Rama Referendumi i PD-se deshtoi do te thellojme reformat

Rama: Referendumi i PD-se deshtoi, do te thellojme reformat

Kryeministri i vendit Edi Rama i ka cilësuar zgjedhjet e 21 qershorit si zgjedhjet më të mira në të gjithë historinë e vendit, ndërsa mbështetjen masive ndaj aleancës së majtë e quajti një mesazh për vazhdimin e reformave të thella në Shqipëri të nisura pas 23 qershorit të dy viteve më parë.

 

Duke u ndalur tek procesi zgjedhor, Rama renditi një sërë problematikash të së shkuarës, që sipas tij, nuk u panë në këto zgjedhje.

 

“Unë personalisht nuk kam dyshuar asnjë ditë për mbështetjen e reformave tona nga qytetarët, por 21 Qershori është një shtysë për të thelluar reformat dhe masat që shoqërojnë ato me vendosmërinë më të madhe. Qeveria bëri që për herë të parë të mos mbyllej asnjë shkollë për të çuar nxënës dhe mësues për të shkuar në mitingun e kryeministrit apo shefit të Kuvendit, për herë të parë të mos ushtrohej presion nga asnjë punonjës i shtetit, të mos implikohej asnjë forcë e ushtrisë për të hedhur çakull elektoral për votat e kandidatëve të pushtetit, të mos sigurohej asnjë mbështetje nga policia për të fortët për vota për llogari të pushtetit, të mos hapeshin dyert e burgjeve për kriminelët me damkë, siç ndodhte deri në 2013”, u shpreh kryeministri.

 

Rama tha se nga ky proces Shqipëria ka dalë më e denjë dhe u kërkoi numëruesve që të vazhdojnë procesin sipas ligjit, duke numëruar drejtë çdo votë të shqiptarëve.

 

“Historia e zgjedhjeve për këshillat bashkiakë ka treguar që është e larmishme. Çdo votë duhet të numërohet saktësisht. Koha kur partive të vogla u merreshin votat nga numëruesit për partitë e mëdha ka marrë fund. Kush gabon dhe e risjell këtë kohë, mos harrojë që ligji e ndëshkon penalisht”, deklaroi Rama.

 

Zgjedhjet ishin hapi i fundit i lindjes së një Shqipërie të re, me 61 njësi vendore, por edhe të parat ku në këshillat vendore përfaqësua gjinore është e barabartë.

 

“61 njësi zhvillimi ekonomik, urban dhe social. Kjo është Shqipëria e re, e qytetarëve të barabartë që organizimi nuk i ndan më në qytetarë të kategorisë së parë në qytet, dhe njerëz në fshat. Barazia e plotë gjinore është kthyer në fakt, që krijon premisat e një epoke të re zhvillimi. Jam krenar që ASHE ka bërë të mundura këto dy ndryshime historike pa u mbushur ende 2 vite nga mandati ynë”, tha Rama.

 

PD-ja i pa këto zgjedhje lokale si një test e referendum kundër qeverisë, test i cili sipas Ramës dështoi.

 

“Referendumi i PD kundër qeverisjes ka humbur edhe më thellë nga sa e mendonim ne të gjithë. As unë e as Meta nuk dolëm në këtë fushatë për referendumin qorr të PD, por për alternativën reale. 21 qershori, shtysë për të thelluar reformat dhe masat për të përmirësuar Shqipërinë. Na ngarkojnë me një përgjegjësi të re. Shqiptarët na kanë kërkuar të qeverisim  numrin më të madh të njësive të reja, 75% të tyre dhe rreth 80% të popullsisë", tha Rama


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama