Rama Mamaja ime e perballon spitalin privat

Rama: Mamaja ime e perballon spitalin privat

“Për fat të mirë, ime më e ka mundësinë të shkojë në një spital privat për të bërë një operacion, i cili ishte jashtëzakonisht i rëndë dhe që zgjati 7.5 orë. E dyta, qytetarët që shkojnë në spitalet private e kanë këtë mundësi dhe s’kanë pse mos të shkojnë”

Qeveria nuk tërhiqet përballë kërkesës së opozitës dhe opinionit publik për uljen e taksave që rëndojnë çmimin e karburanteve në vend. Këtë e ka bërë të ditur dje në mënyrë të prerë kreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë intervistës në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, ku theksoi se çmimi i naftës në vendin tonë është ulur me 20% në krahasim me atë që ishte gjatë kohës së qeverisjes së djathtë. “Për sa i përket naftës, është një debat mjaft i stisur dhe me një dozë të madhe hileje brenda, sepse çmimi i naftës në Shqipëri ka rënë 20%.

Edhe dje ka regjistruar një ulje tjetër. Ka rënë 20% krahasuar me një vit më parë. Sigurisht, kjo lidhet me koniunkturën ndërkombëtare, padyshim”. Më tej ai sqaroi se krahasimi i çmimit të karburantit me vendet e tjera nuk ka kuptim për sa kohë Shqipëria aplikon që taksën e qarkullimit ta marrë nëpërmjet pagesës së karburantit. “Çmimi i naftës është ulur. Shqiptarët duhet të kuptojnë se krahasimi me vendet e tjera të rajonit nuk vlen në mënyrë të drejtpërdrejtë për sa kohë shqiptarët brenda çmimit të naftës paguajnë edhe taksën e qarkullimit, edhe taksën e karbonit, të cilat në vendet e tjera të rajonit paguhen jashtë strukturës së çmimit. Në këndvështrimin tim, vendimi i marrë nga qeveria paraardhëse me propozim të ministrit të atëhershëm të Financave ka qenë i drejtë, për ta përfshirë taksën e qarkullimit në strukturën e çmimit”, – u shpreh Rama.

Madje në këtë intervistë ai ka dalë kundër edhe kreut të komisionit të Ekonomisë, i cili në gjithë qëndrimet e tij lidhur me këtë çështje ka theksuar se faji i çmimit të lartë të naftës vjen si pasojë e situatës monopol. Por sipas Ramës, në vendin tonë në fushën e karburanteve nuk ka një situatë të tillë. “Nuk ka situatë monopol në tregun e naftës sot. Po jua përsëris, mjafton të shikojmë strukturën e kostos dhe çmimin për të kuptuar se nuk kemi të bëjmë me spekulim, por kemi të bëjmë, për të gjashtën herë po jua përsëris, me faktin që në Shqipëri, nëpërmjet naftës, nëpërmjet çmimit të naftës paguhen edhe të tjera detyrime”.

Kreu i qeverisë ka shpjeguar edhe arsyen pse përzgjodhi spitalin privat dhe jo ato publik për mjekimin e nënës së vet pak ditë më parë. Sipas Ramës, nëna e tij, Aneta ka mundësitë financiare të kurohet në spitalet private. “E para e punës një herë, për fat të mirë, ime më e ka mundësinë të shkojë në një spital privat për të bërë një operacion, i cili ishte jashtëzakonisht i rëndë dhe që zgjati 7.5 orë. E dyta, qytetarët që shkojnë në spitalet private e kanë këtë mundësi dhe s’kanë pse mos të shkojnë. Ndërkohë që unë jam në këtë detyrë për të bërë të mundur që edhe spitalet publike të arrijnë të performojnë njësoj siç performojnë spitalet private dhe kjo është e mundur”, – tha më tej Rama.

Ai ka folur edhe për debatin nëse disa nga politikat e qeverisë së tij janë të djathta, duke theksuar se sot jo çdo gjë që quhet e djathtë duhet të jetë e gabuar, duke pranuar se ai i përket një të majte të shekullit të ri.

“E majta që thoshte që shteti do t’i bëjë të gjitha dhe që privati është armiku, ka vdekur dhe shyqyr që ka vdekur në shekullin e kaluar. Unë i përkas dhe ne i përkasim asaj të majte që është e majta e Toni Blerit dhe e gjithë atyre që i dhanë sens së majtës pas rënies së Murit të Berlinit dhe pas rënies së utopisë së shtetit padron dhe që nisemi nga një parim shumë i thjeshtë, jo çdo gjë që quhet e majtë funksionon. Dhe për këtë arsye, çfarë nuk funksionon nuk duhet bërë, dhe nëse diçka që quhet e djathtë funksionon duhet bërë, pavarësisht se quhet e djathtë. Unë jam i majtë i shekullit të ri, kështu është qeveria jonë dhe kështu është e majta shqiptare”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u pyet edhe mbi zgjedhjet e fundit në Greqi, e sidomos për vizitën e anuluar të Aleksis Tsipras në Tiranë. Ai sqaroi se kjo vizitë u anulua për shkak të krizës politike në Greqi.

“E urova Tsiprasin përmes një mesazhi me shkrim. Fitorja e tij është vullneti i popullit grek pas ezaurimit të politikave tradicionale të majta dhe të djathta që paguan faturën e asaj që mbolli për vite të tëra buzuqi ”, – u shpreh Rama. Ai mohoi zërat se mes qeverisë dhe familjarëve të viktimave të 21 Janarit ka pasur përplasje mbi dëmshpërblimet.

“Familjarët e viktimave nuk kërkojnë shpërblim, por drejtësi.21 Janari është një krim politik, shtetëror e që historia tregon se nuk është e lehtë të zgjidhet përmes drejtësisë. Por rasti i 21 Janarit është i tipit ‘drejtësia vonon, por nuk harron”, – theksoi Rama. Ai nënvizoi se Ministria e Brendshme i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme rihapjen e çështjes mbi pretendime konkrete dhe shtoi se strukturat e shtetit po punojnë në këtë drejtim. “Ne po punojmë në këtë kënd dhe në këndin e angazhimit të një studioje ligjore të huaj”, – nënvizoi Rama, për të shtuar se “bashkëpunimi me Metën s’ka qenë pengesë për hetimin e çështjes”.

Më tej Rama foli edhe për marrëdhënien mes tij dhe Presidentit të Republikës, duke akuzuar këtë të fundit se sulmon qeverinë përmes mediave. “Ne, si institucione, duhet të ruajmë etikën”, – tha Rama. Sa i takon marrëdhënieve me liderin e opozitës, Lulzim Basha, me të cilin nuk ka pasur kurrë një shtrëngim duarsh, shefi i qeverise tha: “Nuk kam pasur rastin t’i jap dorën, por nuk do ta kisha problem. Marrëdhënia me Presidentin është e komplikuar, por nuk krahasohet me atë me liderin e opozitës”.

Rama ka komentuar edhe operacionin e kapjes së kokainës në Xibrakë, duke vlerësuar rolin e policisë në të. “Sot jemi shumë krenarë që në pak më shumë se një vit, nga përfaqësuesit e një vendi rëndshëm të njollosur me hijen e vendit që prodhonte drogë ditën për diell dhe të pafuqisë së përfaqësuesve të vet për ta luftuar sepse ishin pjesë e kësaj historie, e kemi kthyer Shqipërinë në një vend që sot admirohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë për luftën e vendosur kundër krimit dhe kundër drogës në veçanti. Partnerët gjermanë më kanë shprehur konsideratën më të lartë për punën e policisë shqiptare. Nuk e zbuluan gjermanët këtë laborator. Kjo është një tjetër shpifje dhe përbaltje mediatike. Vetëm këtu ndodh që të akuzohet dhe kritikohet policia pse kap drogën. Policia është njoftuar për një person që merrej me trafik në mes të muajit nëntorit. Në bazë të këtij informacioni policia ka zbuluar gjithë fillin. Në mes të dhjetorit, bazuar në gjithë punën parakërkimore është arritur që në një kohë rekord të zbulohet i gjithë rrjeti. Sa për Ilir Hoxhën se çfarë janë lidhjet e mia me të, pyet Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, sepse ai ka qenë avokati i tij”, – deklaroi Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama