Po Rama pro apo kunder Fullanit?!

Po Rama, pro apo kunder Fullanit?!

I patrazuar për 10 vite në krye të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ndodhet sot në momentin e vet më kritik. Vjedhja për së dyti e Thesarit ka zemëruar si rrallëherë shqiptarët dhe një segment të klasës politike, aq sa në këto ditë të nxehta gushti nuk flitet veçse për fatin e Guvernatorit. Hetimi i Prokurorisë, i nisur prej ditës kur Ardian Bitraj u dorëzua përballë gropës 7 milionë dollarëshe që kish vjedhur nga Thesari përmes fshehjes në poture, nuk ka qetësuar askënd.

 

Hapja e kutisë së Pandorës mbi mekanizmat deri dje të padukshëm të sigurisë së depozitave dhe profili i Guvernatorit, një mik i pushtetarëve dhe i mbrojtur prej tyre, ka grumbulluar tanimë rreth tij, gjithë pakënaqësinë kronike të shqiptarëve ndaj të paprekshmëve që ndodhen në krye. Fullani megjithatë ka vendosur të rezistojë! Tri javë pas zbulimit të vjedhjes së 713 milionë lekëve, ai beson se i ka përmbushur të gjitha përgjegjësitë e tij si administrator i Bankës. Edhe Këshilli Mbikëqyrës mendon njësoj. Të lidhur në përgjegjësinë e përbashkët përballë skandalit, si Fullani ashtu edhe Këshilli kanë preferuar të mos flasin për përgjegjësi morale, por vetëm për atë ligjore. Provokimi i një kërkese për shkarkim nga Ermelinda Meksi, e vetmja anëtare e propozuar nga PS në bord, anoi bindshëm në favor të Guvernatorit. Topi ndodhet tanimë në fushën mes politikës dhe qytetarëve, duke e përcjellë çështjen “Fullani” në axhendën politike të shtatorit.



Pro, kundra dhe në mes…



Në fillim të protestave, heshtja e pazakontë e politikës për skandalin në Thesarin e Bankës vetëm sa i hodhi benzinë zjarrit. Pas kësaj droje për të hapur gojë, shumë lexuan miqësi personale e të tjerë, interesa okulte mes guvernatorit më jetëgjatë të Bankës së Shqipërisë dhe politikanëve sa majtas-djathtas. Pozicioni i Fullanit u rëndua edhe më tej nga publikimi i fotove të luksit  të familjarëve të tij apo një liste emërimesh për qokë të njerëzve të afërt të politikanëve në Bankë. Tre javë më pas, qëndrimet e palëve janë më të qarta. Partia Demokratike duket e interesuar që Ardian Fullani të vazhdojë mandatin e tij si Guvernator. Edhe pse i zgjedhur që prej kohës së Nanos në këtë post, në tetor 2004, tetë vitet në pushtet ishin të mjaftueshme për të krijuar një histori të re miqësie mes PD dhe Guvernatorit. PD-ja zyrtare ka preferuar megjithatë t’i qëndrojë larg debatit për fatin e Fullanit, për t’iu shmangur kështu një përplasjeje me opinionin publik. Ish-kryeministri Berisha ka qenë si gjithnjë i drejtpërdrejtë: “Nuk do të mbështesim asnjë nismë politike për shkarkimin e Fullanit.

 

Për ne, stabiliteti i sistemit bankar është i rëndësishëm dhe nuk e përdorim për kapital politik”,-tha pak ditë më parë Berisha, ndërsa nuk harroi të hiqte paralele me vjedhjen e parë të Thesarit, ku Guvernatorit të kohës, Shkëlqim Cani nuk i hyri gjemb në këmbë. Në të njëjtën linjë me Berishën ishte edhe ambasadori amerikan, deklarata e të cilit u lexua gjerësisht si mbështetje për Fullanin, ngaqë i mëshonte pavarësisë së Bankës së Shqipërisë. Lëvizja Socialiste për Integrim duket se ka një qëndrim të përshkallëzuar, duke ndjekur edhe këtë herë trendin e zemëratës publike. I pari doli Meta me një deklaratë të ftohtë, i cili e vuri theksin tek fakti që vetë Banka e kishte denoncuar vjedhjen. Zërat e mëpasëm nga selia e LSI-së tregon se partia e Metës ka lëshuar pe. Apele dorëheqjeje kanë ardhur nga Spartak Braho e Ylli Manjani, anipse i pari e sheh përgjegjësinë tek Këshilli Mbikëqyrës e i dyti tek Guvernatori. Po kryeministri Rama, ç’qëndrim ka xhanëm? Njeriu që duket se do të përcaktojë se nga do të anojë peshorja e post-skandalit është investuar publikisht vetëm me një deklaratë as mish as peshk, por në kallëpin e kostumit kryeministror megjithatë, duke njohur rëndësinë e pavarësisë së Bankës. Ai e ka cilësuar vjedhjen një sfidë për drejtësinë, për autoritetin dhe sigurinë e Bankës, por edhe për Kuvendin e Qeverinë, që duhet të marrin masa ligjore për krijimin e një sistemi kontrolli e transparence. Përtej këtyre fjalëve pa ngjyrë, a është Rama pro apo kundra Fullanit? Do të ishte naivitet që lëvizjet e Meksit në Këshillin Mbikëqyrës apo të Braçes në Komisionin e Ekonomisë të shiheshin jashtë ndikimit të tij. Burime të MAPO-s thonë se kryeministri është investuar në prapaskenë për gjetjen e një skeme që e nxjerr Ardian Fullanin jashtë loje, por që nuk krijon përshtypjen se ai synon të vërë nën kontroll një tjetër institucion të pavarur në vend.


Pikëpyetjet mbi kupolën e Bankës



Ka një hendek të thellë mes opinionit publik dhe Bankës së Shqipërisë, në mënyrën se si ata e lexojnë ngjarjen. Deklarata e së enjtes së Këshillit Mbikëqyrës e rrit edhe më tej këtë ndasi. “Grupet e punës kanë arritur në përfundimin se nuk ka shkelje ligjore nga ana e Këshillit Mbikëqyrës dhe Administratorëve. Por ç’ka çaluar atëherë? Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se është elementi njerëzor, i cili me veprimet apo mosveprimet e tij ka lehtësuar punën e elementit kriminal për të realizuar vjedhjen”-thuhej në deklaratën e Këshillit, që gjithashtu drejtohet nga Fullani. Ky argument megjithatë nuk bind. “Instancat më të larta të Bankës së Shqipërisë nuk i njohin asnjë përgjegjësi vetes për vjedhjen e 7 milionë dollarëve. Por pavarësisht shpjegimeve, mbetet e paqartë se si është e mundur, kur gjithçka sipas Këshillit ka qenë e mirëpërcaktuar, vjedhja të realizohet përgjatë më shumë se 3 viteve”,-pyet eksperti i Ekonomisë, Selami Xhepa. Për të, çështja nuk është as politike dhe as e lidhur me operimin dhe besueshmërinë e sistemit bankar, por ekskluzivisht me mënyrën se si menaxhohet ky institucion.

 

“Vjedhja e thesarit, fatkeqësisht për herë të dytë, dhe mosreagimi i duhur nga drejtuesit e lartë, nëpërmjet marrjes së barrës morale të kësaj ndodhie, e bën opinionin publik shumë të ndjeshëm. Mendoj se një akt dorëheqjeje do të ishte veprimi më i drejtë për t’i rikthyer besimin publikut tek funksionarët e saj të lartë”,- tha Xhepa për D.Welle. Në të vërtetë, dorëheqja e Guvernatorit, edhe për shkak të ligjit të blinduar të Bankës së Shqipërisë,  mbetet zgjidhja më e thjeshtë. Përveç Xhepës, dorëheqjen e Fullanit e kanë kërkuar edhe një duzinë figurash publike, të cilët besojnë se edhe pse nuk rezulton një implikim ligjor, kredoja morale e Guvernatorit ka rënë. “Në rast se ne do të ishim shtet serioz, siç nuk jemi, Ardian Fullani do ta kishte dhënë dorëheqjen që ditën e parë. Njësoj si në Perëndim një ministër Transportesh largohet pa u menduar dy herë nga detyra për shkak të përplasjes së një treni”-shkruante Astrit Patozi i PD-së për “Panoramën”, ndërsa e cilësonte këtë skandal, një pasqyrë të përkryer për të parë fytyrën e deformuar të sistemit që kemi ndërtuar. Megjithatë, në analizën e tij lexon qartazi një lojë politike që po gëlon në prapaskenën e mazhorancës, për të nxjerrë nga ky skandal një përfitim më shumë.

Skenarët e shtatorit



Dorëheqja e Fullanit do të ishte zgjidhja më e thjeshtë për mazhorancën “e ngecur” në hall. Por dorëheqja është një akt personal, që nuk mund të diktohet përveçse nga vullneti i Guvernatorit. Në këto kushte, axhenda e shtatorit po përgatitet rreth disa skenarëve që mund t’i japin zgjidhje krizës së krijuar në Bankën e Shqipërisë. Ndryshimi i Këshillit Mbikëqyrës, në favor të mazhorancës, ngritja e një komisioni hetimor Parlamentar apo shkarkimi i Fullanit nga Kuvendi janë lëvizje me risk, që mund të ngrenë stuhi  rreth një përdorimi të mundshëm politik të kësaj çështjeje. Akuzat për kapje të institucioneve të pavarura nuk do të ishin pa vend në këtë rast. Pengesë mbetet gjithashtu edhe korniza ligjore. Pas dorëheqjes, Këshilli Mbikëqyrës mbetet mekanizmi i dytë më i thjeshtë për një shkarkim të mundshëm. Sipas ligjit të Bankës së Shqipërisë, Këshilli mund të shkarkojë në kushtet kur Guvernatori apo anëtarët e Bordit cenojnë interesat e Bankës. Por votimi i së enjtes tregoi se nga 7 anëtarët, (dy vende janë vakante) 6 janë pro qëndrimit të Fullanit në detyrë.

 

Një raport i tillë e bën thuajse nul një nismë të shpejtë të mazhorancës për të emëruar dy anëtarët e munguar të Këshillit, pasi raporti i votave mbetet sërish 3 me gjashtë në favor të Guvernatorit. E vetmja rrugë që mund të çojë në një shkarkim të mundshëm është ajo e ndryshimit të ligjit; e kushtueshme në kohë dhe e diskutueshme si lëvizje qartazi politike. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë ka paralajmëruar përmes postimeve në Facebook nismën për ndryshimin e ligjit në shtator, por kjo hap shtegun e një debati të ri mbi qëllimin e fshehur të mazhorancës, për të vënë në kontroll një institucion me rëndësi si ai i Bankës Qendrore. Një rrezik të tillë e paralajmëroi ambasadori amerikan pas takimit 50 minutësh me Fullanin, kur bëri thirrje për shmangie të implikimeve politike. Megjithatë, duket e pashmangshme një nxehje e debatit për Bankën, me rikthimin e politikës nga pushimet. Nëse mazhoranca do të shohë, bashkë me shkarkimin e Fullanit, një mundësi të artë për të futur në dorë pozicionin e lakmuar të Guvernatorit, kjo histori do të tirret për shumë gjatë. Megjithatë, ajo ka ende shansin të përfitojë nga kriza e Guvernatorit, për të ofruar një zgjidhje të drejtë për Bankën e Shqipërisë.

 

Kush është Ardian Fullani

Z. Ardian Fullani është diplomuar pranë Universitetit të Tiranës në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë, në vitin 1977 dhe në Fakultetin Juridik në vitin 1991.

Përvoja e tij në fushën e sektorit bankar brenda dhe jashtë vendit është mjaft e gjerë. Ajo i ka fillesat në Bankën e Shtetit Shqiptar në vitin 1985, si Zëvendësdrejtor i Departamentit të Jashtëm në periudhën 1987 – 1990 dhe më pas në Bankën Tregtare Shqiptare, si Drejtor i Departamentit të Jashtëm, deri në vitin 1992.

Z. Ardian Fullani u bë pjesë e Bankës së Shqipërisë  që prej krijimit të saj në vitin 1992, në funksionin e Zëvendësguvernatorit e më pas në periudhën 1993-1996, si Drejtor i Departamentit të Jashtëm.

Gjatë viteve 1996-1997, përvoja e z. Fullani shtrihet edhe në fushën e konsulencës për projekte zhvillimi kombëtare e ndërkombëtare, ku mund të përmenden projektet gjermano-shqiptare për financimin e biznesit të vogël dhe të mesëm në bujqësi dhe në agroindustri, për ristrukturimin dhe institucionalizimin e tregut të këmbimeve valutore si dhe analizën dhe zhvillimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri.

Eksperienca me Bankën Italo-Shqiptare i përket periudhës 1997-2004, fillimisht si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Departamentit Financiar (1997-2000) e më vonë si Drejtor i Përgjithshëm i Bankës (2000-2004). Z. Fullani ka mbajtur edhe funksionet e Presidentit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, të Institutit të Studimeve e Asistencës Bankare si dhe të Komisionerit në Komisionin e Letrave me Vlerë.

Në tetor të vitit 2004 u zgjodh Guvernator i Bankës së Shqipërisë. 7 vjet më pas, më 2011 ai u bë Guvernatori i parë pas ’90, që mori një mandat të dytë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama