Rivleresimi i prones hile per te perfituar nga taksa e re mbi pasurite?

Rivlerësimi i pronës: hile për të përfituar nga taksa e re mbi pasuritë?

Ministri Ahmetaj zbuloi, pak ditë më parë gjatë një diskutimi televiziv, skenarin e vërtetë të masave fiskale lidhur me rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Ai zbuloi, në veçanti, strategjinë e qeverisë për të justifikuar këtë politikë për rivlerësimin e vlerës së pasurive të patundshme, nën pronësi të personave fizikë apo juridikë, qofshin të regjistruara apo jo në hipotekë.

Me ardhjen e qeverisë Rama, Ministria e Financave ka nisur përgatitjen e një sistemi "tatimesh kadastrale"--të një taksë mbi pasurinë e patundshme--për t'i garantuar qeverisë të ardhura fiskale të sigurta, pavarësisht ecurisë ekonomike të vendit. Mbi të gjitha kjo është një taksë e thjeshtë për t'u mbledhur, sepse kushdo që nuk do të paguajë do t'i bllokohet lehtësisht kalimi i pasurisë, që do të thotë se ajo nuk mund të shitet pa shlyer të gjitha taksat e prapambetura.

Kjo taksë, me sa duket, do të zëvendësojë taksën që sot mblidhet nga bashkitë dhe që llogaritet mbi sipërfaqen e pronës, me nivele të ndryshme në varësi të vendndodhjes dhe të qëllimit të përdorimit të pronës. Që taksa e re të funksionojë siç duhet, sikurse në vendet e tjera perendimore, ajo duhet të ushtrohet si përqindje e vlerës së tregut të pasurisë dhe jo mbi sipërfaqen e saj.

Por llogaritja e vlerës së tregut të pasurive të patundshme është një ushtrim që në të gjithë botën ka krijuar shumë vështirësi--vlerësimi më i arsyeshëm i vlerës së tyre, pra, çmimi i fiksuar nga aktshitjet noteriale, është shpesh nën vlerën reale tëpasurisë me qëllim shmangien e taksave. Nga ana tjetër, ky lloj vlerësimi përmes çmimit të shitjes mund të mos reflektojë vlerën më të fundit të pronës pasi pasuritë e patundshme nuk shiten shpesh.

Aktualisht, nëse shitet një pasuri të patundshme paguhet një taksë prej 15 për qind mbi diferencën mes vlerës së pasurisë së shitjes dhe vlerës me të cilën është blerë (apo privatizuar) pasuria. Me aksionin që po ndërmerr qeveria u ofron individëve dhe bizneseve mundësinë t'i rivlerësojnë pronat e tyre dhe të paguajnë vetëm 2 për qind (individët) dhe 3 për qind (kompanitë e ndërtimit) të diferencës mes vlerës së rivlerësuar dhe vlerës së blerjes së mëparshme. Duke qënë se, mbasi të kalojë afati i këtij lëshimi për të njëjtin veprim do të paguhen 15 për qind, shumë individë apo biznese mund të kenë interes ta bëjnë këtë gjë.

Megjithatë, qëllimi i vërtetë i qeverisë dhe Ministrit Ahmetaj është përditësimi i vlerave të regjistruara në hipotekë të pasurive të patundshme për të aplikuar mbi këtë vlerë taksën e re mbi pasuritë e patundshme. Në veçanti, qeveria synon të vendosë vlera të rritura të rreth 600,000 pasurive të patundshme të legalizuara gjatë këtyre 3 viteve dhe ende të pa regjistruara në hipotekë, për të cilat nuk ka ende një çmim fillestar.

Sa për të dhënë një pikë reference, në vendet evropiane taksa mbi pasurinë e patundshme është mesatarisht rreth 2 për qind e vlerës së regjistruar në hipotekë. Për këtë arsye, interes për rivlerësimin e pasurive mund të kenë vetëm ata që kanë plan ta shesin atë në të ardhmen e afërt, dhe vlerësimi i mundësis që të paguajnë 2 përqind taksë në krahasim me 15 për qind nëse nuk e bëjnë tani rivlerësimin.

Ndërsa, ata që nuk kanë plane të shesin, kanë interes ta mbajnë të ulët vlerën e pasurisë së tyre, pasi kështu do të paguajnë më pak taksë, mbas vendosjes së saj.

Tërësisht ndryshe është interesi i atyre që duan të riciklojnë paratë që burojnë nga aktivitete të paligjshme. Me një pagesë relativsiht të vogël ata mund të rivlerësojnë pasuritë e blera dhe t'i rishesin ose t'i riblejnë ato me një çmim shumë herë më të lartë, duke justifikuar kështu pasurinë e paligjshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama