti goditën Evropën Jugperëndimore, në qershor dhe korrik me temperatura që i kaluan 40 gradët, ndërsa rekordi u shënua në Bullgari më 23 korrik, me 45 gradë. Ndërkaq, edhe në pjesën tjetër të botës regjistroheshin temperatura rekord, si ai i dimrit më të ftohtë në histori. Temperatura, -20 gradë celsius u regjistruan në Argjentinë dhe në Kili, pa harruar këtu borën e çuditshme pas plot 82 vitesh në Buenos Aires. E njëjta gjë ndodhi edhe në Johanesburg, në anën tjetër të Atlantikut, në Afrikën Jugore, për herë të parë, qysh prej 1981-shit. Edhe pse në përshtypje të parë, një njeri normal nuk do të thoshte kështu, më shumë vapë do të thotë më shumë shi. Me të nxehtin shtohet kondensimi dhe për pasojë edhe reshjet. Rritja e temperaturave, në Hemisferën e Veriut u pasua nga një rekord përmbytjesh. Në mes të janarit, Evropa Veriore u përfshi nga stuhi gjigande me erëra që arritën shpejtësinë deri në 170 kilometra në orë, e dhjetëra të viktima.

Në mesin e majit dhe qershorit, Anglia "shijoi" pranverën më të lagësht që prej vitit 1776. Në dy rastet e regjistruara, më 24 qershor dhe më 20 korrik ra më shumë se një metër shi brenda 24 orëve, duke përmbytur fshatra dhe qytete të tëra. Edhe në Gjermani, maji shënoi rekordin e reshjeve, ndërsa një rrebesh me përmasa të papara ndonjëherë, përmbyti Kinën Jugore në qershor. Edhe uragani nuk mbeti pas dhe regjistroi përmbytjen e tij në maj. E nëse flasim për çudira dhe ekstreme mbi klimën, duket se këtë vit nuk kanë të sosur. Edhe uraganet po bëhen gjithmonë e më të pranishëm në zona dhe vende që nuk ishin parë e dëgjuar kurrë më parë. Mesdheu nuk ishte prekur kurrë nga fenomene të frikshëm si uragani Katrina, që në vitin 2005 shkatërroi plotësisht Nju-Orlinsin. Megjithatë, meteorologët po fillojnë të mendojnë se efekti serë mund të krijojë në Mesdhe kushtet për formacione të frikshme ciklonesh tropikale. Madje kanë arritur t‘u vendosin edhe një emër: "medicanes" ose ndryshe uragane të Mesdheut. Ndërkaq, në fillim të qershorit, Gjiri Persik u godit nga cikloni i parë që nga historia e krijimit të tij (e quajtën Gonu), ndërsa shirat në Sudan, bën që Nili të dilte nga shtrati. Por kronika e këtyre ditëve i referohet forcës shkatërruese të monsonëve të Azisë Jugore, ku meteorologët e vënë theksin tek një tjetër rekord. U regjistruan 4 valë monsonesh kundrejt dy që duhej të ishin normalisht. Lind pyetja, a është ky buletini i një viti të jashtëzakonshëm? Për fat të keq jo. Rekordet klimatike që po jetojmë në vitin 2007 ka shumë mundësi që të thyhen shumë shpejt. Shkencëtarët e OKB-së parashikojnë që ekstremet meteorologjike, si valët e të nxehtit dhe shirat e rrëmbyeshëm do të bëhen gjithmonë e më të shpeshta. Ndërkaq, shkencëtarët janë gjithmonë e më të bindur se këto ekstreme meteorologjike janë për shkak të efektit serë dhe në një pjesë të madhe, edhe veprimtarisë njerëzore. Kështu, në numrin e fundit të revistës "Nature", në një artikull tregohet se në këto dhjetëvjeçarë, Hemisfera e Veriut është bërë më e lagësht, ashtu si zonat në jug të Ekuadorit.

Në të njëjtën kohë, në jug të Ekuadorit, klima është bërë më e thatë me pasoja dramatike për shkretimin e zonave si ajo e Sahelit në Afrikë. Autorët e artikullit thonë se modelet matematike nuk i justifikojnë këto ndryshime kaq të mëdha ndaj ia atribuojnë ato në një shkallë të gjerë veprimtarisë njerëzore. Me pak fjalë, herën tjetër kur termometri të shënojë 40 gradë celsius, atëherë do të dimë se kujt duhet t‘ia nxjerrim inatin. Kjo pritet që të ndodhë shpejt. Një tjetër studim në "Journal of Geophysical Research", paralajmëron se Evropa duhet të përgatitet për vera gjithmonë e më të nxehta. Në vitin 1880, ditët e verës, në të cilat temperatura ishte më e lartë se 95 për qind e ditëve të tjera, mes qershorit dhe gushtit) ishin 2.8 për qind të totalit. Por tani, më shumë se 7 për qind, domethënë thuajse tri herë më shumë se në vitin 1880. Po ashtu, edhe valët e të nxehtit janë më të gjata. Në vitin 1880 zgjatnin një ditë e gjysmë, ndërsa tani zgjasin dyfishi, pra tri ditë. Në fund të shekullit, në Evropën Perëndimore dhe atë Qendrore, valët e të nxehtit mund të jenë të padurueshme dhe mund të zgjasin deri në dhjetë ditë.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama