Rama I lumtur qe do behem baba. Femijen me Linden e donim te dy

Rama: I lumtur qe do behem baba. Femijen me Linden e donim te dy

Kryeministri Edi Rama shprehu dje publikisht për herë të parë gëzimin, me të cilin ai po pret trashëgimtarin e ardhshëm. Duke folur në intervistën e tij në “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në TV Klan, Rama se nuk kishte preferenca për djalë apo vajzë.


Në jetën tuaj po vjen një fëmijë. Doja të dija më shumë, ishte vendim? Donit që të kishit një fëmijë?


Ishte një dëshirë e madhe që u kurorëzua si një lajm i mrekullueshëm dhe që tanimë është mes nesh si një hapësirë tërësisht e re dhe shumë tërheqëse. Ju keni parasysh që të gjithë ata që kanë kaluar nga një histori dashurie, e materializuar në një krijesë që pritet të vijë, është diçka që është zor të gjesh fjalët për ta përshkruar.

Do të jetë djalë apo vajzë?


Nuk e dimë këtë gjë dhe kemi dëshiruar që të mos e mësojmë.

Cila është preferenca juaj?


Unë në këtë rast që gjëja është konkrete nuk di të zgjedh, por në të gjitha rastet, qoftë vajzë, qoftë djalë…

Ishte dëshira juaj apo e bashkëshortes?


Kjo është një dëshirë që s’mund të jetë veçse tërësisht e përbashkët.

Si ndiheni tani që do bëheni prind për herë të dytë, duke pasur parasysh që raporti juaj me familjen nuk ka qenë kaq i mirë në të kaluarën?


Është shumë e vështirë, besoj e pamundur që jeta private e dikujt të mund të gjykohet nga jashtë, sepse askush nuk mund të ketë një gjykim të drejtë kur e shikon nga jashtë dhe për këtë arsye mendoj që në jetën private vendosen shumë gjëra që nuk mund të racionalizohen tërësisht të para nga jashtë. Por një gjë është e sigurt, që ky është një lajm i gëzuar dhe që e bën të tillë edhe gëzimi i Reas dhe i Gregut. Duke pasur një vajzë apo një djalë është shumë bukur të kemi një shumicë apo një pakicë.

Do doja të hyja në pjesën më politike të çështjes. Shumë fëmijë do vijnë në jetë në Shqipëri dhe do jenë më të varfër. Do ketë rritje taksash nga marrëveshja me FMN. Kjo marrëveshje me FMN ekziston apo jo?


Së pari, përshtypja se Shqipëria do jetë më e varfër është një përshtypje që s’ka asnjë bazë, jo për arsye se unë jam sot kryeministri i Shqipërisë dhe Shqipëria qeveriset nga një aleancë e dy forcave të majta, që sot unë e përfaqësoj këtu në këtë diskutim, por për faktin se nuk ka asnjë indikacion apo arsye objektive të mendohet që Shqipëria do të jetë më e varfër.

Sa do të jetë rritja ekonomike?


Minimumi 2%, por ndoshta edhe më shumë.

A ka një marrëveshje me FMN që ju kërkon rritjen e taksave?


Marrëveshja me FMN është bërë para miratimit të buxhetit dhe ne nuk na detyron asgjë çfarë të bëjmë me këtë rrugë. Nëse një shtet falimenton, atëherë duhet të gjejë rrugë për të shpëtuar. Por ne nuk e kemi këtë situatë. Ne jemi në kushtet kur tkurrja rrënuese e ekonomisë ka mbaruar dhe më e keqja ka kaluar.

A do të kërkoni rivendosjen e TVSH-së në arsim?


Ne nuk do kërkojmë asgjë nga këto, përsa kohë ne i kemi burimet e mjaftueshme.

A ka rritje të taksës mbi makinat e përdorura?


Janë të gjitha në marrëveshje si opsione alternative në kushtet kur burimet ekzistuese mund të mos japin rezultatet e duhura. Por situata na bën që të mos u referohemi burimeve shtesë. Edhe në muajin mars ne e kemi kaluar të ardhurat.

A do aplikoni futjen e një taksë për hyrje-daljet e shtetasve në Shqipëri?


Nuk janë shpikje për Shqipërinë, por janë forma taksimi në shumë vende. Ne jemi që të mbajmë një ekuilibër të plotë me konsumin. Rritja e fuqisë blerëse është qëllimi ynë.

Do rritet mosha e pensionit në 67 vjeç?


Ne jemi në kushtet si vend, kur për shkak të papërgjegjshmërisë së një klase të tërë politike dhe për shkak se çdo qeveri e ka shtyrë më vonë çështjen përballemi me një deficit të papërballueshëm. Nga ana tjetër jemi vendi që kemi një raport kontributor me përfitues që nuk gjendet në asnjë vend të Evropës. Në vendet e Evropës kemi 7 persona që kontribuojnë dhe 1 që merr pension sot te ne kemi 1 që kontribuon dhe 1 që merr pension dhe shtesën e fut shteti. Vjen një moment që kjo bëhet e papërballueshme. Nuk është se do rritet mosha e pensionit dhe çdokush që është në prag të pensionit duhet të presë moshën. Mosha e pensionit do fillojë të rritet plotësisht për ata që janë 40 vjeç dhe kjo nuk është e përcaktuar plotësisht. Jemi në punë dhe do të dalim me platformën e plotë, të cilën po e punojmë me ekspertë. Kush është sot në prag pensioni nuk do të vuajë një shtyrje të menjëhershme të pensionit duke pritur.

Ju i keni dërguar këto ditë një letër kryetarit të opozitës. A doni të bëni një reformë territoriale vërtet me opozitën apo doni ta përdorni si fasadë?


Po, patjetër. S’kemi arsye ta përdorim si fasadë.

Shefi i opozitës ju ka vënë para një sfide. Jeni apo për një konsensus?


PD 71 vota për të qeverisur i bëri para zgjedhjeve apo pas zgjedhjeve?

Keni fituar 82 vota të dhe keni trafikuar 3 vota…?


Po të jetë puna për moralisht, ne kemi dalë me 85 vota dhe 2 i kemi humbur në procese krejtësisht të diskutueshme dhe ky nuk është argument. Nuk është argument as pretendimi për konsensus në sallë. Konsensusi bëhet në komision. Ne kemi kërkuar të ulemi bashkarisht dhe çdo produkt ta votojmë konsensualisht. Nëse në komision nuk gjendet konsensusi, atëherë duhen lexuar arsyet pse nuk është arritur konsensusi. Ne kemi detyrën t’i japim fund një farse 20- vjeçare, e cila e ka penguar Shqipërinë…


Ne i themi opozitës ‘eja ulemi, mos paragjykoni procesin, të vendosim kriteret. Nuk mundet më që shqiptarët t’i paguajnë 80 milionë dollarë një sistemi që i çon në drejtim të paditur. Ne nuk mund të na kushtëzojë dot opozita. Kjo është një çështje e vullnetit të mirë. Ne nuk mund të rrimë peng i opozitës, do bëjmë reformën me konsensusin kushtetues.

Nëse opozita refuzon, do ta bëni vetë reformën administrative?


Pa as më të voglin dyshim.

Në një nga seancat parlamentare ju keni përdorur një fjalor jo etik. A keni shkelur etikën?


Unë e thashë pjesën time dhe besoj që edhe në këtë pikë nuk e teproj që jam shumë i qetë në raport me shqiptarët, sepse kur njeriu gabon, duhet të kërkojë ndjesë dhe kur një kryeministër gabon, duhet të kërkojë dy herë ndjesë. Ndjesa ishte tërësisht e ndjerë. Unë nuk kam asnjë arsye të ndihem mirë në rast se shoh një gjë të tillë. Kjo është pjesa hileqare e një shtypi të investuar.

A i keni kërkuar falje ju personalisht ish-kryeministrit?


Nuk kam asnjë arsye t’i kërkoj ndjesë, sepse nuk ju drejtova as atij dhe as atyre, por e përsëris ishte shprehja e një mbarsjeje emocionale që buroi nga një lumë vandalizmi që ne e kemi në parlament çdo të enjte. Ai nuk është diskurs publik.

Opozita ka bërë një sërë denoncimesh lidhur me emërimet që janë bërë në administratë…


Një kryeministër që ka kërkuar ndjesë publike Shqipëria e ka sot dhe nuk e kishte deri dje. Shqipëria dje kishte kryeministra që e kanë shkatërruar. Kishte kryeministër që i vrau njerëzit në bulevard dhe i akuzoi për puç. Dhe nga ana tjetër, Shqipëria nuk e ka pasur më përpara një qeveri që kur ballafaqohet me fakte, të mbrojë një të vërtetë. Ka pasur vetëm 3 raste që janë larguar nga puna.

Premtimin për legalizime falas nuk e keni mbajtur?


Legalizimet janë falas. Janë nja 5 tarifa që janë hequr komplet. Kjo është e rëndësishme, sepse kjo do të thotë që kur ne e kemi anonçuar këtë gjë, të gjithë kanë stopuar dhe presin daljen e ligjit se kjo ishte një barrë e madhe për çdo familje. Unë di t’ju them që shpenzimet administrative kanë variuar nga 400 mijë lekë në 2 milionë dhe deri në 10 milionë lekë. Sepse ka familje që i kanë paguar nga 4 herë. Dal garant që sot për legalizimet nuk paguhet asnjë qindarkë korrupsion. Në momentin kur shtëpia është ngritur mbi truallin e familjes, nuk paguan asgjë. Kemi ndryshuar tërësisht praktikën e punës. Nuk shkojnë më familjet te ALUIZNI, por është vetë ALUIZNI që shkon tek familjet. Kur toka nuk është e familjes, por është e shtetit apo e pronarit, ne nuk kemi asnjë të drejtë që këtë tokë ta japim falas dhe nuk ka asnjë interes që këtë tokë ta marrë falas, sepse merr në kurriz një konflikt. Kush do të paguajë menjëherë, vetë çmimi i tokës do të jetë shumë i ulët. S’ka tokë me çmim tregu.

A ka ndërhyrje selektive nga INUK. A është normale që policia të veprojë si rasti në Mallakastër?


Askush nuk mund të bëhet barrikadë njerëzore për të mbrojtur diçka që është në kundërshtim me ligjin. Do të shemben të gjitha godinat pa leje që ndërtohen në rrugë nacionale. Ndërkohë që me ato që janë ndërtuar do shikohen rast pas rasti, në funksion të rrugëve, sepse ka raste kur mund të hapet një rrugë e re. Për ndërtimet pa leje që janë me qëllim fitimi që do të ngrihen këtej e tutje do të ketë vetëm një përgjigje: ruspën dhe përtokë.

Kthehemi te problemi i krimit në vend…


Krimi i vrasjes ka rënë me 30 e kusur % më pak. Kanë dalë zotërinjtë e opozitës dhe kanë thënë që janë 50% të vrarë.

Ministri i Brendshëm ka thënë se shefi i SHISH-it nuk e ka informuar. Ndërsa presidenti e ka përgënjeshtruar. Ju kë besoni?


Unë i besoj ministrit të Brendshëm dhe jo presidentit. I besoj ministrit të Brendshëm 100% për këtë deklaratë dhe për ç’ka deklaron, se nga njëra anë kam një admirim për punën që po bën, që Shqipëria do t’ia shikojë hajrin në vitet në vijim. Kam vite që e njoh ministrin e Brendshëm dhe është një nga politikanët më të përgjegjshëm që ka vendi. Presidenti është gabim në këtë rast.

Ju si i keni raportet me zotin Ajazi?


Ia kam thënë në sy shefit të Shërbimit. Problemi është niveli profesional, që lë shumë për të dëshiruar.

A është e vërtetë që kanë rifilluar negociatat për marrëveshjen e detit me Greqinë?


Kemi një diskutim tërësor për të gjitha çështjet që duhen zgjidhur mes nesh e Greqisë. Kemi një sërë çështjes dhe ne nuk mund të bëjmë sikur nuk ekzistojnë. Për ne që nga çështja çame deri tek toponimet janë një sërë problematikash që duhen zgjidhur një herë e mirë. Edhe për marrëveshjen e detit. Besoj që nga pala tjetër ka një mirëkuptim dhe ka edhe një vetëdije që Qeveria shqiptare të kërkojë të forcojë miqësinë, por nuk cenon në asgjë nga ato që janë çështje që ne nuk i harrojmë dhe nuk i lëmë dot pas krahëve.

Zoti Rama në burgun grek Ilia Kareli u rrah në mënyrë barbare dhe humbi jetën. Ka reagim shteti shqiptar?


Unë mendoj që ka një reagim mjaft me vend të Qeverisë shqiptare përmes Ministrisë së Jashtme, por ka edhe një reagim të Qeverisë greke, që nuk ka qëndruar indiferente dhe ka marrë masa të rrepta, duke bërë një sërë arrestimesh se ajo që ndodhi ishte barbari.

A keni ndërmend të bëni ndryshime në kabinetin qeveritar?


Nuk kam asnjë arsye të bëj ndryshime në kabinetin qeveritar. Askush të mos presë ndryshime as sot, as mot. Ndryshime mund të ketë vetëm në rast në rast se një ministër shkel ligjin apo kontratën tonë me popullin shqiptar. Kjo është skuadra më e mirë qeverisëse që ka pasur Shqipëria në 23 vjet.

“Një skuadër fëmijësh” tha Avokat Ngjela?


Avokati është në ligën e veteranëve dhe nuk diskutohet që ka të drejtë të thotë që kjo është një skuadër fëmijësh. Është njësoj sikur Platinia apo Maradona, është njësoj sikur flet Sul Mema për Tironën e djeshme.

Si ishte takimi me juaj me zotin Ngjela?


Kemi biseduar dhe çfarëdo që të bëjë dhe të thotë avokat Ngjela, ai është një mik i imi dhe pa as më të volit ndryshim është një pasuri e debatit publik.

Ilir Meta për ju është shok, mik apo aleat?


Është pa asnjë dyshim një partner strategjik, që i ka të gjitha ato cilësi që duhet të ketë për të garantuar një partneritet të suksesshëm në të mirë të vendit. Në aspektet njerëzore dhe personale dita-ditës edhe në aspektin e marrëdhënieve njerëzore jemi gjithmonë e më pranë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama