Percillet Boris Plumbi

Përcillet Boris Plumbi

Boris Plumbi u nda na jeta në moshën 84-vjeçare. Ishte lindur në Sofje më 27 shkurt të vitit 1923. Biri i një diplomati shqiptar në Bullgari, mbeti jetim fare i vogël dhe për të do kujdesej e ëma e cila rridhte nga familja e mirënjohur korçare, Nikolla. Ajo ishte grua e emancipuar dhe me kulturë të gjerë, njohëse e disa gjuhëve të huaja. Në vitin 1926 familja Plumbi kthehet në atdhe dhe vendoset në Korçë. Borisi, shkollën fillore e kryen në kolegjin “Kenedi” të misionit amerikan në qytet. Më vonë vazhdon studimet në Liceun Francez, të cilin e përfundon në 1943. I edukuar në ndikimin e nënës së vet ai që në moshën 7-vjecare hyri në rrugën e artit. Në 1930 merr pjesë në një koncert të organizuar nga shoqëria “Lira” në një shfaqje baleti, ku me partneren e tij, vogëlushen Antoneta Llambi, luajnë një minuetë nga opereta “Don Juan” të Moxartit e cila ishte përgatitur për skenën nga mësuesja franceze Bigu. Në vitet që pasojnë ai jepet tërësisht pas pianofortit. Boris Plumbi në kujtimet e tij shprehet se “në kulturën time muzikore ndikim të madh ka luajtur pianistja e talentuar Lola Gjoka e cila ishte kthyer në vitin 1932 nga Rusia, prej saj mësova shumë elemetë të pianofortit”.

Mësuesen e tij të parë Lola Gjokën ai nuk do ta harronte dhe do të ruante një respekt për të aq sa në çdo bisedë që vërtitej rreth muzikës ai përherë do të sillte ndërmend copëza kujtimesh prej saj. Derisa u largua në Tiranë në vitin 1934 kur do të ndalej tek një tjetër personalitet i fushës muzikore, tek profesoresha franceze Bigu e cila ishte diplomuar për muzikë në konservatorin e Parisit dhe që e kishte çuar më tej talentin e djaloshit Plumbi. Nga viti 1935 ai ka marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë dhe shfaqjet muzikore që organizoheshin në qytetin e Korcës. Për shumë vite ka drejtuar sektorin e muzikës në Radio Korça dhe në Pallatin e Kulturës, ngriti dhe drejtoi grupe muzikore e amatore në qytet. Ka udhëhequr personalisht përgatitjen artistike të operës “Agimi” dhe “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos. Për talentin e tij në fushën e muzikës në vitin 1958 Borisi transferohet si pianist pranë Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë si koncertmaestër dhe si solist. Vazhdoi të japë ndihmesë jo vetëm në aktivitetet kulturore dhe artistike të Korçës duke përgatitur pianistë të rinj.


A. Grabocka - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama