Në shekullin e pesëmbëdhjetë, Çekia u gjend në periferi të frontit Europë-Perandori Osmane. Pastaj, në shekullin e 19, disa studiues filluan të forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve të vogla. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Çekisë i kanë fillimet e tyre që në shekullin e 15. Motivi kryesor ka qenë interesi i përbashkët i vendeve, pra i Shqipërisë dhe i Çekisë për përballimin e ekspansionit osman në Ballkan dhe në Europën Qendrore.
Njohjet më të afërta për historinë, gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve në territoret çeke, filluan të bëhen intensive në gjysmën e dytë të shekullit të 19. Një kontribut të shquar në këtë drejtim kanë dhënë disa studiues çekë, publicistë e punonjës kulture. Në sqarimin e disa problemeve nga historia e Shqipërisë, kontribut ka dhënë Kostandin Jiracel (1854-1918), një ndër bashkautorët e historisë së Ballkanit, punimet e të cilit kanë qenë përqendruar kryesisht në zhvillimin e atëhershëm të disa qyteteve si Shkodra, Durrësi e Vlora.
Filologu i njohur, Jan Urban Jarnik (1843-1923), ka publikuar një seri studimesh mbi gjuhën shqipe, Lajpcig 1881, kontribute në njohjen e dialekteve shqiptare. Në vitet që pasuan, gazetarë, publicistë e studiues çekë kanë publikuar punimet e tyre në revistat e kohës. Për t’u përmendur është kontributi i arkitektit çek Karel Parik (1857-1942), i cili ka ndihmuar në rikonstruktimin e katedrales katolike në Shkodër në vitet 1897-1898, si dhe shkrimtari Josef Vinar (1875-1963), i cili në vitin 1911 ka botuar në Pragë, të përkthyer në gjuhën çeke, përmbledhjen me poezi “Këngët popullore shqiptare”.
Për një njohje më të besueshme të Shqipërisë e shqiptarëve në Çeki, kanë kontribuuar edhe shumë e shumë çekë, të cilët, gjatë Luftës së Parë Botërore kanë qenë në Shqipëri në përbërje të ushtrisë austro-hungareze. Çekët në Shqipërinë e atëhershme njohën më nga afër, siç shprehen historianët çekë, kombin shqiptar, njohën ndjenjën për liri, shpirtin luftarak , atdhedashurinë, krenarinë dhe respektin për të huajt. I njohur për publikimet e tij në këtë periudhë ka qenë Stanislav Kostka Neuman (1875-1947).
Mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, marrëdhëniet shqiptaro-çeke ndryshuan. Zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë e Çekosllovakisë u vendosën në muajin korrik të 1922-shit. Zyra e përfaqësisë çekosllovake është në Tiranë që nga muaji prill i vitit 1925, fillimisht si zyrë konsullore dhe nga muaji maj i vitit 1929 në nivel ambasadorësh.
Marrëdhëniet reciproke midis Shqipërisë dhe Çekosllovakisë, në periudhën ndërmjet dy luftërave, janë zhvilluar kryesisht në aspektin tregtar. Në gjysmën e dytë të viteve ‘20 e gjatë viteve ‘30, Çekosllovakia, nga volumi i eksportit të mallrave në Shqipëri, ka qenë shteti i dytë pas Italisë.
Një nga propaganduesit e marrëdhënieve shqiptaro-çekosllovake në periudhën midis dy luftërave ka qenë përfaqësuesi diplomatik në Tiranë, Josef M. Kadlec, i cili ka botuar një seri punimesh mbi historinë moderne shqiptare dhe mbi realitetin shqiptar.
Pas Luftës së Dytë Botërore, pas një ndërprerjeje 1939-1945, marrëdhëniet shqiptaro-çekosllovake njohën përsëri zhvillim. Më 16 nëntor 1945, Shqipëria u njoh nga Çekosllovakia, marrëdhëniet diplomatike u riaktivizuan dhe në vitin 1949 u hapën zyrat respektive të përfaqësimit diplomatik ndërmjet dy vendeve.
Në këtë kohë, Shqipëria pati mbështetje e ndihmë të gjithanshme politike, ekonomike, teknike, shëndetësore, kulturore e arsimore. Në shkollat e larta të Çekosllovakisë, në atë periudhë, kanë studiuar një numër i konsiderueshëm studentësh nga vendi ynë e kryesisht në fushat e teknikës, kimisë, mjekësisë, artit etj.
Shqipëria është popullarizuar në Çekosllovaki me botime e reportazhe. Në vitet 1950 filloi të mësohej gjuha shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetin Karl në Pragë, sektor të cilin e themeloi dhe e drejtoi prof. Dhimitër Pilika.
Me gjuhën shqipe janë marrë edhe studiues çekë, si Vladimir Buben e Vaclav Polak, e në mënyrë intensive gjuhës shqipe i është përkushtuar kryesisht Hana Tomkova.
Në prezantimin e kulturës, letërsisë e muzikës çekosllovake në Shqipëri, shqiptarët janë njohur veç të tjerash nëpërmjet romanit “Ushtari i mirë Shvejk” i shkrimtarit Jaroslav Hashek, i sjellë në versionin shqip nga përkthyesi e kineasti i shquar Gëzim Erebara (1929-2007), absolvent i akademisë së muzikës e arteve në Pragë. Muzika çekosllovake, kryesisht pjesë të kompozitorëve Bedrzhih Smetana, Antonin Dvorzhak, Leosh Janacek etj., janë sjellë në Shqipëri nga dirigjenti Mustafa Krantja (1921-2002).
Pas vitit 1961, si rezultat i prishjes së marrëdhënieve me ish-kampin socialist, marrëdhëniet shqiptaro-çekosllovake patën rënie. Marrëdhëniet diplomatike u ulën në nivelin e të ngarkuarit me punë. Përjashtim në këtë periudhë patën marrëdhëniet tregtare, të cilat vazhduan të funksiononin normalisht. Pas rënies së komunizmit në të dyja vendet, u krijuan kushtet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dypalëshe dhe intensifikimin e mëtejshëm të tyre.
Vizitat reciproke të përfaqësuesve të lartë të politikës e të shtetit shqiptar e atij çek, kanë kontribuuar e kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Pas një ndërprerjeje 30-vjeçare, duke filluar nga viti 1992, shkëmbimet arsimore e kulturore janë riaktivizuar dhe sot në universitetet dhe shkollat e larta të Republikës Çeke, me bursa ose pa bursa të atij shteti, kanë studiuar e studiojnë një numër i konsiderueshëm studentësh nga vendi ynë, që në vetvete, krahas të tjerash, kanë kontribuar e kontribuojnë në prezantimin reciprok të të dy popujve tanë. Rol pozitiv në këtë drejtim po luajnë dhe diplomatët çekë në vendin tonë, aktualisht ambasadorja zonja Bronislava Tomasova, si dhe konsulli Karel Smejkal.
Marrëdhëniet pozitive midis Shqipërisë e Çekisë, përpiqet që t’i zhvillojë e zgjerojë më tej edhe shoqata “Miqtë e Çekisë”, ku bëjnë pjesë ish-studentët e shkollave të larta të Çekisë e Sllovakisë.
Në njohjen e realitetit shqiptar në Çeki, numri i dashamirësve dhe propaganduesve të këtij realiteti është shtuar shumë, kryesisht pas vizitave që ata kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në vendin tonë. Ndër ta mund të përmendim juristin, historianin e publicistin dok. Milan Hulik, zonjën Hana Demeterova, agronomin e shquar ing. Jaroslav Hejatko, biznesmenin ing. Jiri Harvat etj.
Vitet e fundit, bashkëpunimi në fushën e tregtisë, pas një tkurrjeje që u vu re në vitet e para pas ndërrimit të sistemeve në të dyja vendet, ka njohur zhvillim dhe rritje të qëndrueshme e graduale, meritë kjo dhe e vizitave reciproke te biznesmenëve të të dyja vendeve në përbërje të delegacioneve të ndryshme qeveritare. Për vendin tonë, një interes gjithnjë e në rritje po shfaqin edhe agjencitë turistike, të cilat u ofrojnë turistëve çekë vizita në vendet antike, si në Apoloni, Butrint apo edhe vizita në Tiranë, Durrës, Berat, Gjirokastër, Krujë etj. Numri i turistëve nga Çekia, nga viti në vit ka ardhur në rritje. Në ndihmë të shtimit të kontakteve reciproke shqiptaro-çeke është dhe fjalori “shqip-çekisht e çekisht-shqip”, përgatitur nga Hana Tomkova e Virgjil Monari, si fjalori më i plotë i botuar deri më sot në Çeki nga shtëpia botuese “Leda”.