SHBA nen kercenimin e hakerave?

SHBA nen kercenimin e hakerave?

Vendimi i kompanisë "Sony Pictures" për të mos shfaqur komedinë “The Interview”, në të cilën trajtohet një komplot imagjinar për ta vrarë liderin e Koresë Veriore, Kim Jong-Un, ka shkaktuar shqetësim se vendet e tjera mund të iniciojnë sulme kibernetike lidhur me shprehjen e lirë. Kjo, me gjasë, është një pikë e fillimit të luftës ndërmjet të drejtës për shprehje të lirë dhe regjimeve diktatoriale që e shtypin atë.

Ky projekt filmik është komedia hollivudiane me aktorët James Franco dhe Seth Rogen. Por, vendimi i kompanisë Sony Pictures për ta ndalur shpërndarjen e filmit “The Interview”, që është një përshkrim imagjinar i komplotit për vrasjen e liderit të Koresë Jugore, Kim Jong-Un, ka shkaktuar stuhi të zjarrtë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe kritika nga presidenti amerikan, Barack Obama. “Do të dëshiroja që ata të kishin biseduar me mua, si fillim. Unë do t'u thoja: mos kriojni një model në të cilin ju jeni të keqtrajtuar nga këto lloje të sulmeve kriminale”, tha Barack Obama, gjatë një konference për shtyp në Uashington.

"Sony" e tërhoqi filmin, pasi kinematë kryesore në Shtetet e Bashkuara refuzuan ta shfaqin atë, pas kërcënimeve të stilit të 11 shtatorit të bëra nga hakerat. Agjencia amerikane FBI e ka akuzuar Qeverinë e Koresë Veriore për ndërhyrje në faqen e kompanisë "Sony" në Internet, muajin e kaluar. Këtë akuzë, misioni i Koresë Veriore në Kombet e Bashkuara e ka hedhur poshtë. Ky sulm rezultoi me paraqitjen e informacioneve në Internet për mesazhe personale ndërmjet aktorëve të njohur të Hollivudit dhe shefave të studios, pastaj numrat e sigurimit social të të punësuarve në "Sony" dhe të dhënat për rroga.

Por, përtej kësaj ndërhyrjerje të paligjshme në të dhënat private, kapitullimi nga ana e kompanisë "Sony" dhe e kinemave ndaj kërcënimeve, mund t’i inkurajoj qeveritë autoritare, që synojnë ta shkatërrojnë punën kreative, për të cilën ata konsiderojnë se është fyese, thonë kritikët. “Ne nuk mund të kemi shoqëri ku ndonjë diktator, në ndonjë vend, fillon të imponojë censurë këtu, në Shtetet e Bashkuara, pasi nëse dikush është në gjendje t’i keqtrajtojë njerëzit për shkak të paraqitjes së filmit satirik, imagjinoni se çfarë do të bënin ata nëse e shohin një dokumentar, i cili atyre nuk u pëlqen, ose raporte të lajmeve, që atyre nuk u pëlqejnë”, tha Obama. “Sony është korporatë, ka pësuar dëme domethënëse, ka pasur kërcënime kundër punëtorëve të vet. Unë i ndiej shqetësimet me të cilat ata janë ballafaquar. Duke i thënë të gjitha këto, unë mendoj se ata kanë gabuar”, tha Barack Obama.

Një grup i vetëquajtur “Rojtarët e paqes” kanë marrë përgjegjësinë për sulmin në Internet dhe kanë dërguar një e-mail te reporterët më 16 dhjetor, duke u kërcënuar: “Përkujtojeni 11 shtatorin 2001. Ne ju rekomandojmë që të qëndroni larg nga vendet në atë kohë”. Një ditë më vonë, kompania "Sony" shpalli se nuk do ta shfaqë filmin “The Interview”, pasi pesë kompani më të mëdha të shfaqjes së filmave në Shtetet e Bashkuara, deklaruan se nuk do ta shfaqnin filmin.

"Sony Pictures" tha se “ne jemi thellë të pikëlluar për këtë përpjekje të paturpshme për ta shkatërruar shpërndarjen e filmit, dhe në procesin e mosdëmtimit të kompanisë tonë, të punonjësve tanë, dhe të publikut amerikan kemi vendosur që ta tërheqim filmin". Ndërsa Presidenti Obama tha se administrata e tij nuk sheh “dëshmi të besueshme” për “kërcënime serioze ndaj sallave të kinemave”.

Pas kritikave të presidentit Obama për vendimin e kompanisë "Sony" për ta anuluar shfaqjen e filmit, shefi i kësaj kompanie, Michael Lynton, i ka hedhur poshtë pohimet se kompania u është nënshtruar hakerëve. “Ne nuk kemi salla për filma dhe ne nuk mund të përcaktojmë se një film do të shfaqet apo jo në sallat e kinemave”, tha ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama