Politikanet e BE-se tronditen nga pushteti i medias sociale

Politikanet e BE-se 'tronditen' nga pushteti i medias sociale

Pushteti po i kalon internetit dhe vetëm politikanët që i përshtaten këtij realiteti të ri do të mbijetojnë në të ardhmen. Ky është mesazhi që u dërgohet anëtarëve të Parlamentit Europian në prag të zgjedhjeve të BE-së.

“Pushteti po kalon nga hierarkia politike tek qytetarët dhe rrjetet e tyre sociale”, u shpreh për publikun ditën e mërkurë në Parlamentin Europian, Alec Ross, ekspert amerikan i medias sociale.

Ross, i cili ka punuar për ish-sekretaren e shtetit amerikan, Hillary Clinton, tha se të dyja institucionet, si BE-ja, ashtu edhe PE-ja, duhet t’i tërheqin votuesit online.

Të dhënat tregojnë se votuesit e rinj – sidomos ata që votojnë për herë të parë ose të dytë – në Europën Perëndimore, kalojnë mesatarisht pesë orë në ditë në rrjet. Ndërsa në Europën qendrore dhe lindore, kjo mesatare është gjashtë orë.

“Nëse nuk doni që mbështetja për ju të ulet, atëherë ajo që ju nevojitet është të jeni shumë më agresivë për t’i takuar votuesit e rinj atje ku ata ndodhen, pra, online”, tha Ross, duke iu drejtuar anëtarëve të PE-së dhe partive politike.

Ai shtoi se mënyra tradicionale binare “ideologji e majtë/e djathë” është zëvendsësuar nga binari “informacion i hapur/i mbyllur” dhe nga sistemet politike.

Megjithatë, liderët e BE-së, shpesh ndihen “të tronditur” nga ky ndërrim pushteti, pasi ata nuk mund t’i kontrollojnë më mesazhet, që disa vite më parë iu dërgoheshin votuesve dy herë në ditë përmes gazetave dhe televizioneve lokale në mbrëmje. Tani mesazhet rrezikohen që të transformohen, të shtrembërohen ose të njollosen nga ata që i marrin.

Mirëpo ky nuk është rasti i krijimit të një llogarie në Twitter ose Facebook, duke shpresuar se ajo do ta bëjë punën e vet. Anëtarët e PE-së, 400 nga 766 prej të cilëve janë aktualisht në Twitter, duhet të jenë aktivë, të ndershëm dhe t’i shkruajnë vetë përditësimet e tyre. Po ashtu, atyre iu duhet media sociale për t’iu përgjigjur pyetjeve të votuesve në Twitter ose Facebook.

Ministri finlandez për Europën, Alex Stubb, i cili poston rregullisht “foto vetjake” me votuesit e tij, u vlerësua se di sesi “ta përfshijë audiencën e tij”.

Ndërsa Joe Trippi, një strateg politik amerikan, tha se hapi më i rëndësishëm është ndërtimi i rrjeteve. Votuesit nuk i besojnë politikanët, por ata besojnë miqtë, kolegët dhe familjarët e tyre dhe pranojnë rekomandime sociale, kulturore dhe politike nga ata.

Mirëpo edhe platformat sociale janë të ndryshme. Twitter përdoret më tepër nga elitat politike, por një pjesë e madhe e “joelitave” gjendet në Facebook, ku janë të pranishëm një e treta e votuesve të BE-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama