Pranvere e ngrysur ne Kumanove

Pranvere e ngrysur ne Kumanove

Për banorët e Kumanovës 9 maji nuk ishte ditë e zakonshme pranvere ku mund të shijohej era e gjelbërimit. Retë e zeza që kishin kapluar qytetin me të zbardhur drita, gjatë ezanit të mëngjesit kishin tmerruar që në mëngjes banorët e qytetit të Kumanovës.

Kësaj here nuk ishin natyrore, ata i solli faktori njeri. Krismat nga armë të ndryshme kishin zgjuar banorët e “Lagjes së Trimave”, duke hutuar gra, fëmijë e pleq, duke mos ditur se çfarë po ndodhë.

Se çfarë po ndodhte në të vërtetë në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës nuk e dinte askush. Lagjja ishte rrethuar me polici të njësiteve speciale dhe po dëgjoheshin krisma të shumta. Pas një kohe të gjatë Ministria e punëve të brendshme do të konfirmojë se policia ka zbuluar një grup të armatosur, në këtë lagje, dhe po punon për shkatërrimin e saj. Grup ky që sipas raportit zyrtar të MPB-së kishte planifikuar sulmin e institucioneve shtetërore.

Qytetarët e Kumanovës jashtë lagjes ku zhvillohej përleshja e armatosur mes forcave policore dhe grupit të armatosur shprehnin shqetësim për popullatën civile që ndodhej brenda lagjes, e cila ishte në shtet-rrethim. Jepeshin informata të ndryshme, jo zyrtare, dhe defokusonin opinionin. Për qytetarët në plan të dytë ishte se kush me kë po luftonte.

Banorët e kësaj lagje kohë pas kohë zbritnin dhe evakuoheshin, nëpër shtëpitë e familjarëve që ishin larg lagjes së Trimave apo nëpër fshatra. Në fytyrat e personave që lëshoheshin nga “lagjja e trimave” vërehej trishtim, ata nuk mundnin të prononcoheshin as para gazetarëve, lotët kishin mbuluar fytyrat e tyre të pafajshme.

Shtëpitë kishin nisur ti zbrazin edhe qytetarë tjerë nga Kumanova, nga frika se mund të eskalojë situata.

Ashtu si afrohej errësira ashtu mjegulloheshin edhe informacionet mbi ngjarjet brenda lagjes ku po zhvillohej përleshje e rreptë mes forcave policore dhe grupit të armatosur. Flitej për të vdekur, për të lënduar, për të arrestuar e asgjë nuk ishte zyrtare ishte e pamundur të vërtetohej ndonjë informacion që vinte prej brenda, duke e pasur parasysh faktin se s’lejohej njeri të hynte brenda lagjes, qoftë edhe gazetarë apo pjesëtarë nga faktori ndërkombëtar.

MPB-ja në pres konferencën e saj në ora 22 e 30 minuta tha se aksioni i marr nga forca policore që nga ora 5 e mëngjesit kishte mbaruar dhe se me vete kishte marr edhe viktima. 8 polic të vrarë, 37 të plagosur ishte raportimi zyrtar i MPB-së. Për viktima civil nuk kishte të dhëna zyrtare.

Mëngjesi i 10 majit në disa raste demantoi raportin zyrtarë të MPB-së që thoshte se aksioni kishte marrë fund. Rruga drejt “lagjes së trimave” ende ishte e bllokuar ndërsa herë pas herë u dëgjonin edhe krisma sporadike. Kështu deri në mesditë, më pastaj situata ishte qetësuar, krisma nuk dëgjoheshin. Në gjithë qetësinë e qytetarëve shpërthente kureshtja se çfarë po fshihej në “lagjen e trimave” në gjithë këtë heshtje që mbretëronte, po aty.

Pasdite, OSBE pas një bisede me policinë iu kishte dhënë leje që të shkojnë në lagjen e trimave për tu njohur me situatën edhe prej afër. Pas kthimit të ekipit të OSBE-së nga “lagjja e trimave” rreth orës 20:00, është liruar rruga për në lagjen e trimave. Terri tashmë kishte ra, por ajo që pa syri njeriut, në vendin ku kishin ndodhur 17 nga përleshja e armatosur, ishte më e errët se vetë errësira.

Shtëpi të djegura me themel, që të lenin përshtypjen se këtu një jetë e dytë është vështirë për tu filluar.

Në mëngjesin e 11 majit stafi i gazetës “Lajm” vizitoi “lagjen e trimave”, konkretisht mëhallën ku ishin përleshur forcat speciale policore dhe grupi i armatosur. Fotot që kapi kuadri i “Lajmit” ishin tmerruese. Për 17 orë përleshje aq dëm i madh të krijonte bindjen se arsenali ushtarak i gjithë botës të ishte harxhuar pikërisht aty.

Mëhalla në fjalë, në “lagjen e trimave” ishte bërë qendër e qytetit, nga të katër anët vinin njerëz për ta parë gjendjen e shtëpive të djegura. Pamjet ishin skajshmërisht trishtuese. Tek secili nga personat që i vizitonin shtëpitë e shkatërruara mbretëronte pyetësor i madh, për qëllimin dhe prapavijën e këtij aksioni.

“Lajm” bisedoi me dy ish të arrestuar ditën e luftimeve, që vijnë nga familje të ndryshme. Ata për ne ekskluzivisht kanë rrëfyer për përjetimet në stacionet policore të Shkupit.

“Kur janë dëgju krismat të gjithë jemi strehu në një dhomë, ka pas shumë krisma kemi qenë të gjithë të habitur, nuk di si me përshkru. Rreth orës 6-të të mëngjesit kur erdhën policia, bërtita ndihmë, ndihmë, … na thanë ngritni duartë lartë, na kanë shtri për tokë. Pastaj, na morën dhe na dërguan në anën tjetër të lagjes. Kemi qenë 11 anëtarë të familjes me gra, fëmijë dhe pleq. Një djalë i vëllaut është plagosur, në krahë e kanë qëlluar, por i dhanë ndihmë mjekët kur na dërguan në stacionin policor në lagjen Autokomandë- Shkup. Na pyetshin se a kemi parë diçka apo a keni dëgjuar. Ju thash se asgjë s’kam parë, e as s’kam ni, unë kam problem më të pamurit”, ka deklaruar për “Lajm” Qamil Azemi, banorë i “lagjes së trimave”- Kumanovë.

Fitor Seferi, anëtarë në Këshillin komunal të Kumanovës nga PDSH ka qenë i arrestuar së bashku me gjithë familjen, duke pëfshirë gra e fëmijë.

“Në mëngjesin e hershëm rreth orës 5, dëgjuam krisma dhe pastaj u strehuam në podrum, sepse nuk e dinim se çka po ndodhë, aty ishim e gjithë familja. Qëndruam deri në 6-të mbrëmjes, edhe pse patëm një tentim tjetër më herët, na kthyen mbrapa, në tentiminm e dytë dulëm, jashtë na radhit policia na kontrolluan, në një moment patë gjuajtje rafalli dhe për një moment u pozicionuan pas hermelinave, ne për një moment u mbështetëm për muri dhe brenda një orë e gjysme qëndruam nën të shtënave të tyre. Ata bënin edhe “filma”, sepse këto shkatërrime që janë bërë, nuk është se ka qenë e nevojshme. Pas një orë e gjysmë pasi e dhezën shtëpinë ku gjuanin, na morën neve na tërheqën, na hypën në automjetet e tyre dhe na çuan në Shkup, na kanë shpërndarë nëpër stacione të ndryshme. Nuk dinim për fatin e familjarëve. Kështu që gratë dhe fëmijët i kanë liru në mëngjes, rreth orës 8 ditën e nesërme”, rrëfen Seferi për “Lajm”.

Fizikisht nuk ishim të keqtrajtuar –thotë Seferi- por, psiqikisht shumë, non-stop ishim të pyetur nga inspektorët e policisë, ajo ishte torturë psikike.

Në tentim për ta rrëfyer rastin mëtutje Fitor Seferi i shqetësuar, me lot nuk mundi ta përshkruaj rastin kur në stacion ia kanë sjellë djalin 15 vjeçar me ranga në duar.

Banorët e kësaj ane nuk duan më skenar të këtilla. Ky rajon ende nga konflikti i vitit 2001 nuk e ka marr veten dhe nuk e meriton një luftë të dytë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama