Prekja e shqipes krim qe do e paguajme shtrenjte

Prekja e shqipes, krim qe do e paguajme shtrenjte

Intervistë e “JAVA”-s me artistin e njohur të skenës dhe ekranit Reshat Arbana. Si e shikon ai realitetin e sotëm të shtetit shqiptar, kujdesin e munguar për kulturën dhe problemet e gjuhës shqipe. Si i gjykon politikanët shqiptarë dhe moralin e sotëm, religjionin dhe qytetin e tij të lindjes Tiranën. A e frikëson vdekja?!

Reshat Arbana ruan ende një fizik të mirë edhe pse pak vite më parë iu nënshtrua një operacioni të vështirë, që për pak i mori jetën. Kjo e bën ende impozant para njerëzve të zakonshëm dhe me një aurë, që e bën një njeri krejt të veçantë. Zëri i thellë ia gdhend figurën. Anipse, tiparet e bëjnë ‘të paafrueshëm’. Por në këtë ‘vrazhdësi’ punon një zemër që vuan për njerëzit e tij, profesionin që është gjithnjë e më shumë larg për t’u bërë, edhe pse mundësitë ende i ka.

 

Shpesh i drejtohet me shpirt religjionit, por trishtimi i kthehet sërish. Ajo vjen nga trajtimi mizor që po i bëhet shqipes, sipas tij, dhe përpjekjet për përçudnimin e saj. Këtu dhimbja i shkon në asht, sepse nuk mund të durojë. Të kujton një poezi të Ali Asllanit “Maskarenjtë” dhe befas ta reciton të plotë. Kjo s’mjafton sërish. E keqja nuk ka fund. Ndaj e dua dhe dialektin e veriut, thotë dhe e kuptoj pse Fishta zgjodhi atë dialekt, “të pakuptueshëm”: që t’i dërrmonte të këqijtë. Adhuron Kutelin dhe mënyrën sesi e përkëdhel ai shqipen dhe i adhuron të gjithë autorët që i bënë lapidar shqipes. Ka mall për kolegët e vjetër dhe shpotitë e tyre, por edhe rolet që bëri me ata në teatër. Kujton “Familjen e Peshkatarit” dhe rolin që e bëri, të ngjitej vetëm sipër, ashtu si edhe shumë e shumë të tjerë deri të fundit, pak muaj më parë te “Ada”.

 

Nuk ka nostalgjia qaramane dhe nuk do çmime, ashtu si e quan të neveritshme të lavdërojë kot. Kur e pyesim për vdekjen, e merr me  qetësi dhe të thotë se është i përgatitur dhe madje është i dëshiruar të mos ketë përcjellje si ato që janë bërë deri tani në Teatër Kombëtar, që i duken të stisur. Dua njerëzit e mi dhe fare thjesht, sqaron burri, që për fat është ende aktiv. Vërtetë, pak orë më vonë, niset në Shkup në një aktivitet, pasi është një ambasador lëvizës i shqiptarëve. Zëri i tij është një nga monumentet e gjallë të kulturës shqiptare. Këtë e ndjen nga timbri i mrekullueshëm, që të bën të mos i ndahesh së dëgjuari. Por, koha ka logjikë tjetër. Ndahemi për një herë tjetër.
 
 
I nderuar z.Arbana, në kohët e fundit është duke u folur shumë për standardin e shqipes. Ndërkohë përpjekje të ndryshme e shikojnë si shumë të lehtë prekjen dhe modifikimin e vet. Si një nga përçuesit më të njohur të shqipes, si e përjetoni këtë debat, që nuk rresht?


“Të prekësh shqipen dhe elementët tonë të identitetit, është një krim jashtëzakonisht i madh. E ndjej se kjo është bërë më e pranishme, madje edhe shkrimtarët shkasin nga mënyra logjike e ndërtimit të fjalisë. Tekstet ngarkohen me fjalë, që ata mundohen t’i zbukurojnë e t’i zgjidhin ndryshe, por që nuk janë aspak shqiptare. Tekste, gjoja sikur janë shqip, por aq të ngarkuara me fjalë të huaja bëhen të lodhshme, thjesht ngaqë duan të thonë sesa intelektualë janë apo që vetëm ata i njohin fjalët e huaja dhe botën. Për mua, të ngacmosh shqipen është një krim që nuk do dimë si ta korrigjojmë dhe do ta paguajmë shtrenjtë.


Unë, vetë, kam ruajtur shqipen me bazën te standardi. Ama, di mirë të justifikoj atë që kanë bërë disa poetë në dialekt. Dhe, në recitim e kam ruajtur këtë regjistër. Për një poet të veriut që shkruan në gjuhën e vet dialektore, si është Fishta për shembull, përpiqem të  shkoj sipas fjalëve që ka thënë poeti i madh. Por, edhe në këtë rast, arrij t’i bëj të kuptueshme sepse për hir të së vërtetës është e vështirë t’ia japësh një banori të sotëm dialektin e vështirë të asaj kohe. Duke iu kthyer mundohem ta sjell sa më pastër dhe poezinë e bëj të tillë që të jetë e kuptueshme. Diku thotë: "Ata...shqiptarë e mërrut", për të theksuar fort atë që do të kumtojë.
 
Si ke arritur t’i nxjerrësh emocionet në këtë rast?


“Sigurisht që për mua, edhe kjo nuk më pengon që nga kjo mënyrë e të shkruarit të nxjerr emocionet dhe idetë e fuqishme që mundohet të hedhë Fishta për popullin të dëgjojë. Mesazhet e tij janë vërtetë të shkëlqyera. Migjeni, nga ana tjetër, nuk “e mundon” shqipen.  Fishta e bën me qëllim dhe e ka shkelur boshtin verilindor për t’i theksuar fjalët tamam, për të sjellë fjalët më të rënda të trevës sesi të urresh armikun. Migjeni është shumë modern dhe më vjen keq që duan ta fusin në disa hulli që si takojnë, si për shembull duke dashur ta quajnë revolucionar, komunist”.
 
Si ju duket reagimi i shtetit shqiptar, në vitet e fundit, sa i përket gjuhës, kulturës dhe problemeve të vendit?


“Shteti shqiptar, për fatin e keq, interesohet më shumë për probleme që nuk e shqetësojnë aq shumë popullin shqiptar. Zyrtarët e lartë merrem me probleme që kanë vetë dhe na servirin kinse përpjekjen se punojnë shumë, ndërkohë që e vërteta është ndryshe. Për mua të punosh është që të shqetësohesh për gjuhën shqipe: ta vësh atë në bazë të shëndoshë; apo nëse thua që punoj, duhet të provosh të rregullosh marrëdhëniet ndërshqiptare sepse nuk po dimë nga po ikim. Politikani është për mua pasqyrë e kombit, por sa turp është që shkojnë delegacione dhe nuk merren aspak vesh dhe na bëjnë me turp. Por, mbi të gjitha më vjen keq, që shteti ynë nuk punon për këtë vepër kaq të madhe siç është gjuha shqipe. Kemi një akademi që nuk di të përhapë perspektiva. E qoftë akademia e jonë dhe qoftë ajo e Kosovës, që deri vonë kanë punuar dhe janë përpjekur, tashti të zhgënjejnë”.
 
Meqë përmendët Kosovën dhe jeni një personazh, me anë të cilit kosovarët identifikojnë simbolikisht personazhet e tyre më të njohura, e kishit menduar ndonjëherë lirinë e saj. A e mendoje dikur bashkimin?


“Ka qenë ëndërr gjithnjë Kosova, por bashkimin që kam në shpirt, s’duhet bërë me zhurmë. Shkrirja duhet bërë gradualisht si ajo e dy vëllazërive. Kufijtë janë simbolikë. Vetëm se më shqetëson fakti që disa kinse intelektualë nuk janë aq për bashkimin e shqiptarëve. Kjo më shqetëson realisht dhe e konsideroj, pasi gjithsesi është një lajthitje. Po të bëhej një referendum i shqiptarëve këndej dhe andej, do dihej përgjigja pozitive. Ndaj them se bashkimi do vijë gradualisht duke fuqizuar marrëdhëniet ekonomike. Dhe kufijtë do mbeten thjesht ndërtesa”.
 
Çfarë të dhimbset më shumë nga kultura shqiptare e ditëve tona?


“Kultura vetë më dhimbet. Mënyra sesi ajo paraqitet. Shou më tremb dhe më dhemb nga mediokriteti. Fjalori i shëmtuar dhe komunikimi aspak dinjitoz më tremb, e habitem sesi  publiku aty prezent i duartrokit, apo sesi qeshin. Ndaj, Reshati pyet veten: Çfarë po ndodh?! Arti s’bëhet me grimasa dhe duke thënë fjalë të ndyra. Arti s’bëhet duke bërë kërcime si pelivan. Arti s’bëhet kurrë kështu”.
 
Cilat janë trishtimet që ndjen më shumë artisti Arbana?


“Më trishton mendimi që do ikim nga kjo dynja si fletët e pemës. Do ikin të gjithë për t’u lënë vendin të tjerëve dhe do marrim me vete vuajtjet, hallet, shijet e mira dhe të këqija, por do ikim më shumë me dhimbje për atë që se bëmë dot. Se kuptojmë atë që se bëjmë dot dhe themi do e bëjmë nesër. Sot, duhet konsideruar gjithnjë se është dita e fundit që e takoj një njeri dhe duhet bërë më e mira. Kjo më mundon”.
 
Keni jetuar në një lagje të vjetër Tirane. A jeni pak besimtar?


“E kam marrë besimin se ishim nga një lagje e vjetër. Kemi pasur dhe një xhami tonën, atë të Dine Hoxhës që e kemi bërë me kontributin tonë të besimtarëve të pellgut. Nuk kam pasur prindër besimtarë praktikantë por për bajramllëk dhe xhuma, ata shkonin herë pas here. Edhe unë kam shkuar dhe më ka pëlqyer mënyra sesi besimtarët merrnin avdes; si pastroheshin; si laheshin sytë e çdo gjë. Kemi nevojë shumë për besimin sepse sot ka njerëz me kostum Versace dhe ata gjenden në zyra të mira por që kanë mbetur injorantë dhe nuk janë larë...S’kemi mbase shumë, pasi kemi më shumë nga ata që lahen, por që janë larg halleve të popullit”.
 
Keni bërë shumë personazhe. Si u jeni afruar zakonisht personazheve?


“Unë si natyrë dukem i rëndë në dukje, por me ata që s’kam ndenjur. Që kam sjellë personazhe e ka një arsye të fortë. Unë kam ndenjur e rri me të gjitha kategoritë e njerëzve dhe më pëlqejnë ata. Kjo është ndihma më e madhe dhe sekreti im. Unë kam qenë vetë punëtor dhe e dua punëtorin. Se harroj një punëtor, mikun tim, që kish vënë te tornoja e vet parullën: Djersa nuk bëhet kurrë ujë nëna ime”.
 
Sa role keni interpretuar në karrierën tuaj më shumë se gjysmëshekullore?


“Në karrierën artistike pothuaj gjysmëshekullore kam interpretuar në më shumë se 300 filma që realizoi ish-Kinostudio. Disa, vërtetë janë pa emra të mëdhenj, por që për mua ruajnë vlera. E sot nuk bëhen dot as 2-3 filma në vit. I vlerësoj të gjithë filmat që kam bërë njësoj. Në karrierën time mendoj se ato dhjetra filma të realizuar më ndihmuan për personalitetin artistik”.
 
Cila është përgatitja juaj për t’u bërë aktor dhe si u bëtë i tillë?


“Rastësia më bëri aktor. Duhej të shkoja ushtar dhe një shoku im më propozoi të konkurronim për aktorë. Kisha dëshirë, në fakt të konkurronim. Miku im me shumë pasion dhe unë shumë vakët. Kisha përgatitur një rapsodi të veriut...Ushton Gryka e Dragobisë. Kisha bërë prova por më shumë me veten time. Fati, atëherë, ishte që kryetare ishte një ruse, Nina Çefranova. Unë si tiranas i druajtur edhe pse kisha luajtur në drama, kisha emocione. Atë quaj komision, nuk bëhesh aktor me të shtyme. Kryetarja i thotë përkthyesit të vet Kristo Jorgjit: “I thuaj ku punon?”-Jam në park të kamionëve, tornitor. “Do t’i flasësh e do ti mobilizosh punëtorët dhe zëre se je drejtori. Jeni në fund të muajit dhe ju duhet plani. U duhet të përmblidhen dhe të punojnë fort se duhet mbyllur plani”. -Nuk di ta bëj këtë, i them prerë. “Do e bësh këtë!”. Kjo mënyrë komunikimi i pëlqeu sepse në fund e vendosi vendimin e vet, duke thënë se kisha një vështrim shumë zhbirues. Pas dy ditësh, ikëm për përgjigjet. Shoku s’kish fituar, por unë po. Kjo më bëri diçka që të më nderojnë njerëzit se do e kisha ngrysur”.
 
Cilat janë rolet që keni më shumë për zemër?


“Janë shumë role të tilla. Janë pesë e gjashtë që them se nuk do t’i kthehesha dot më kurrë. ‘Dueli i heshtur’. Përballë vetes. Te ‘Luiza Miler’. ‘Fije që Priten’. Kanë qenë role të bukur sepse më kanë lodhur”.
 
Po rolet negative...


“Kam pasur role pozitive dhe negative. Se Ahmeti te “Dora e Ngrohtë” s’është negativ. Ai film ka shumë thyerje. Ndaj, kjo bëri atë që ky film të kishte plot 550.000 spektatorë. Anagnosti duhet ti hiqet kapelja për atë që ka bërë me vetëm katër personazhe te “Dueli i Heshtur”, që të mbash për një orë e gjysmë gjithë atë aksion”.
 
Cilët janë regjisorët me të cilët keni punuar mirë...


“Jam ndjerë në përgjithësi mirë. Anagnosti është i mirë. Viktor Gjika. Spartak Pecani. Në teatër, patjetër Pirro Mani, Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani etj.”
 
Çfarë kujton nga teatri i viteve të shkuara?


“Më ka mbetur në mend ai oborr plot me aktorë të mëdhenj dhe me personalitet të lartë. Aty mblidheshin personazhet e mëdha, që nga Kadri Roshi, Prokop Murra, Marie Logoreci, Violeta Manushi, Drita Pelingu, Gjon Karm, Ndrek Luca. Kam mall ti shoh dhe njëherë ata, seriozitetin sesi punohej apo figurat e krijuara në këtë institucion. Le të mblidhen dhe ta vënë dhe një herë në skenë ‘Arturo Uin’. Por nuk e bëjnë dot. Nuk jam pesimist, por nuk bëhet dot më ashtu si “Luiza Miler” e Agollit. Janë drama të fuqishme. Por duhet pasion dhe punë. Pasion dhe vetëm pasion”.
 
A duket sikur sot flitet shumë për art e kulturë dhe bëhet fare pak?


“Kjo është për mua fatkeqësia më e madhe. Ndaj, nuk më vjen të uroj, e të them kot se më pëlqeu. Nuk kam parë ndonjë gjë të veçantë. Për hipokrizi nuk e bëj. Uroj më kënaqësi të madhe kur bëhet një film i kulluar. Kurse teatri po shkon në një anë, ku mungojnë vërtetë figurat e vërteta. E besoj që nga ai oborr do të dalin figura, por duhet punë. Kurse, vrapimi pas parasë e prish shumë filmin. Është më mirë të punosh pa gojë për artin dhe punën tënde.  Është e gjatë jeta dhe tani më vjen keq që nuk po bëj një rol, pasi jam në gjendje ta bëj ndonjë gjë”.
 
Qyteti është mbipopulluar dhe është mbushur me të ardhur të shumë. A të dhimbset Tirana e sotme?


“Po si nuk më dhimbet. Çdo komunitet i qyteteve, qoftë ai i Përmetit, Pukës, Sarandës ka të mirë dhe të këqinj. Por, ata, që kanë ardhur këtu nuk na e dinë shumë për nder. Kjo tokë, ashtu si çdo tjetër, është e Zotit por e ka një njeri si zot pjesën e vet, ndaj më erdhi keq që të ardhurit zgjohen më shumë me kallashin sesa me fjalën. Tironsi, i sotëm, e ka të keqen me veten. Ai grindet me të vëllain për hiç gjë dhe kur e zapton një tjetër, as nuk ndihet. Nuk do siklete për vete dhe për familjen e vet. Nuk mendoj se është aq në rregull, kjo”.
 
Çdo fillim e ka një fund. Si e ka përballjen me vdekjen Reshat Arbana?
 
“Burri kur arrin 70 vjeç, apo 75 vjeç, qoftë edhe 80 vjeç, duhet ta quaj trimëri që u bë kaq. Nuk e di se ku do shkojë më shumë. Do shkojë në një botë tjetër, po në fund kjo s’ka rëndësi. Është një cikël që do mbyllet, gjithsesi. Më ka ndodhur një fenomen: ka disa vite që më shkon mëndja. Doja të më vinte ashtu shpejt se amanete nuk kemi, apo prona të lemë. Ka ardhur një kohë e keqe që nuk duam të shqetësojmë të tjerët, qoftë djalin, të renë dhe vajzën se kaq e ngarkuar sa është jeta nuk ke se çfarë bën...Deri para dhjetë vjetësh s’më shkonte mëndja, por tani kur shikoj ndonjë varr dhe kujtoj se e kam njohur të zotin, më tretet vështrimi në sarkofagun e tij dhe mendoj sesi është transformuar. Nuk vuaj shumë për këtë. Dua ta mbyll me nder e faqe të bardhë dhe të thuhet se e la diçka ky njeri...”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama