Rama Vizita ia vlejti koha e provokimeve ka mbaruar

Rama: Vizita ia vlejti, koha e provokimeve ka mbaruar

Kryeministri Edi Rama ishte ftuar në emisionin Top Stori, për të folur në lidhje me vizitën e tij në Serbi. Gjatë intervistës së dhënë ai është shprehur shumë i emocionuar për pritjen në Preshevë dhe në rrugët e Kosovës. Vizitën në Serbi, Rama e ka cilësuar si një rast unikal, për të çelur një faqe të re në historinë e dy vendeve dhe për të shkruar me serbët një kapitull të ri për Ballkanin. Krahasuar me pritshmërinë e vizitës, Kryeministri tha se vizita ia vlejti.

“ Fakti që edhe pas konferencës ne vazhduam të komunikojmë dhe firmosëm disa  marrëveshje, tregon që takimi ja ka vlejtur. Kështu që them që vizita ja ka vlejtur për shumë gjëra, por padyshim për të dyja palët ka qenë një moment i rëndësishëm dhe koha do të tregojë, dhe jo vonë, që sekuencat e mëpastajme do të sjellin vazhdimisht produkt. Ka gjithmonë një kohë kur paqja është e mundur dhe mbi paqen të ndërtohet rruga e re e mirëqenies së njerëzve, ajo ka rëndësi parësore. Ne emër të saj bëhen edhe luftërat edhe paqja”-deklaroi Rama.

Në lidhje me deklaratat e Kosovës, ku Kryeministri kërkoi njohjen e pavarësisë, ai tha se thirrja ndaj Serbisë është ndihmë për atë shtet, nuk është provokim. “Sa më shpejt ta njohin aq më shpejt do të çlirohen nga një hije që i ndjek pas dhe që siç e patë ua merr frymën kur u del përpara. Besoj se edhe ata vetë janë të vetëdijshëm që ky është një proces i pakthyeshëm, por kapërcimi i vetvetes kërkon një kurajo që në rastin e tyre është e jashtëzakonshme dhe që ende nuk e kanë gjetur.

Unë nuk u ndjeva i provokuar, por i keqardhur nga reagimi i Kryeministrit serb. Por kjo nuk do më pengojë që të jem i mirësjellshëm dhe të bëj përpjekje që ta çojmë përpara këtë marrëdhënie me Serbinë, sepse është një interes reciprok. BE s’mund të na trajtojë ne si një shtojcë e bezdisshme dhe s’mund ta shtyjë pafundësisht ditën kur duhet të na marrë edhe në brenda mureve të shtëpisë së vet sepse ne jemi Evropë. Si të tillë duhet të sillemi dhe si të tillë duhet të veprojmë që të jemi të besueshëm”,- sqaroi ai.

Për sa i përket provokimeve të Aleksandër Vuçiç në konferencën për shtyp, Rama thotë se serbët gjithmonë viktimizohen “Kanë folur si të provokuar edhe kur bënin hatara, ndjehen të provokuar kur shikojnë një flamur, kur shikojnë një zog, kur shikojnë kryeministrin e një vendi tjetër që thotë atë që mendon. Unë besoj që koha e provokimeve ka mbaruar dhe këto sjellje i përkasin të shkuarës”,- sqaroi Kryeministri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama