Rexhep Qosja Rama superior ndaj Vucicit si intelektual dhe diplomat

Rexhep Qosja: Rama, superior ndaj Vucicit si intelektual dhe diplomat

“Populli i vetëshpallur qiellor është populli më djallëzor i ballkanit”. Ky është komenti që dha akademiku Rexhep Qosja në Tiranë, ditën kur kryeministri shqiptar Rama pritej nga çasti në çast të niste fjalimin në Pallatin e Kulturës në Preshevë. Qosja, vizitën e Ramës në Beograd e ka cilësuar historike në të gjitha këndvështrimet. Sipas tij, Rama tregoi përgatitje të lartë intelektuale dhe kulturore. Akademiku sqaroi se Rama shkoi në Beograd për t’iu përgjigjur dëshirave të ndërkombëtarëve dhe foli me gjuhën e tyre. Sipas tij kryeministri shqiptar i tha serbëve se nëse duan të ecin drejt BE-së duhet të njohin Kosovën dhe të çlirohen prej paragjykimeve dhe mitologjive politike qindravjeçare. Qosja nënvizoi se ky është shekulli i shqiptarëve. Shqiptarët janë sot dy shtete, të cilat një ditë pashmangshëm do të bashkohen. “Ata që janë të ndarë dhunshëm do të bashkohen vullnetshëm”, tha akademiku. Ndërsa sjelljen e Vuçiçit e quajti të ulët. ”Kryeministrin Edi Rama nuk mund ta poshtërojë kush. Ai është superior, politikisht dhe intelektualisht. Vuçiç dhe Daçiç janë figura që kanë barrë të rëndë politike nga e kaluara e tyre. Ata kanë qenë aktivë në politikën e Millosheviçit që ka sjellë tragjedi”, tha Rexhep Qosja në një intervistë për gazetën “Shekulli”.

Fjalimin e kryeministrit Ram, njësoj si kryeministri serb, Vuçiç edhe pjesa tjetër e intelektualëve, madje edhe mediat serbe dhe të huaja e cilësojnë provokim. Ju si e cilësoni ?

Ata le ta quajnë si të duan. Fjalimi i Ramës ishte i shkëlqyer në të gjitha aspektet. Është vizitë historike edhe për fjalimin e kryeministrit shqiptar, i cili kishte mesazh të një niveli të lartë intelektual dhe politik ku u shtruan problemet më të rëndësishme që po kalojnë jo vetëm vendet tona, Shqipëria, Kosova, Serbia, por edhe krejt rajoni. Mesazhi i Ramës ishte i qartë, ai i foli serbëve se njohja e Kosovës i shërben jo vetëm Kosovës, por krejt rajonit. Ai i tha serbëve se duhet të lirohemi prej paragjykimeve dhe mitologjive të së kaluarës dhe të merremi e të shikojmë se si ta bëjmë jetën më të mirë, më të kuptimshme dhe si ta meritojmë integrimin në Bashkimin Evropian. Praktikisht ai mbajti një ligjëratë demokratike, duke treguar se çfarë të bëhet në rajon dhe të arrihet ajo që e dëshirojmë të gjithë. Sigurisht që vizita e kryeministrit shqiptar në Beograd dhe në Preshevë është historike, pasi është vizita e liderit më të lartë shqiptar me udhëheqësit serb pas 68 vitesh, dhe kjo ka rëndësinë e vet, është historike për shkak të kontekstit dhe temave që u paraqitën aty në atë takim, është vizitë historike sepse e afirmon politikën shqiptare proevropiane dhe proamerikane. Është vizitë historike, sepse tregoi se çfarë duhet dhe çfarë mendojnë shqiptarët. Është vizitë që tregoi se shqiptarët i kushtojnë rëndësi të jashtëzakonshme Bashkimit Evropian ku duan të integrohen. Shqiptarët kanë përkushtim të jashtëzakonshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat prej shqiptarëve kërkojnë që të normalizojnë marrëdhëniet me serbët.

Si e komentoni reagimin e Vuçiç?

Nuk ishte reagim diplomatik. Nuk është një reagim që respekton traditat tona. Mysafiri në të gjitha kulturat është i pacënueshëm, është i nderuar. Ai nuk respektoi as traditat ballkanike dhe as nuk respektoi standardet diplomatike.

Gjuha e kryeministrit serb a mund të quhet gjuhë diplomatike?

Politikisht Rama gjatë konferencës për shtyp u tregua superior ndaj homologut të tij serb. Vuçiçi nuk mund ta poshtërojë kryeministrin Rama. Gjuha e Vuçiçit nuk ishte sjellje politike dhe aq më pak diplomatike dhe dinjitoze. Ajo që është e rëndësishme për ne, kryeministri i Shqipërisë u tregua superior intelektualisht dhe politikisht. Paraqitja e shkëlqyer e Ramës është pritur prej të gjithë shqiptarëve, si në Shqipëri edhe në Kosovë.

Politika e pretenduar si e re serbe tregoi se akoma është e dyzuar mes lindjes dhe perëndimit. Sipas jush nga po ecën më shumë ajo, drejt Evropës apo Rusisë?

Janë dy Serbi. Njëra që ecën drejt Bashkimit Evropian dhe tjetra që vijon të shkojë edhe më tej drejt lindjes. Pra, ka dy vija politike në Serbi. Të dëshirojmë të gjithë që të fitojë vija që do ta çojë drejt Bashkimit Evropian. Edhe pse në grupin e atyre që janë të orientuar drejt Bashkimit Evropian janë disa figura me karrierë të përlyer me krime kundër njerëzimit. Dhe këta janë kryeministri i Serbisë Vuçiç dhe ministri i Jashtëm Daçiç.

Çfarë duhet të presim pas këtij takimi të tensionuar?

Unë mendoj që nuk duhet të pritet shumë. Pamja e jashtme, fasada mund të jetë e larë e lyer, por përmbajtja mund të jetë më ndryshe. Kryeministri Vuçiç dhe Ministri i Jashtëm Daçiç janë figura që kanë barrë të rëndë politike nga e kaluara e tyre. Ata kanë qenë aktivë në politikën që ka sjellë tragjedi të madhe kombëtare në ish-jugosllavi. Ajo politikë ka sjellë tirani, dhunë, terror dhe shumë viktima në Kroaci, më shumë në Bosnje dhe Kosovë. Një pjesë e tyre janë gjykuar nga Gjykata e Hagës për kryerje të krimeve dhe gjenocid në Bosnje dhe për një përpjekje për spastrim etnik në Kosovë, me dëbimin e 1 milionë shqiptarëve. Pra nuk mund të presim shumë prej tyre.

Pavarësisht toneve të nxehta në konferencë kryeministri Rama kapi situatën në dorë duke i thënë se ai është i mirëpritur të vijë në Tiranë dhe të thotë çfarë do që të dojë. Por përsëri Rama nuk mori një përgjigje nga homologu i tij serb. Mendoni se Vuçiç pas asaj që ndodhi në Beograd mund të vijë në Tiranë?

Nuk e di. Janë paralajmëruar dhe përpara prej presidentit të mëparshëm të Serbisë, por vizita nuk janë realizuar. Me rëndësi është që kryeministri i Shqipërisë shkoi në Beograd dhe iu përgjigj dëshirave të ndërkombëtarëve. Ishte dëshira e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Rama ta bëjë këtë vizitë, për shkak të interesit të shteteve të rajonit. A do të vijë Vuçiç në Shqipëri, këtë nuk e di. Por nëse vjen e di se shqiptarët do ta presin dhe do të sillen ndaj tij siç e kanë adet dhe siç e kanë traditë të presin mikun, jo mikut mysafirin se ai mik nuk është. Por ndaj mysafirit pavarësisht çfarë ndjenjash ka ai, shqiptarët do të sillen me dinjitet.

Mësohet se në takimin “kokë më kokë” Ramës i është thënë që të mos flasë për Kosovën. Pavarësisht këshillave të serbëve Rama nuk e la pa shtruar në Konferencë çështjen e Kosovës. Si e shpjegoni thyerjen e “marrëveshjes” nga ana e Ramës?

Nuk e di a është e vërtetë se në takimin kokë më kokë kryeministrit Edi Rama i është kërkuar që për Kosovën të mos flitet në konferencën për shtyp. Edi Rama, si atdhetar që e do Kosovën, mendon për të ardhmen e Kosovës dhe për një nga pjesët e Shqipërisë natyrore, pasi Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Shqipërisë. Ai nuk ka mundur ta kalojë në heshtje këtë çështje të madhe kombëtare shqiptare. Dhe ai gjeti rastin në mënyrën më të përshtatshme dhe me mençuri e solli në qendër të Konferencës atë bisedë që Vuçiç nuk dëshiroi ta dëgjojë në takimin kokë më kokë. Dhe ia tha mirë, ia tha shkoqur, ia tha siç pritej dhe dëshirojnë në Kosovë dhe shqiptarët në përgjithësi se Serbia duhet ta njohë Kosovën siç e kanë njohur vendet më të fuqishme të këtij planeti.

A mund të shkaktojë më vonë ky fjalim një incident diplomatik, pasi fjalimi i kryeministrit Rama përpara Vuçiç ngjante gati si një betejë mes dy kryeministrave?

Unë mund të them se kryeministri i Shqipërisë, paraqiti një fjalim që foli shumë për të ardhmen, jo vetëm të Kosovës dhe Shqipërisë, por foli shumë edhe për të ardhmen e rajonit. Paraqiti një koncept filozofik të ardhmërisë, natyrisht, duke mos harruar as të kaluarën, e cila në një mënyrë, është e përmbajtur në të sotmen dhe mund të jetë e përmbajtur edhe në të kaluarën. Ai paraqiti mendime në të cilat u tha se për të mirën e rajonit, të shqiptarëve, të serbëve, në ardhmërinë tonë, duhet të mos jenë të përmbajtura paragjykime, ngarkesa, mitologji të së kaluarës që janë të përmbajtura në politikën e Serbisë gjithnjë. E thashë se nuk gjeti përkrahje prej kryeministrit serb. Mos u çudisni. Ju nuk e njihni kryeministrin e Serbisë dhe nuk e njihni as Ministrin e Jashtëm të Serbisë, sepse nuk e njihni të kaluarën. Këta të dy kanë qenë konsumolist, njëri person i Sheshelit, tjetri i Millosheviçit. Dhe ishin dy parti që ishin jo vetëm nacionaliste, por me qëndrime shoviniste, ndaj shqiptarëve, ndaj kroatëve dhe ndaj boshnjakëve. Ky ishte një prej zëvendësve më të ashpër. Jo rastësisht këtij njeriu, i zgjedhur kryeministër i Serbisë, për çudinë e shumë vëzhguesve evropianë, por edhe të vetë serbëve, i ra maska e nacionalistit dhe shovinistit edhe në ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë. Dhe nuk u përmbajt. E keni dëgjuar, e keni parë, se çfarë foli dhe tha, si i tregoi ngarkesat e veta dhe mitologjinë e trashëguar politike të Serbisë në përgjithësi. Nuk është e çuditshme se ai nuk ishte në gjendje si zot shtëpie të sillej me dinjitet ndaj fjalimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Prandaj reagoi si reagoi, hoqi dëgjuesin një herë, pastaj iku përpara dhe nuk i hapi udhë mysafirit të tij të nderuar, shumë të nderuar madje të trajtuar si një politikan më të shquar të rajonit të dëshmuar edhe në samitin e Berlinit. Pra i del përpara si zot shtëpie.

Qosja: Serbët janë vetëshpallur qiellorë, ndërkohë janë djallëzorë

Ka disa incidente në Preshevë. Arrestohen disa shqiptarë duke shpërndarë flamuj shqiptar, po ashtu është ndaluar për disa orë autobusi i gazetarëve shqiptarë në Preshevë. Çfarë do të thonë këto për ju?

Kryeministri i Serbisë tha para disa ditësh se është shumë e rëndësishme ajo që do të thotë kryeministri shqiptar në Beograd dhe është mesazhi që do të na dërgojë në Preshevë. E shikoni sa shumë i shqetëson vizita e kryeministrit shqiptar në Preshevë? Prandaj nuk është e çuditshme sjellja e tyre ndaj gazetarëve shqiptarë. Kini parasysh një gjë. Serbët e kanë shpallur veten prej Mesjetës popull qiellor. Mund ta supozoni se populli qiellor do të sillet në jetën tokësore në mënyrë shumë djallëzore dhe këto janë sjellje djallëzore, si ndalimi i gazetarëve shqiptarë dhe ato sjellje që i pamë në Beograd, duke filluar që nga ndeshja e deri tek pritja.

 A mund të ndryshojë qëndrim Vuçiçi?

Unë them se prej këtij takimi nuk duhet pritur shumë. Janë nënshkruar ato marrëveshje, por shumë nuk duhet pritur. Serbia nuk është liruar ende prej mitologjisë për Kosovën dhe kjo i kufizon sjelljet e saj politike, qëndrimet e saj politike, të udhëheqësve të tyre politikë, i kufizon dhe do t’i kufizojë edhe më gjatë. Shqiptarët po bëjnë punën e vetë, jetojmë në një kohë që shqiptarëve u ka dhënë të drejtë historia. Ky është shekulli ynë. Shqiptarët janë sot dy shtete, të cilat një ditë pashmangshëm do të bashkohen. Ata që janë të ndarë dhunshëm do të bashkohen vullnetshëm. Kryeministrin Edi Rama nuk mund ta poshtërojë kush. Ai është superior, politikisht dhe intelektualisht, por ajo nuk është sjellje diplomatike dhe as politike dhe nuk është sjellje e dinjitoze. Për ne është kryesore që kryeministri i Shqipërisë, tregoi sjellje shumë dinjitoze dhe superiore, intelektuale dhe ashtu është pritur prej shqiptarëve.

Janë nënshkruar disa marrëveshje ekonomike. Si i vlerësoni ato?

Për ato marrëveshje ata kanë interesat e tyre, dhe ata kur kanë interesat e tyre, p.sh, për eksportin e prodhimeve të tyre në Kosovë, i cili është interes i madh, ata ecin përpara, por në fushat e tjera, si qëndrimi ndaj pavarësisë së Kosovës ata do të jenë të pushtuar prej mitologjisë qindravjeçare. Vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd ka rëndësi shtetërore, si për Shqipërinë ashtu dhe për Kosovën. Kjo vizitë ka rëndësi se tregon, përkushtimet e shtetit shqiptar, e para ndaj çështjes së Kosovës, e dyta ndaj integrimeve evropiane, e treta ndaj politikës së SHBA-së me të cilat sot Shqipëria dhe Kosova kanë marrëdhëniet me të mira në histori. Në Kosovë kjo vizitë e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd është pritur me interesim të jashtëzakonshëm, në rradhë të parë për shkak të asaj që është dëshiruar, është pritur, është supozuar, dhe mbi të gjitha ta thotë kryeministri shqiptar Edi Rama, dhe ai e tha atë që është pritur dhe dëshiruar në Kosovë. Të gjithë faktorët ndërkombëtarë, i thanë Serbisë ta njohë Kosovën. Është një çështje e kryer. Kosova është një shtet i pavarur dhe Serbia si fqinj, që është dhe do të jetë gjithmonë aty, ashtu siç do jetë aty ku është edhe Kosova do të duhej ta njohë, sepse nuk mund ta çojë Kosovën në Australi siç nuk mundet Kosova ta çojë Serbinë në Zelandë të Re. Do të jenë fqinj gjithmonë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama