Sipas numërimit tim, sot janë 17 presidente dhe kryeministre femra në botë. Gjashtëdhjetë e tre vende të botës tashmë kanë pasur të paktën një kryetare femër të qeverisë apo shtetit në gjysmëshekullin e kaluar.
Por, nuk është fakti i të qenit femër që është e rëndësishme, por më shumë stili femëror që lideret e sotme kanë sjellë në politikë. Gratë e fuqishme të viteve 1970 dhe 1980 - Indira Gandhi, Golda Meir, Margaret Thatcher - ishin gra "të hekurta", metaforikisht, të famshme se kishin më shumë guxim se politikani mashkull i zakonshëm. Nga ana tjetër, udhëheqëset femra të kohës sonë nuk janë vetëm femra; ato janë gjithashtu femërore.Shembulli më i qartë është Kancelarja gjermane Angela Merkel, stili politik i së cilës kombinon dhuntinë e të folurit qetë, aftësinë për të kryer shumë detyra njëherësh, tendencën për të ruajtur qetësinë e saj dhe inteligjencën emocionale.
Udhëheqësit evropianë dhe turq kaluan javën e kaluar mes grindjeve mbi një plan të hartuar nga Merkel për të kufizuar lëvizjen e emigrantëve, kryesisht myslimanë nëpërmjet Turqisë në Greqi drejt pjesës tjetër të Evropës. Ky është lloj i negociatave që ajo pëlqen më shumë. Raundi final, tha ajo të premten, nuk do të ishte "aspak i lehtë." Dikush mund të shihte pothuajse një buzëqeshje të hollë në fytyrën e saj teksa po shfaqej mundësia e një tjetër marrëveshje në orën tre të mëngjesit. Nëse ka ndonjë lider që preferon këto lloj betejash politike sy më sy, ajo është Mutti ("Mami") Merkel.
Por, tani pyesim veten se si Evropa përfundoi në këtë rrëmujë. Në televizionin gjerman, korrikun e kaluar, Merkel bëri të qaj një refugjat të ri palestinez duke shpjeguar se familja e tij mund të përballej me deportim. "Ka mijëra e mijëra njerëz në kampet e refugjatëve palestinezë," shpjegoi ajo. "Nëse ne tani themi se të gjithë mund të vijnë ... ne thjesht nuk mund të menaxhojmë atë situatë." Lotët e kryen rolin e tyre. Gjashtë javë më vonë, Merkel kishte hapur dyert e Gjermanisë duke deklaruar se "mund të menaxhojmë këtë situatë." Të gjitha llojet e shpjegimeve historike janë ofruar për ndryshimin epokal të qendrimit nga ana e saj, por për mua kjo ishte thelbi i politikës femërore. Përballë lotëve të Reem Sahwil-it, reagimi i kancelares ishte një përpjekje impulsive që ta ngushëllonte, e pasuar nga një ndyshim 180-gradësh i saj.
Po kështu, të gjitha llojet e shpjegimeve historike janë ofruar për ngjitjen e Donald Trump, por unë tani shoh një shpjegim akoma më të thjeshtë. Ai është thjesht flamurtari më i fundit i një revoltë mbarë botërore kundër politikës femërore. T'i lemë mënjanë për pak kohë termat si populizëm dhe fashizëm, kjo është politika e njeriut të shpellave - jo vetëm mashkull, por mashkullore në mënyrë agresive dhe të egër. Vladimir Putin është versioni rus. Narendra Modi është versioni indian. Xi Jinping është mashkulli macho i Kinës. Recep Tayyip Erdogan është i Turqisë. Ata flasin ashpër dhe kanë vështrime të egra. Ata kurrë nuk do të ngushëllonin një vajzë që qan.
"Ajo çka shihet te Donald Trump është se fakti se ai është dikush që i përgjigjet grushtit me grusht," shpjegoi Corey Lewandowski, menaxheri i fushatës Trump, të enjten. "Kur dikush përpiqet ta godas, ai i kundëpërgjigjet shumë herë më fort."
Kur Trump tha se Barack Obama "ja ngjeshi" Hillary Clinton-it në primaret e 2008, Clinton e akuzoi Trump për "prirje seksite." Trump ju kthye duke i kujtuar se i shoqi nuk kishte qenë modeli më i mirë për sjelljet ndaj femrave. Sipas Lewandowskit "ai e goditi 10 herë më fort."
Kjo mënyrë e të folurit pa doreza është thelbi i politikës anti-femërore. Në fillim të këtij muaj, dhuna retorike u kthye në dhunë fizike gjatë një serie mitingjesh të kandidatit Donald Trump. Është e paimagjinueshme që dikush të godasë me grusht gjatë një fjalimi të Merkel. As nuk mund ta imagjinoni Clintonin duke kërcënuar me "trazira" në qoftë se ajo nuk emërohet si kandidatja e Partisë Demokratike. Ajo dëshiron të "bëjë Amerikën të plotë sërish" - një slogan klasik femëror - dhe jo të hapë një vrimë në zemrën e shoqërisë amerikane.
Për tu vënë re është fakti , gjithashtu, se politika e shpellarve është duke hedhur poshtë jo vetëm udhëheqëset femra, por edhe udhëheqësit e butë, "femëror" të periudhës pas Luftës së Ftohtë; lider të rinj, të cilët frekuentojnë palestrën, pinë verë të kuqe dhe që përfaqësonin qendrime politike "metro-seksuale". Politika, si gjuha gjermane, ka gjinitë mashkullore, femërore dhe asnjanëse.
Ironia është se, në krahasim me politikanët meshkuj të një brezi më parë, politikanët macho të sotshëm nuk janë me të vërtetë dhe aq burrëror.
Vërtetë, Trump ka ndjekur një shkollë ushtarake, por vetëm pasi të gjitha opsionet e tjera arsimore i kishin dështuar. Por ai kurrë nuk ka qenë në terren luftimi. Në fakt, ai i ka shërbyer vendit të tij më pak sesa ushtari më i ulët. Në këtë kuptim, ka diçka thellësisht të rremë në lidhje me imazhin e tij mashkullor. Një njeri i cili ka nevojë t'i konfirmojë publikut madhësinë e organeve gjenitale të tij nuk është macho; ai është thjesht i pasigurt.
Lajmi i mirë është se një brez i ri i është futur rrugës së politikës: amerikanët që vërtet i kanë shërbyer vendit të tyre në Afganistan dhe Irak, një numër i theksuar i të cilëve tani janë duke i hyrë jetës publike, duke garuar dhe duke fituar zgjedhjet në kongreset e shteteve dhe atë kombëtar, siç është rasti i Senatorit të Arkansas-it Tom Cotton.
Lajm akoma edhe më i mirë është se disa prej tyre, si Joni Ernst nga Iowa, janë gra. Unë shpresoj se ato do të kthehen një ditë në "zonja të hekurta."