Putini duhet te merret seriozisht!

Putini duhet te merret seriozisht!

Në vitin 500 para erës sonë, në librin “Arti i luftës”, Sun Tzu shkruan: “Nëse e njeh armikun dhe veten, nuk ke pse të frikësohesh nga rezultati i 100 betejave.”  Sot, në vitin 2013 është koha që presidenti rus, Vladimir Putin të merret seriozisht. Duhen zhvilluar strategji serioze për t’u marrë me një njeri serioz si ai, i cili ka qenë në krye të Rusisë që prej vitit 1999. Pa dyshim, ai është lideri më efektiv në botën e ditëve të sotme.

Anullimi i samitit të G8 në Soçi të Rusisë ditën e hënë ishte më e pakta që mund të bëhej. Padyshim që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk mund të hiqeshin sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Metoda simbolike dhe taktike, simbol i politikës së jashtme të qeverisë Obama, është e rrezikshme, deluzionale dhe e paaftë për të kuptuar ose për t’u përballur me një lider serioz si Putin.

Në fakt, ka një rrezik të madh se kombinimi i fjalëve të fuqishme dhe veprimeve të dobëta (thelbi i liberalizmit simbolik) do ta bëjë Putinin të besojë se mund të vazhdojë me rindërtimin e Perandorisë Ruse, duke përthithur gradualisht pjesë të ndryshme të periferisë.

Në vitin që festohet 100 vjetori i Luftës së Parë Botërore, rreziku do të shtohet në mënyrë dramatike nëse Putini vendos të rrisë presionin mbi Estoninë, e cila është anëtare e NATO-s.

Largim nga bota e Disney-t

Por ka një rrezik tjetër më të madh. Liberalizmi simbolik ka logjikën e vet dhe jeton në botën e fantazisë. Ai i preferon sanksionet, pasi ato janë joushtarake dhe jo të dhunshme. Presidenti Obama dhe aleatët tani po flasin për ta vënë Putinin nën presion, përmes sanksioneve të ndryshme. Megjithatë ka tre gjëra që i bëjnë sanksionet ndaj Rusisë një lojë të rrezikshme dhe pa përfitime.

Së pari, Rusia është një shtet i madh me shumë burime natyrore. Putini mund të kompensojë çdo zyrtar të sanksionuar nga Perëndimi. Nëse amerikanët nuk tregohen të kujdesshëm, rusët do të luten për t’u sanksionuar, duke shtuar prestigjin në botën e Putinit dhe duke u shpërblyer prej tij.

Së dyti, ka shumë vende që kujdesen më tepër për të ruajtur raportet me Rusinë dhe për të nënvlerësuar Shtetet e Bashkuara. Kinezët nuk kanë shfaqur interes për t’u bashkuar me koalicionin anti-Putin (në fakt, ato mund të jenë duke studiuar manovrat e Putinit në Krime si një precedent i nevojshëm për të rimarrë territoret që pretendojnë). Kinezët, si liderët e shumë vendeve janë të lumtur t’i shohin ShBA-të të përfshirë në një luftë, që ul kredibilitetin e Amerikës, tërheq vëmendjen e liderëve amerikanë dhe nuk ka asnjë përfitim. Është shumë e vështirë të parashikohet sesi regjimi i sanksioneve do të ndikojë seriozisht Putinin.

Së treti, ka një sërë rrugësh sesi rusët mund ta vështirësojnë jetën për ShBA-të dhe aleatët e tyre. Putini ka treguar tashmë se do t’i përballojë sanksionet ndaj vizave të udhëtimit me sanksione të njëjta ndaj zyrtarëve amerikanë. Rusia ka qenë shumë mbështetëse ndaj Iranit dhe ndaj rrugës veriore të ndihmave amerikane për forcat në Afganistan. E gjitha kjo mund të përfundojë. Ka një numër të madh kompanish amerikane me investime të mëdha në Rusi. Qeveria ruse mund të bëjë shumë duke blerë dhe shitur obligacione dhe duke manipuluar tregjet e vajit dhe të gazit. Ka shumë armë ruse që mund të përfundojnë në duart e anti-amerikanëve. Mungesa e bashkëveprimit do të kthehet në një rrugë me dy korsi!

Merrni frymë thellë

Kjo nuk sugjeron që nuk duhet të bëjmë agjë, por se duhet të marrim frymë thellë dhe të kuptojmë që jemi në skajet e një problemi shumë më të madh, që nuk mund ta zgjidhë vetëm retorika simbolike dhe krizat publike. Amerikanët nuk dëshirojnë një luftë të madhe me Rusinë. As një Luftë të Ftohtë të re që i frikësohen mos e humbasin. Ata kanë nevojë të mendojnë në mënyrë strategjike, të bëjnë plane strategjike dhe të vendosin qëllime dhe mënyra për t’i arritur ato. Hapi i parë në planifikimin strategjik është njohja e kundërshtarit, siç ka thënë Sun Tzu, më tepër se 2500 vjet më parë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama