Pse rrezikohet realisht Berati nga UNESCO?!

Pse rrezikohet realisht Berati nga UNESCO?!
Centralizimi i frikshëm i pushteteve, shuma e madhe e komisioneve dhe tenderave që duhet të mblidhen për çdo punë nga Drejtoria Rajonale(dhe kur mblidhen fondet, s’ka kohë), ndërtimet pa leje, heqja e kompetencave bashkisë për të qenë më afër trashëgimisë së vet, ka bërë që degradimi në Berat i qendrës historike dhe elementëve të saj të duken hapur. Po bien muret e kalasë, po dëmtohen shtëpitë prej vonesave të fondeve, kurse ikonat janë të mbyllura prej vitesh, pa mundësi ekspozimi.

Edhe pse instancat në qytet mundohen të jenë afër njëra-tjetrës dhe të gjejnë gjuhën, pushteti i Tiranës e bën qytetin e UNESCO-s krejt të izoluar. Për këtë nuk do shumë logjikë: të mjafton të bësh rrugën që të çon nga Lushnja në Berat ta shikosh me sytë e tu katrahurën...

Vladimir Skëndo, drejtori i Kulturës në Bashkinë e Beratit vjen ngadalë. Ka vendosur një kapele sportive në kokë dhe duket bajagi i ngeshëm. Në fakt, pak minuta më vonë kur shpjegon për obligimet e qytetit, s’është më i tillë. “Më thuaj ekzaktësisht, pyetjen”, më drejtohet në zyrën e vet shumë modeste, ku përballë i qëndron një flamur i ekipit të futbollit “Tomorri”, ndërsa në tavolinë një libër për kulturën arbërore të Beratit e studiueses të njohur Hëna Spahiu.

Pas pyetjes, përgjigja është e drejtpërdrejtë dhe shumë e thukët: “Neve nuk kemi asnjë përgjegjësi ligjore për atë që ndodh në zonën historike, pasi ajo menaxhohet nga Drejtoria rajonale e monumenteve”. Por, qyteti na dhëmb, më sqaron. Në një propozim që ka bërë për mendimet e ligjit për Trashëgiminë, mes shumë kërkesave, ai ka shtruar dhe pikën shumë interesante sipas të cilës “Fondet për Trashëgiminë kulturore për qytetet në mbrojtje nga UNESCO, duhet të përcaktohen dhe një përqindje detyruese e tyre në ligj nga buxheti qeveritar për këto qytete duhet të jetë permanent”. Gjë e cila e përkthyer më thjeshtë do të thotë se pushteti lokal të mos varet nga qeveritë që ndryshojnë dhe idetë e tyre, por po ashtu të ketë një kuotë për Pushtetin Vendor në mënyrë që  të detyrohet me ligj të paguajë një pjesë të parave...

Gati, të njëjtat gjëra por me një gjuhë të pastër institucionale, i përsërit kryebashkiaku Nasufi. I ngarkuar me shumë punë, autoriteti është shumë i interesuar që qyteti të ketë frymëmarrje tjetër, por është një gjë e cila nuk ndodh.”Mjafton të shikosh rrugën që të sjell në Berat dhe do të gjykosh për atë që po ndodh...”, më thotë. Po punojmë shumë, shton- dhe qyteti është në disa rrjete ndërkombëtare të qyteteve historike. “Tani po punohet për disa elementë sizmikë në anën perëndimore të kalasë, ku kanë rënë dhe muret. Nga pikëpamja e dokumentacionit kemi bërë dhe strategji si bashki të zhvillimit të turizmit, ku janë disa projekte në faza të ndryshme që duan fonde me aplikime, nga pushteti qendror dhe nga donatorë. Jemi në negociata edhe me Fondin Amerikan të Zhvillimit. Një tjetër projekt simbolik është fondacioni i Sadi Petrelës, Revato, ku po punohet në disa çati dhe evidentimin e 140 banesave e objekteve për ndërhyrjen e tyre sipas burimeve të financimit. Alarmi i UNESCO-s është i drejtë jo në sensin e sensibilizimit, por në vëmendjen që duhet të tregohet në rrënimin që po pësojnë vlerat muzeale.

Qytetit i mungojnë pesë muze?!” Biseda rrjedh në disa drejtime dhe ajo që kupton e që përbën shqetësim për të është se qytetin më shumë e kanë ruajtur vetë njerëzit e Kalasë, Mangalemit, Gorricës, Çelepiasit sesa institucionet. Kur, pak minuta më pas do jemi në Tabe në Kala, ke mundësi të shikosh vetë dorën moderne në qytet, që e ka katranosur shqetësueshëm. Investimi i ri i BE-së ka ndryshuar disi kalanë sepse janë futur sistemet e ndriçimit, por ama s’e ka shpëtuar dot kalanë. Lika Qemeri, një burrë që banon në Kala, më shpjegon se punët që bëjnë më shumë i prishin sesa i rregullojnë. Më tregon se kalldrëmet e rrugës vërtet janë bërë, por aq keq saqë uji futet i gjithë brenda. Historia s’mbaron këtu. Tomi, 55 vjeçar, më lidh me një histori tjetër. Teksa ngulemi sëbashku në Tabe, më flet sesi Mangalemi dhe qyteti po shkatërrohet nga kalimi i makinave të tonazheve të mëdha që e kalojnë mu në mes Beratin. “Ishte llogaritur të ecnin kaloshina, që të mos prishej dhe jo makina disa tonësh. Por ç’ti bësh politikanëve”.

...Qyteti është konturuar deri në gjysmën e parë të shekullit të XIX, por më duket e padrejtë të rreshtoj veçantitë e këtij vendi sepse për Beratin është folur aq shumë sa bëhesh vërtetë i bezdisshëm. Që nga sipër, me mikun tonë që na shpjegon sesi humbi prej pakujdesisë varri i Babë Dudë Karbunarës, si janë prishur shtëpitë gjigande të Haxhistasëve, ndërhyrjet kudo dhe shtëpitë e rrënuara, të kap realisht tmerri. Duket se beratasit e sotëm janë larg atyre të dikurshmëve. Ata që e menduan qytetin, fillimisht dolën jashtë kalasë dhe u vendosën më shumë në kodër, kurse bënte përjashtim vetëm lagjja Murat Çelepiu dhe varoshi. Qyteti ka qenë kufizuar nga depozitimet e lumit, ku nga lindja kufizohet me fushën e Uznovës, nga jugu me malin e Drobonikut nga perëndimi me malin e Ozumit, kurse nga veriu me skajin jugor të fushës së Otlakut. Pas prishjeve masive që u bënë në qendër dhe në vende të tjera për truall, u zhdukën shumë vlera historike...Këtë fat pësoi edhe qendra e Beratit me dyqanet e zejtarëve grupuar sipas llojit të zanateve, me dy vend-pazaret e bukur të drithit dhe bulmetit shtruar me gur, që ishin në rreth.

Mu këtu ishin godinat e administratës (më e bukur ajo e prefekturës), kurse xhamia e Plumbit, e Telelkave, e Mehqemesë, e Zybës dhe ajo e Beqarëve formonin një gjysmë hënë. Të gjitha këto ishin një ansambël arkitektonik i tipit mesjetar që tashmë është shkatërruar disi, por që në vetvete ruajti karakteristikat, që e bëri bordin e UNESCO-s të vendoste me shumicë votash për të. Në fakt, sot janë dëmtuar shtëpitë, sepse privatët s’mbajnë dot më, kurse më keq akoma, janë muret e kalasë, ku trakte të tëra muresh sot janë krejt të rrënuara, që bien më shumë në sy. Socializmi e shpalli “Qytet muze” më 1961, por duke e privuar nga mrekullitë e objekteve të kultit, të cilat shiheshin me kufizime. Deri më 25 maj 1930 ishin 11 lagje që identifikonin Beratin historik,  respektivisht Lagjja e Re, Murat Çelepi, Goricë, Mangalem, Kala, Sikush, Hevlek, Breg, Hysen Ngjalë, Uzgur, Vakuf...dhe që përbënin sharmin mesjetar në kohën e re, që sot ka humbur krejt.

Pa leje dhe frika nga zjarri

Qyteti u dëmtua shumë gjatë socializmit nga përpjekja për t’i dhënë qytetit shumë atribute industriale dhe nga zhvillimi i stërmadh. Qyteti i ri mbushur me ndërtimet uniforme dhe krejt pa shije, vendosur pa ndonjë sistem të qartë. Kjo e shëmtoi edhe më shumë imazhin e Beratit, për të mos kujtuar fushatën e egër të vitit 1967, e cila e kufizoi shumë pjesën fetare dhe objektet e kultit nuk mund të shiheshin më. “Në fakt kalaja u prish dhe nga ardhja e shumë çamëve pas tragjedisë së tyre. Regjimi e mbushi kalanë me ta, por ata ngadalë filluan t’i imponoheshin vendit. Ata blenë shtëpitë më të këqija pak nga pak dhe më vonë ekspansioni i tyre u shty shumë. Por, ata janë nga shkaqet e para që ky vend u prish”, më thotë një Kalari, që ka siklet t’ia përmend emrin.

Pa asnjë dyshim, qyteti u dëmtua krejt në vitin e tmerrshëm 1997, kur qyteti pati një nga vulat më të këqija të parregullsisë në vend. Kalaja u pushtua nga ndërtime pa leje dhe arroganca e të fortëve. Janë ende 42 syresh ku askush nuk vë dorë dhe me sa duket nuk ka fuqi. Në kohën tonë, lagjet karakteristike filluan të ndjejnë peshën e mbajtjes së shtëpive private, kur shteti nuk mund të ndërhynte më. Tani me ligjet e reja, Drejtoritë rajonale të monumenteve kanë tagër vetëm të identifikojnë dhe pastaj të bëjnë tender ose të kërkojnë fonde. Kuptohet se kur vijnë fondet (edhe pas një viti), dëmtimi është tre ose pesë fishuar . “Shtëpitë e braktisura dhe heqja e autoritetit të mëparshëm, ku Drejtoritë Rajonale ishin më efikase dhe kishin skuadra specialistësh që punonin, tashti u zëvendësua nga ndryshimi i vazhdueshëm i strukturave”, më thotë Tomi, që  dikur ka banuar në Kala. Por për Lonik Çuedarin, drejtorin e Monumenteve në qytet, gjërat s’janë fare shqetësuese. “Berati ka 5 vjet në UNESCO dhe në korrik mbush të 5-stin. Ka hyrë në këtë stad, por gjërat kanë ndryshuar dhe unë mendoj se janë për mirë. Në këto pesë vjet janë rritur investimet dhe ka pasur vëmendje nga pushteti qendror dhe lokal.

Më shumë nga pushteti qendror. Ai ka investuar. Fonde ka pasur edhe nga donatorë të ndryshëm dhe nga organizata të ndryshme jo qeveritare. Kemi qenë partnerë me Institutin e Monumenteve, ministrinë, Bashkinë e Donatorë. Kemi qenë dhe partnerë sepse aplikojmë në projekte me BE-në. Ne kemi teknikë, meshtra, arkitektë”. Për funksionarin, që me sa dëgjoj është me LSI-në, gjërat janë si s’ka më mirë. Të 22 njerëzit e tij punojnë, por është e kuptueshme se nuk punohet më si më parë se prona është private dhe mjafton sepse teknologjia e restaurimit është përmirësuar. Burri e shtron punën, por e kam të pamundur të shikoj gjendjen e ikonave, ashtu si ka justifikim dhe për prishjen e mureve të kalasë dhe Beratin tjetër, që në fakt për ne shqiptarët nuk përbën më asnjë interes. “Kuptohet se ka problematikë, më thotë në fund- se duhen shumë fonde e angazhim. Është e vështirë se të gjithë banesat janë private dhe ne flasim me pushtetin lokal...”
...
Berati duket i mbaruar dhe për ne ka trendin e të gjithë gjërave kulturore shqiptare. Letra e burokratëve të UNESCO-s për të dhe Gjirokastrën thjesht i tundi pak nga gjumi i thellë, kur u kujtoi se shteti duhet të përcillte pak më shumë fonde: Të bëhen të qarta qëllimet e shtetit për të kryer një projekt të madh restaurimi në Kalanë e Beratit dhe kërkon që pala shtetërore të paraqesë të gjitha detajet në Qendrën e Trashëgimisë Botërore, për vlerësim nga organet këshilluese, para fillimit të çdo pune. Fjalë, që mohohen nga zyrtarët, siç bëhet zakonisht tek ne. Këto ndajmë dhe me qytetarët, që presin dorën e shtetit, pasi sot të papunë dhe në pamundësi, e kanë të pamundur të mirëmbajnë vlerat që u la historia.

Epo, ç’të thuash më? Tomi vetëm na qesh. E di që asgjë nuk do ndryshojë. Edhe në e sime në fakt. Të mjafton të shohësh realisht rrugën, që të pret në kthim drejt Lushnjes me gropat e pafundme, e vlefshme për garat rally. Këtë se shohin burokratët e Tiranës, që bëjnë plane në fb dhe Twitter.  Është pranvera e parë e vitit 2013. Mbase Berati në Verë nuk do jetë më qytet i përkëdhelur nga UNESCO...Prej padijes dhe politizimit tonë idiot edhe në fushën e trashëgimisë.
***
 
 
Berati, edhe pse po punojmë jemi vërtetë në telashe!
Flet për JAVA, Fadil Nasufi, kryetari i Bashkisë së Beratit. Problematika dhe shqetësimet me të cilat lidhet qyteti dhe si e priti reagimin e fundit të UNESCO-s për rivlerësimin e Beratit

 
“Ideja është se vërtetë që pas vitit 2008, kohë kur qyteti është në UNESCO, ekziston një axhendë më e pasur restaurimesh, planesh veprimesh, të cilat janë në akord edhe më qytete të tjera nën patronazhin e UNESCO-s në fushën e rrjeteve ndërkombëtare. Berati, sot, është anëtar i rrjeteve të qyteteve historike, anëtar i rrjeteve dhe arteve të Francës, anëtar i rrjeteve të qyteteve të Ballkanit etj. Në këtë kuadër, promovimi dhe futja në këto institucione është pozitive dhe e admirueshme. Në funksion të kësaj jemi pjesë edhe e shumë aktiviteteve ndërkombëtare.

Është një projekt SubCult, që e udhëheq Bashkia e Venecias, në të cilën janë 6 bashki dhe punohet për ngritje kapacitetesh, identifikime problematikash dhe projekte pilotë në identifikimin e qendrave historike. Nga projekti do dali një projekt i menaxhimit sizmik dhe i menaxhimit. Një projekt tjetër është “Urat e Ballkanit”. Ai drejtohet nga vetë drejtoresha e UNESCO, e cila do jetë vetë e ftuar në shtator në qytet. Është projekt i mirë dhe do identifikohen disa elementë: historikë, arkeologjikë, por impakti do jetë tek informacioni....

Tjetër risi është se ka një financim nga BE-ja prej 1 milion Euro, i cili po realizohet si projekt në sistemin elektrik, kalldrëmet dhe kanalizimet dhe pastaj edhe në muret e kalasë dhe më vonë edhe në fasadat e qytetit si aset turistik. Asnjëherë s’kemi pasur fond si këtë herë. Vimë në treguesin tjetër: detyrimet e qeverisë! Qeveria për të kapur trendin duhet të hedhë të paktën, një milion euro në vit për restaurimet dhe menaxhimet. Por, ky trend është në rënie. Edhe fondet janë reduktuar që nga viti 2009 e tutje dhe mënyra e organizimit të stafit të monumenteve tregon se janë ulur edhe kapacitetet. Nuk bëjnë mirëmbajtje të shpeshta. Dhe, këtu, çdo gjë e bëjnë me prokurim, ndërsa heqja e barërave, restaurimet e vogla, punimet teknike, etj, duhen bërë me punë të gjalla të përditshme dhe jo me procedura elektronike...Edhe kjo ngatërresa nga ana ekzekutive na lë vërtetë në dilema.

Ne ndërhyjmë dhe bëjmë kalldrëmet, por biletat i ka ministria dhe mbetemi në atë çfarë kalon në pushtetin qendror...Kemi bërë vazhdimisht kërkesa. E ka shprehur edhe vetë ministri në një takim, që kostoja e energjisë, p.sh., të likuidohet me vlerat e biletave. Edhe kjo, ende nuk është bërë. Momenti tjetër është se veç buxhetit të shtetit që nuk nxitet hap pas hapi, edhe kalendari dhe afatet nuk respektohen. Janë 42 objekte pa leje, që duhet të prishen në zonën e sistemit tampon. Berati s’është në rrezik megjithëse tranzicioni ka dhënë goditje të forta me ndërtimet pa leje. Dua t’ju sqaroj se s’është mirë që vinë të njëjtët ekspertë dhe japin të njëjtat gjëra për qytetin. Ka edhe një problem, i cili duhet të evidentohet dhe lidhet me faktin e disa vlerave të ikonografisë që ende nuk kanë fonde të restaurohen dhe të ekspozohen. Dhe, 400 prej tyre syresh janë sot ende në një magazinë”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama