Polonia kerkon krijimin e Unionit Energjetik Europian

Polonia kerkon krijimin e Unionit Energjetik Europian

“Nuk është gjithçka keq”, ky është mesazhi që përhapet këto javë në Bashkimin Europian, kur flitet për varësinë nga gazi rus. Në fjalët e Komisionierit të BE-së për Energjinë Günther Oettinger, kjo tingëllon kështu: “Pavarësisht krizës aktuale gazi nga Rusia rrjedh në tregjet europiane”. Që kjo do të qëndrojë kështu Oettinger nuk ka asnjë dyshim. Të dyja palët varen nga njëra-tjetra dhe Rusia do të vazhdojë furnizimin. “Ne kemi nevojë për gazin rus në tregjet tona dhe Rusia ka nevojë për paratë nga Europa për qytetarët e saj”, tha ai në një konferencë për shtyp në muajin mars. Në Ukrainë situata është më ndryshe. Rusia ka tërhequr mbrapa premtimin që i kishte bërë Ukrainës për të ulur çmimin e gazit në muajin prill, premtim që ishte bërë gjatë qeverisjes së Janukoviç. Tani ukrainasit do të paguajnë çmimin e plotë për gazin, çka për ta do të thotë 44% më shumë.

 

Edhe në Poloni, ku më shumë se gjysma e gazit vjen nga Rusia, ekziston shqetësimi se Moska mund të përdorë varësinë e shumë vendeve europiane nga gazi i saj. Rusia mund të diktojë çmimin ose të përdorë pozicionin e saj si eksportuesi më i madh i gazit në Europë, për të bërë presion ndaj qeverive europiane.

 

Vizione të shtrenjta

 

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka përpunuar një propozim se si mund të shmanget ky rrezik: Sipas tij, Bashkimi Europain duhet të jetë më i bashkuar dhe të flasë me një zë të vetëm ndaj Moskës. Në këtë mënyrë, BE do të negociojë me Rusinë si një klient i madh.

 

Gazetari gjerman dhe eksperti i gazit Heiko Lohmann thotë se ky propozim nuk mund të ketë shanse të mëdha. “Ky do të ishte një ndryshim i madh i praktikave të tregut deri tani. Është e paimagjinueshme qe të realizohet një gjë e tillë, sepse çdo kompani ka kontrata të veçanta me Rusinë”, – thotë Lohmann. Lohman druhet se nëse importi i gazit do të negociohej nga BE, atëherë çmimi mund të ishte më i lartë. Deri tani, firmat private blinin gazin sipas kritereve ekonomike, mundësisht sa më lirë. Por nëse një aktor politik do të kërkonte furnizim me gaz sipas kritereve politike dhe morale, atëherë çmimi do të ishte më i shtrenjtë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama