Pse palet po e shtyjne seancen plenare? Exit Shpjegon

Pse palët po e shtyjnë seancën plenare?  Exit Shpjegon

Sikurse e kemi shpjeguar këtu në seancën e sotme plenare nuk mund të ketë propozime apo ndryshime të paraqitura nga deputetët. Kuvendi në seancë plenare mund të shqyrtojë vetëm draftin e plotë që i paraqitet nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi. Në seancë plenare thjesht votohet me "po" ose "jo": fillimisht votohet në parim drafti i reformës, pastaj votohen çdo nen një nga një, dhe në fund i gjithë drafti në tërësi.

Kjo do të thotë se nëse seanca fillon, ajo mund të shqyrtojë vetëm dratin e fundit të miratuar nga Komisioni i Reformës i cili nuk ka të përditësuara as propozimet e Ndihmës Sekretares së Shtetit Nuland dhe as të Komisionerit të BE-së Hahn.

Në fakt, duket se Zoti Xhafaj ka përditësuar jashtë mbledhjes formale të Komisionit, pra në mënyrë të paligjshme, një draft me propozimet e Zonjës Nuland, sipas interpetimit të tij, dhe e ka paraqitur atë sot në Kuvend zyrtarisht.

Për propozimet e Zotit Hahn, Kryetari i Komisionit të Reformës, deputeti socialist Fatmir Xhafaj u shpreh sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit se ka vetëm një email të Zotit Hahn por jo një propozim të tij.

Zoti Xhafaj nuk pranoi dje të mbledhë Komisionin e Reformës, pasi u kuptua se kishte mospërputhje në interpretimin e propozimeve të Zonjës Nuland dhe Zotit Hahn.

Edhe pse anëtarët demokratë dhe të LSI-së kanë pritur në sallën e mbledhjeve të Komisionit me orë të tëra për anëtarët socialistë, Zoti Xhafaj ka refuzuar të zhvillojë mbledhjen.

Pyetjes së sotme të Kryetarit te Kuvendit Meta pse nuk e mblodhi Komisionin Zoti Xhafaj i është përgjigjur se "nuk marr urdhëra nga ty."


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama