Që fëmijë, shqiptari Rimi Cerloi vallëzonte dhe ëndërronte me sy hapur. Shpresonte me gjithë shpirt se ndonjë ditë do të mund të ngjitej të kërcente në ndonjë skenë të madhe, pikërisht si idhujt e tij, Nurejev dhe Barishnkov. Por atë ëndërr iu desh ta linte në Durrës, shtatë vjet më parë, për të hipur në një nga skafet e dëshpërimit, për një udhëtim si klandestin drejt Italisë, dhe sigurisht për t‘i shpëtuar varfërisë dhe urisë, ndërgjegjshëm se në Shqipëri "nuk mund të jetohet me një punë normale, jo më nëse merresh me art". Iu desh t‘u paguante një milion e 500 mijë lireta skafistëve për të ndërmarrë udhëtimin e shpresës, mes tmerrit se mos përfundonte në det, apo frikës se mos arrestohej.
Pastaj në Itali, me dokumente false dhe punë si murator në një kantier ndërtimi, por pa harruar pasionin për kërcimin, që e praktikonte në një diskotekë në Padova mbi një kub. "Më paguanin mirë. Aty më pa një koreograf dhe pastaj...". Pastaj nisi edhe "përralla". Tani që është 27 vjeç kërcen për koreografët më të mirë evropianë dhe është zgjedhur për të qenë pjesë e trupës së baletit "Romeo dhe Xhuljeta" të Coccante-s. Në të vërtetë, kur e pyet duket sikur i vjen turp të tregojë historinë e tij të trishtuar, "por kjo është jeta e shumë bashkëpatriotëve të mi, shumë shqiptarëve si puna ime. Unë kam qenë me fat". Më pas, Rimi tregon për udhëtimin dramatik. "Ishim 14 veta. Udhëtuam natën për të evituar që të zbuloheshim. Kisha frikë se mos vdisja atje mes dallgëve. E dija që mund të ndodhte, ashtu siç u kishte ndodhur shumë miqve të mi". Më pas kujton: "Pastaj, me zbritjen në
Bari, frika se mos zbuloheshim, arrestoheshim dhe ktheheshim sërish në Shqipëri". Aty erdhi kthesa. Mund të binte në depresion dhe të merrte rrugën që të çonte drejt krimit, por zgjodhi një tjetër rrugë. "Kushëriri im ishte në Padova. Kishte gjetur punë. Kështu vendosa t‘i kërkoja ndihmë dhe ai më gjeti një vend si murator". Brenda dy vitesh u pajisa me dokumente të rregullta, mora lejen e qëndrimit dhe gjithçka tjetër që më duhej. Pastaj më buzëqeshi fati.
"I detyrohem shumë Deborah Ferrat, një koreografe që drejtonte një shkollë baleti në Padova. Më pa në një diskotekë ndërsa kërceja. Dhe më më kërkoi t‘i mësoja hip-hop. Në fakt, isha unë që vendosa të studioja të perfeksionohesha në baletin klasik dhe modern". Kështu nisi edhe karriera e tij. Fitoi një bursë studimi në Romë, në "IALS", akademia e baletit. Pastaj në një audicion të zhvilluar në vitin 2004 u pranua në kompaninë e koreografit të madh Misha van Hoecke, me të cilin ka ezibicionuar në Itali dhe Kinë në një spektakël kushtuar Maria Callas. Rimi ka punuar edhe me Cristina Muti-n në festivalin e Ravenas. Në një tjetër audicion të marsit të vitit 2007 në Verona u pranua të futej në kompaninë e Ricardo Coccante-s, për të vallëzuar në baletin "Romeo dhe Zhuljeta", me një kontratë që skadon në 2008-ën. "Ricardo është një njeri i shkëlqyer, ha me ne, jeton me ne dhe për mua përfaqëson pjesën më të mirë të kësaj eksperience. Ka arritur të krijojë një atmosferë shumë të bukur në grupin e të rinjve, ku unë që jam 27 vjeç jam mes më të rriturve, ndërsa protagonistët e tjerë janë 16 vjeç, por mund të gjesh edhe nga ata që sapo kanë mbushur 15. Nuk ka zili mes nesh. Është një atmosferë dhe harmoni shumë e veçantë". Kur e pyet për balerinët e tjerë shqiptarë (Kledi, Anbeta, Leon), komenton me admirim dhe thotë se i njeh të gjithë. Por sigurisht që nuk mund t‘i dijë historitë e tyre.
"Kur takohemi nuk flasim kurrë për të kaluarën. Sepse është shumë e dhimbshme. Më mirë të mendojmë për baletin". Kur lexon nëpër gazeta për bashkëkombësit e tij që përfshihen në nëpër krime, mërzitet dhe zemërohet: "Kush vjen këtu në kërkim të një jete dinjitoze, ka nevojë për një shtëpi dhe punë. Unë kam qenë me fat që gjeta menjëherë një punë në të zezë. Pastaj sigurisht ka edhe nga ata që merren me punë të pista për pak vjet dhe pastaj kthehen në shtëpi: shpërndajnë drogë, qarkullojnë një thes me para dhe nuk e dinë domethënien e fjalës sakrificë. Nuk mund ta kuptoni se çfarë ndiej kur mendoj që lekët e taksave të mia shërbejnë edhe për të mbajtur në burg bashkëkombësit e mi". Rimi është i lumtur që e bëri realitet ëndrrën e tij. "Kur më japin mundësinë të kërcej e publiku më duartroket, provoj gjithmonë një emocion të madh. Nuk kërkoj më tepër". Një përrallë e vërtetë, mes shumë historive që përfundojnë mes valëve të detit dhe nuk mund të tregohen kurrë.
Fenomeni
Balerinët yje të "Amici"
Kledi dhe Anbeta, vala shqiptare
Nuk është akoma një valë, por tashmë janë shumë balerinët me origjinë shqiptare që janë vendosur në Itali. Më të njohurit janë ata që prezantoi Maria de Filipi në programin televiziv "Amici". I pari, dhe sigurisht më popullori, është padyshim Kledi Kadiu, një djalosh 33-vjeçar. Por edhe pas suksesit të tij fshihet dëshpërimi i arratisjes. "Herën e parë që provova të vija në Itali, tregon, u ktheva sërish në atdhe. Ishte 12 gushti i vitit 1991. Kisha zbritur në Bari nga një anije mallrash, e cila kishte në bord rreth 14 mijë veta". Fati i madh do të më buzëqeshte vetëm një vit e gjysmë më pas. "Në Tiranë erdhi një kompani baleti nga Mantova. Kërkonin balerin, më morën dhe më në fund arrita që të vija në Itali. Jo si klandestin, por si një punëtor me dokumente të rregullta". Edhe për Anbeta Toromanin, e lindur në Tiranë 28 vjet më parë, ardhja nuk ka qenë e lehtë. Ka frekuentuar në Shqipëri akademinë e arteve për balet. Pasi u diplomua, u specializua në Baku, në Azerbajxhan. Pastaj u bë pjesë e trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit, ku ka interpretuar rolet kryesore në pjesët e njohura të baletit.
U zgjodh nga regjisori Patrick Rossi Gastaldi, për të kërcyer në veprën që ai do të vinte në skenë, "L‘histoire su sondat". Mes vlerësimeve të marra në këto vite, janë edhe çmimi "Gino Tani" në vitin 2004 dhe çmimi "Danza & Danza" në vitin 2005. Edhe Leon Cino, 25 vjeç, ka lindur në Tiranë dhe ka frekuentuar shkollën e baletit nga viti 1993 deri në 1996. Po në këto vite, duke parë talentin e jashtëzakonshëm, pavarësisht moshës së re, ka qenë i ftuar në festivalin e gadishullit ballkanik dhe në emisione të ndryshme televizive shqiptare. Në vitin 1997 u transferua në Milano, ku pasi frekuentoi shkollën e "Teatro Carcano", u pranua në shkollën e baletit, ku fitoi erdhe tri bursa studimi. Në vitin 2001 u transferua në Amerikë, ku u pranua në "Tusla Ballet" për të kaluar më pas në "Pacific Northwest Ballet". Ka fituar gjithashtu edhe edicionin e tretë të "Amici".
Marre nga : Gazeta Shqip











