Rrefim dashurie ne Hotel Franca

Rrëfim dashurie në  Hotel Franca

Janë vetëm ata të dy dhe… publiku! "Rrëfimi" fillon me një pauzë, një heshtje prej dy minutash ndërsa në sallë njerëzit presin…

E tillë vjen shfaqja e Marguerite Duras me regji të Erjon Kames, mbrëmjen e së premtes në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. Një histori dashurie në "Hotel Franca” do të prek "realisht" dilemën e sa e sa çifteve, "në udhëkryq" me ndjenjat dhe "ngërçet" e tyre.

Një teatër dhome, që përpiqet të verë theksin në "brendësinë" e qënies njerëzore përmes asaj që mund të bëjë më mirë këtë: ndjenjës së dashurisë me gjithë intrigat, dobësinë apo mungesën.

Me protagonistë Yllka Mujon dhe Fatos Selën, (njëkohësisht të vetmit aktorë të shfaqjes), vepra e dramaturges franceze vjen e përkthyer nga Elja Zaharia (vajza e aktores Mujo) dhe ngjitet në skenë nën skenografinë e Soela Zanit.

Një vepër "për veten"

Kame vjen në këtë shfaqje pas "Dashnorit” të Harold Pinter, ndërkohë që takimi me këtë vepër nuk ka qenë i rastësishëm.

Një lloj "autobiografie" e vetë aktores Yllka Mujo, me përkthimin "dhuratë" nga e bija. Por që në fakt më shumë se sa ngjarjet që zhvillohen, çmon më shumë këtë lloj teatri "intim" dhe mënyrën se si ai komunikon me publikun. Që këtu aktorja Mujo i kërkoi regjisorit Kame të shihte pjesën dhe menjëherë u vendos….

"Ka qenë në ëndrrat e mia që ajo të vihej në skenë. Është një pjesë që kaloi peripeci të rëndomta, por që tashmë ka marrë dimensionin real”,- thotë aktorja. Pjesa realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Teatrit Kombëtar.

Në kërkim të lirisë…

Drama e shkruar në vitin '65 dhe e ripunuar në vitin '85 trajton raportet mes pasionit, dashurisë dhe lirisë në një marrëdhënie bashkëshortore. Mishel Nole është një burrë i udhëhequr nga pasioni. Bashkëshortja e tij Ane Mari Rochet është gjithashtu pasionante, por në këtë marrëdhënie ajo kërkon edhe lirinë e saj. Ai është karakteri i mashkullit që haset rëndon në shoqërinë tonë: në dukje i fortë, gjë që ia dikton morali. Por pas fasadës fshihet diçka tjetër! Kurse ajo është e brishtë, por njëkohësisht e mençur dhe me një forcë në vetvete që e shfaq në momente të caktuara. Një tip që sipas Kames haset rrallë në shoqërinë ku jetojmë, por që megjithatë ekziston.

Të ndarë që prej tre vjetësh, prej disa orësh ata njihen të tillë edhe ligjërisht. Në mbrëmje takohen në hollin e e hotelit ku kanë kaluar 'bohemën' e tyre.

Kjo është si "një shkundje" për të dy, teksa ballafaqohen me të vërtetën e madhe dhe pohimin e "dështimit" nga moskomunikimi. Deri në orët e para të mëngjesit ata arrijnë të bëjnë autopsinë e gjithë marrëdhënies së tyre, nga lidhja deri te ndarja. Shkojnë deri në qelizën më delikate të marrëdhënies për të kuptuar se dashuria e tyre është aq e madhe sa mbyti veten e saj. Sipas regjisorit Kame, realiteti ynë ofron raste të krimit brenda familjes për shkak të mungesës së komunikimit. "Sot kemi një shoqëri, ku marrëdhëniet bashkëshortore, ku autoriteti i mashkullit është si diktat. Janë përplasjet e mentaliteteve që çojnë në ngjarje tronditëse”, - shprehet Kame, duke vlerësuar se "stili i veprës është është si një muzikë dhome, larg tonaliteteve të larta çka e bën një teatër të ndjeshëm, intim e elitar". Ndaj ai beson se do të hyjë në skutat e publikut, në ato gjëra që nuk i thonë dot me zë të lartë…

B.Goce - Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama