Qeveria e Shqiperise shfaq Panairin e Policise

Qeveria e Shqipërisë shfaq: Panairin e Policisë

Përpjekja e Kryeministrit Rama për ta shndërruar qeverisjen në një spektakël të vazhdueshëm argëtues, ka shënuar një nivel të ri këto dy ditë, me organizimin e një aktiviteti krejtësisht të veçantë: panarit të policisë.

Sipas Kryeministrit, qëllimi i panairit është që "për dy ditë me radhë njerëzit [të] mund të shohin nga afër Policinë e Shtetit me gjithë instrumentet e saj, si dhe të marrin informacion vizual shumë të përmbledhur historik mbi mjetet dhe uniformat e Policisë."

Kudo në botë, qëllimi dhe motoja e policisë është t'u gjendet pranë njerëzve duke ju shërbyer dhe i mbrojtur, kudo ku ata janë dhe sa herë që kanë nevojë. Në një vend normal policia "shihet nga afër" në veprim, duke mbrojtur jetën, pronën, rendin publik.

Por, në Shqipëri qeverisja konsiderohet si spektakël, prandaj dhe zgjidhja për një problem tjetër është gjithmonë një spektakël tjetër. Përballë dështimeve të policisë në mbrojtjen e jetës e pronës dhe luftimit të krimit; dhe në kushtet e një krize në imazhin e policisë, Ministrit të Brendshëm dhe të vetë Kryeministrit, të akuzuar shpesh për favorizim apo lidhje me krimin; nuk është çudi që Kryeministri Rama ka zgjedhur të vetmen qasje që ai njeh për të qeverisur: të organizojë një tjetër spekatakël, këtë herë me policë.

Në qeverisjen-spektakël pamja zëvendëson përmbajtjen, ndaj Kryeministri ynë në vend të flasë për gjendjen e rendit dhe të sigurisë, për parandalimin e krimit apo tregues të tjerë të qenësishëm të punës së policisë, ai flet, sikurse sot, për përpjekjet për të arritur "standardet estetike të policive europiane".

Kur qeverisja përceptohet si spektakël, veshja e policisë merr më shumë rëndësi se sa veprimet dhe rezultatet e policisë--veshjet e reja të policisë festohen si një arritje e madhe, si ngjarje modernizuese që do të ndryshojë jetën e njerëzve. Para pak më shumë se një viti, qeveria prezantoi blerjen e uniformave të reja të policisë, përmes një fushatë të gjatë dhe të ngjeshur aktivitetesh deri në absurd, sikurse ishte ai i organizimit të një ceremonie spekatakël ku vetë ministri në skenë prezantonte uniformat si në një sfilatë mode.

Por kaq duket se nuk ka mjaftuar. Qeverisja që vepron si një agjensi spektaklesh duket se ka planifikur një tjetër shfaqje me uniforma: sot Kryeministri Rama njoftoi se "së shpejti, do të bëjmë dhe një prezantim madhështor të të gjithë uniformave të reja që do ta përfshijnë edhe Policinë tonë të Shtetit në standardet teknike dhe estetike të policive europiane."

Më poshtë janë disa fotografi nga panairi i policisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama