Presidenti Nishani takon protestuesit tek Parku i Liqenit

Presidenti Nishani takon protestuesit tek Parku i Liqenit

Një ditë pas takimit të parë më grupin e qytetarëve kundër ndërtimit të paligjshëm të këndit të lojrave, Presidenti Nishani vizitoi sot protestuesit tek Parku i Liqenit.

Zoti Nishani shprehu solidaritetin e tij me këtë lëvizje qytetare , dënoi shkeljen e ligjit dhe dëmtimin e të vetmes hapësirë të gjelbër në Tiranë.

"Askush nuk mund të zëvendësojë ligjin dhe ne duhet të vëmë në funksionim shtetin ligjor" deklaroi ai, lidhur me paligjshmërinë e proçedurave të miratimit të lejes dhe të ndërtimit të këndit të lojrave në Park.

"T'u marrësh dhe t'u prishësh fëmijëve të Tiranës parkun e vetëm dhe pronën e vetme publike, është vandalizëm me të cilin nuk mund të pajtohet askush," u shpreh më pas Presidenti.

Lidhur me reagimet e ashpra të Kryebashkiakut Veliaj ndaj Presidentit pas takimit me qytetarët, Zoti Nishani tha se kjo nuk është hera e parë që sulmohet politikisht, dhe se pikërisht, lëvizje qytetare si kjo për mbrojtjen e parkut dhe ligjshmërisë janë ato që do të emancipojnë shoqërinë dhe politikën. "Le t'i lëmë ata që akuzojnë dhe shantazhojnë qytetarët e Tiranës, le t'i lëmë në botën e banalitetit," tha ai.

Takimi i djeshëm mes qytetarëve dhe Presidentit Nishani u zhvillua në Presidencë. Zoti Nishani u shpreh i gatshëm të ndjekë ecurinë e procesit gjyqësor në Gjykatën Administrative, veçanërisht shkeljen e Konventës Aarhus për përfshirjen e publikut në vendim-marrje.

Ai gjithashtu, ofroi mbështetje dhe asistencë ligjore për qytetarët nëse çështja e tyre kundër Bashkisë Tiranë shkon në Gjykatën Kushtetuese.

Artikuj të bashkëlidhur:

Presidenti Nishani takon një grup qytetarësh që kundërshtojnë ndërtimin në park

Deklaratat e Kryebashkiakut Veliaj për Presidentin Nishani - Pa koment


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama