Raunig Koalicioni qeverises po deshmon angazhim per reformen ne drejtesi; pozitive aksionet per zbatim te ligjit

623AC694-6C02-4F6E-AD87-982178B81E73_w268_r1-Raporti i OSBE-së për zhvillimet në Shqipëri-

TIRANE, 18 Shtator/ATSH/- Raporti mbi zhvillimet e 12 muajve të fundit në Shqipëri i mbajtur përpara Këshillit të Përhershm të OSBE-së në Vjenë, nga ambasadori i kësaj organizate në Tiranë Florian Raunig, bën një analizë të situatës duke u ndalur veçanërisht në fushat ku OSBE-ja ka shtrirë aktivitetin e saj.

Sikurse bën të ditur Zëri i Amerikës, raporti analizon panoramën politike, vlerëson "vullnetin e qeverisë për realizimin e reformave kyçe edhe dy vjet pas ardhjes në pushtet", flet për çështjen e dekriminalizimit, reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo dhe zgjedhjet e shkuara vendore, për të cilat i referohet vlerësimit përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ndërsa flet për rastet e arrestimeve të disa deputetëve të së majtës, ambasadori Raunig, duke komentuar "çështjen e dekriminalizimit të parlamentit dhe strukturave në të dy nivelet, si në qeverisjen qendrore dhe lokale" shprehet se kjo çështje "është më e gjerë se këto raste të veçanta, ngaqë, ka pretendime të besueshme se zyrtarë të lartë (si në të kaluarën dhe në të tashmen) janë përfshirë në sjellje jo të përshtatshme për pozitat e tyre". Sipas raportit "kjo është një çështje që duket se do të nxisë diskutimin publik për ca kohë në të ardhmen. Sigurisht që do t'i shërbejë qeverisjes demokratike në Shqipëri nëse ky debat do të sjellë përpjekje konkrete për të paditur zyrtarë të korruptuar, përfshirë anëtarë të Parlamentit, por edhe të bëjë të mundur që zyrtarët publikë të respektojnë standartet më të larta etike".

Dhe duke mbetur te zyrtarët publikë, ambasadori vëren se "megjithëse kanë nisur disa procedime penale ndaj funksionarëve të nivelit të mesëm, Shqipëria ende nuk ka mundur të krijojë një bilanc të ndjekjes apo dënimit të elitave politike dhe ekonomike, veçanërisht lidhur me pasurimin e paligjshëm, korrupsionin dhe krimin e organizuar". Raporti kujton se "ndonëse në 2014 u krijua një njësi për hetimin e korrupsionit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ende nuk ka ndonjë bilanc për dënimin e zyrtarëve të nivelit të lartë".

Raporti vlerëson disa nga aksionet e ndërmarra nga qeveria, duke theksuar se "përpjekjet intensive të policisë kundër kultivimit të drogave, të kombinuara me të tjera nisma si operacioni në nivel kombëtar kundër vjedhjes së energjisë dhe ndërtimeve të paligjshme, janë pjesë e deklarimit të qeverisë për të siguruar një zbatim më të mirë të ligjit dhe respekt të shtetit të së drejtës. Kjo është pozitive. Megjithatë ka disa shqetësime mbi zbatimin e pjesshëm dhe qëndrueshmërine e këtyre përpjekjeve, sikundër dhe për ashpërsinë e masave për shkelje relativisht të vogla", vlerëson raporti.

Duke u ndalur në luftën kundër krimit të organizuar, ambasadori i OSBE-së vlerëson operacionet kundër kultivimit të marijuanës "që kanë çuar në mbi 250 arrestime, por që mesa duket ende nuk ka procedime të suksesshme të niveleve të larta". Dhe ndërsa thekson se operacioni i vitit të shkuar në Lazarat ritheu besimin te shteti ligjor dhe policia, "përpjekje të koordinuara nevojiten për të ndjekur dhe dënuar edhe ata që qëndrojnë pas trafikut të drogës", thuhet në raportin, i cili është ndërkaq kritik për "ndryshimet e shpeshta në të gjitha nivelet e policisë të cilat zbehin trajnimet dhe eksperiencën e fituar".

Lidhur me reformën në Drejtësi, ambasadori Raunig shprehet se "koalicioni në pushtet po dëshmon angazhim për reformën strategjike dhe aq të nevojshme në fushën e drejtësisë, përmes një procesi përgjithësisht të vendosur, që përfshin ekspertizë ndërkombëtare dhe vendase, e së fundi dhe opozitën".

Ambasadori vlerëson se "vënia në jetë e reformës do të duhet të trajtojë dobësi të thella strukturore. Megjithatë, nëse opozita nuk do të marrë pjesë plotësisht deri në fund, kjo mund të dëmtojë, në terma afatgjatë, besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e reformës në drejtësi. Në përgjithësi, politizimi i thuajse çdo problemi dhe paaftësia e theksuar për kompromis do të vazhdojnë ta bëjnë të vështirë arritjen e reformave kombëtare domethënëse dhe të qëndrueshme", shprehet ambasadori Raunig, sipas të cilit "përparimi i Shqipërisë në sfidat dhe aspiratat themelore, kërkon një program ndryshimesh të thella, afatgjata, përfshirëse dhe konsensuale.

"Dialogu politik mes qeverisë dhe opozitës, sikundër kompromisi i bazuar në një veprimtari konstruktive në parlament, është thelbësor për qëndrueshmërinë e reformave dhe zhvillimin afatgjatë të vendit", thekson raporti i OSBE-së./a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama