Pikërisht të patrazuara, të thjeshta dhe njëherësh të thella ashtu siç di t‘i vendosë Matisi, përmes një përkujdesjeje e cila i avitet paqtë kufirit të përkëdheljes. Në librin e titulluar "Shënime të një piktori", ndër të tjera, Matisi shkruan: "Ëndrra ime është një art ekuilibri, pastërtie, qetësie, pa tema shqetësuese apo preokupuese, që të jetë si për atë që punon me tru, apo për tregtarin, ashtu edhe për artistin e letrave; si një ëmbëlsues, një qetësues cerebral, diçka e ngjashme me një kolltuk të mirë, që të çliron nga lodhja fizike".
Kjo është kredoja dhe njëfarësoj pulsi i çastnisjes kur Matisi përballej me bardhësinë e pafundme të telajos, përndryshe piktura merr trajtën e një eksperimenti racional (edhe disa kundërshtarë të tij mendojnë se këtu ka të drejtë) duke cenuar harmoninë fizike, e për rrjedhojë dhe atë metafizike brenda botës së ngjyrave. Ndoshta ky rrezik vjen si pasojë e një pakonsiderate kinse artistike ndaj natyrës së ngjyrave, e cila konsiston në faktin se ngjyrat në përgjithësi kanë një nevojë të pashpjegueshme për njëra-tjetrën, e nëse kjo nuk merret parasysh, qoftë edhe në stadin konceptual, (sepse nismat e mbrujtura mirë që në këtë stad fillojnë frymëmarrjen) atëherë ajo që do vijojë praktikisht s‘ka themel.
Është e vërtetë se në disa piktura të Matisit, ngjyrat përvetësojnë/marrin një lloj dukjeje, e cila të jep përshtypjen sikur qëndrojnë pezull mes imagjinares dhe pamjes formale. Sigurisht, nuk është kusht që ky plazmim i pamores të arrihet përmes statusit të vetëdijes, e rëndësishme dhe e mjaftueshme është që karshi nesh përshfaqet e sublimuar një pjesë e shqetësimit ontologjik që bart shpirti krijues.
Ekzistencën e mbingopur përtej studios së tij, Matisi e refuzonte pikërisht duke e evokuar atë për ta pajisur me semantikën dhe formën (në këtë rast ngjyrën) e duhur, dhe për t‘i dhënë kështu fizionominë e një vepre arti, e cila tashmë, falë tjetërsimit na ofron një mundësi më shumë mbi përjetimin e realitetit. Dhe e gjithë kjo, përkapet me anën e një thjeshtësie të jashtëzakonshme, që në historinë e pikturës evropiane është shumë e rrallë.
Pa mëdyshje, sprovat kryesore të artistit janë tri (ose tri të tjera të ngjashme): Marrëdhënia e tij me artin, me vetveten dhe me ekzistencën përreth, ose, me atë pjesë të ekzistencës që mund të përkthehet në një vepër në të ardhmen. Ky trinom është i përhershëm në krijimtarinë e secilit artist. Ndërsa ai që për një arsye ose një tjetër, "di" t‘u shmanget këtyre pyetjeve, e ka përmbyllur jehonën e veprës së vet brenda një strukture të kufizuar në kohë dhe në hapësirë. Çështja është, (këtu përcaktohet vlera e një vepre) sa dhe si është kuptuar roli dhe dimensioni i këtyre komponentëve.
Nuk e di pse, por, ngjyrat e ridimensionuara (larg çdo kuptimi teknik) nga Matisi, përmbajnë/përçojnë një lloj rrezatimi që në mënyrë të beftë të ngjall një farë optimizmi tejet të veçantë që në kontaktin e parë.
Për Matisin nuk ka rëndësi fakti i cili është vënë në dukje nga disa estetë dhe studiues të arteve pamore, që kuptimi i termit ngjyrë, përbën një nga lëmshet më të ngatërruara të historisë së shkencës. Ky konstatim, pavarësisht se i çuditshëm në dukje, vështruar artistikisht, nuk bart asnjë lloj vlere mbi raportin e një piktori me ngjyrat, përkundrazi, është një çështje e kimisë (pra jo e alkimisë) dhe e tillë le të mbetet. Në fakt, për një artist, fenomeni i ngjyrave asnjëherë nuk duhet ngritur se çfarë janë ato, por, si mund ta sublimojnë dhe ta tejçojnë ato shqetësimin e qenies mbi fatin. Natyrisht, edhe për poetin sprova është e njëjtë.
Pyetjet e mëposhtme, jam i prirur të besoj se nuk shkaktojnë asnjë problem në raportin e Matisit me ngjyrat, si për shembull: Përse ekzistojnë ngjyrat? Çfarë synimi kanë? Çfarë simbolizojnë ato, etj. Atij i mjafton miqësia e hershme me ngjyrat. Mbase kjo miqësi ka lindur që në takimin e parë, dhe, për këtë dëshmojnë një gjuhë (ose, një metagjuhë që nuk pranon kompromis me "delikatesën" e syprinës) të gjitha pikturat e tij, pa diskutim trashëgimia më e vyer që ka lënë pas.
Marre nga : Gazeta Shqip











