SHBA nje vrasje cdo 30 minuta

SHBA, një vrasje çdo 30 minuta

Gjatë vitit 2006 janë numëruar më shumë se 1,4 milionë episode vrasjesh, vjedhjesh, agresionesh e rrëmbime me dhunë të shkaktuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mesatarisht një rast i tillë në çdo 22 sekonda, ose 473,5 raste për çdo 100 mijë banorë. Gjatë vitit 2005, shtimi i kriminalitetit kishte shënuar shifrën 1,8%, që do të thotë rreth 15 mijë episode më shumë se gjatë vitit paraardhës, kur denoncimet qenë gjithsej rreth 1 milion e 360 mijë. Klasifikimi dominohet nga agresionet, të cilët mbulojnë 60,7% të rasteve, të ndjekura nga vjedhjet me 31,6% dhe nga vjedhjet me dhunë 6,5%. Klasifikimin e mbyllin vrasjet, të cilat në vitin 2006 përbënin 1,2% të rasteve të denoncuara.

"Në nivel kombëtar kanë qenë 1,417,745 krimet e dhunshme të regjistruara nga policia përgjatë vitit 2006", shpjegon Federal Bureau of Investigation në versionin përfundimtar të raportit vjetor mbi "Krimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës". Numri total i viktimave ka qenë i barabartë me popullsinë e Estonisë ose të Gabonit. Çështjet e zgjidhura dhe të arkivuara nga ana e forcave të rendit përbëjnë më pak se gjysmën e shifrës së përgjithshme, ose vetëm 44,3% të totalit.

Shtimi më i dukshëm vërehet në rastin e vjedhjeve dhe të rrëmbimeve, të rritura gjatë vitit 2006 me shifrën 7,2%, duke shkaktuar në total rreth 450 mijë viktima. 44,5% e këtyre episodeve janë zhvilluar nëpër rrugë ose nëpër autostrada, ndërsa dëmi monetar i shkaktuar nga këto krime llogaritet të jetë në tërësi 567 milionë dollarë. Mesatarisht çdo "goditje" u ka sjellë autorëve një fitim prej 1,268 dollarësh. Bankat janë shënjestra më e shijshme e këtyre keqbërësve, me një mesatare prej 4,330 dollarësh të fituara pas çdo vjedhjeje të suksesshme.

Rastet e vrasjeve të regjistruara janë gjithsej 17,034 , 1,8% më shumë se gjatë një viti më parë dhe përbëjnë 1,2% të totalit të krimeve të dhunshme të kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 90,6% të rasteve janë regjistruar në zonat metropolitane, ndërsa mesatarja në nivel kombëtar është 5,7, çdo 100 mijë banorë. Vjedhjet me rrethana të rënduara janë zvogëluar me 2%, duke qenë se u regjistruan 92,455 të tilla gjatë gjithë vitit. Ndërkaq, agresionet janë ulur me 0,2% në 860,853 raste; në këtë zë të fundit, në 21,9% të rasteve është përdorur arma e zjarrit, 2,8% më shumë se gjatë vitit 2005.

Është pikërisht shtimi i përdorimit të armëve të zjarrit, e vërejtur thuajse në të gjitha rastet e krimeve të dhunshme, ajo që shqetëson në mënyrë të veçantë autoritetet dhe qytetarët amerikanë në përgjithësi. Debati i nxehtë mbi shitjen e lirë të armëve të zjarrit, i cili nuk ka reshtur për asnjë çast gjatë viteve të fundit, duket se do të kthehet edhe një herë më i nxehtë jetës publike amerikane. Gjatë vitit 2006 njerëzit e armatosur kanë qenë autorë të 67,9% të vrasjeve, 42,2% të vjedhjeve dhe 21,9% të agresioneve.

Mjaft i ulët është numri i rasteve të arkivuara nga policia, kur vjen fjala te dhunimi i pronës: janë zbardhur mesatarisht vetëm 17,4% e rasteve të denoncuara. Numri total i të arrestuarve ka qenë 14,380,370, mes të cilëve 611,523 janë ndaluar për krime të dhunshme. Vërehet rritje e ndalimit të personave me moshë nën 18 vjeç. Këta të fundit janë 3,4% më të pranishëm në rastet e vrasjeve dhe 18,9% në rastet e tjera.

Janë banorët e metropoleve të mëdha më të priturit për t‘u kthyer në kriminelë të dhunshëm, me mundësi dy herë e gjysmë më të mëdha nga banorët e qendrave më të vogla. Sipas FBI-së, në zonat metropolitane rastet kanë qenë 514 çdo 100 mijë banorë, kundrejt 199 banorëve të zonave rurale.

Është Jugu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo që është vlerësuar me titullin e trishtë të "zonës më të dhunshme", me 547,5 raste për çdo 100 mijë banorë, kundrejt 473,5 të Lindjes, 419,1 të Perëndimit dhe 391,9 të Verilindjes. Në ndarjen për shtete, Distrikti i Kolumbisë, pra kryeqyteti, është zona ku këto lloj krimesh janë kryer më shpesh, me 1,508,4 raste për çdo 100 mijë banorë, e ndjekur nga Karolina e Jugut me 765,5 raste, Nevada 741, Florida 712 dhe Luiziana me 698 raste. Në fund të klasifikimit gjenden Juta, Havai dhe Nebraska, me diçka më pak se 200 raste për 100 mijë banorë secila, ndërkohë që në vendet e fundit gjenden Dakota e Jugut dhe e Veriut, përkatësisht me 128 dhe 170 raste çdo 100 mijë banorë. Në kuadrin e këtyre shifrave të zymta bie në sy një shembull pozitiv: ai i Adamstaunit, qytezë me 1,300 banorë në Pensilvani, ku gjatë vitit 2006 nuk është denoncuar asnjë krim.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama