Per studentet tane te rritur te mitur

'Per studentet tane te rritur te mitur'

“I morëm në qafë studentët e shkretë”! Këtë gjë mendoj teksa i shoh çdo fillimshtatori kur u drejtohen universiteteve për t’u interesuar në lidhje me degët e ndryshme të studimit. Ke qejf t’i shohësh kur vijnë të marrin informacion: të bukur, të shëndetshëm, shtatlartë. Shumica nën shoqërinë e prindërve ama! Ky fakt disa i bën fodullë, disa të tjerë të ndrojtur. Nuk i fajësoj! Janë edhe ata pjesë e shoqërisë së konsumit dhe e pedagogjizimit në rritje të jetës sonë të përditshme. Janë edhe ata, si unë, të rrethuar nga shoqërues të të gjitha llojeve: këshillues, trajnues, udhëheqës, terapistë, këshilltarë, mentor etj.

 

Në orën e filozofisë apo të letërsisë së epokës së iluminizmit mund ta kenë lexuar shkrimin e famshëm të Kantit “Çfarë është iluminizmi” të vitit 1784, në të cilin filozofi aspiron imazhin ideal të qytetarit të pjekur, i cili është në gjendje ta përdorë gjykimin e tij pa drejtimin e dikujt tjetër: “Sa e lehtë është t’u jepesh kujdestarëve! Sa e kollajtë është të ngelesh i papjekur. Pse ta mundoj veten kur kam një libër, i cili mendon për mua, kur kam një udhërrëfyes shpirtëror që kujdeset për ndërgjegjen time, kur kam një mjek që ma përcakton dietën etj., etj?! Kështu që s’e kam aspak të nevojshme të mendoj, mjafton të kem me se të paguaj…”.

 

Por, shpejt studentët e kanë kuptuar se sa e vështirë është ta aplikosh në realitet idealin kantian të vetëvendosjes dhe të pjekurisë individuale përballë kompleksitetit në rritje të realitetit social. Progresi shkencor, larmia e ofertave, krijimi i kulturës së ekspertit, e bëjnë thuajse të pamundur orientimin e pavarur të individit. Për çdo problem e pasiguri, shfaqet këshilluesi. Për çdo problem në çift, këshilluesi është aty, për çdo pasiguri në arredimin e shtëpisë, zgjedhjen e ngjyrës së tapeteve apo perdeve, të veshjes apo divaneve, eksperti përkatës është i gatshëm për ndihmë. Për çdo pasiguri në jetën seksuale, këshilluesi për probleme seksuale ka zgjidhjen.

 

Kush nuk di çfarë të studiojë apo çfarë lëndësh të zgjedhë, i drejtohet këshilluesit të studimit apo atij të karrierës; kush nuk di çfarë të hajë e sa të hajë, i vjen në ndihmë dietologu; kush ka vendosur të lërë cigaren dhe të fillojë sportin, i drejtohet trajnerit në palestër. Edhe ai që ka vendosur të drejtojë shtetin nuk mund ta bëjë këtë pa këshillues të fushave të veçanta, nga komunikimi e deri tek financat. Kurse për ata të pavarurit që veprojnë me mendjen e tyre dhe paraqesin rezistencë ndaj këshillimit, shoqëria ofron mundësi të tjera ndihme: kërcënim me vdekje nëpër paketat e cigareve, taksa të larta ndaj sheqerit, yndyrës, alkoolit dhe gjithçkaje që momentalisht konsiderohet e dëmshme për shëndetin.

 

I gjithë ky biznes këshillimor na çon drejt një paradoksie të pashmangshme: sa më i madh numri i njerëzve që pranojnë se nuk dinë apo janë të pasigurt rreth një çështjeje, aq më shumë rritet edhe numri i atyre që pretendojnë se mund t’u japin dum problemeve në fjalë dhe të ofrojnë këshillim profesional. E gjithë kultura jonë pra inkurajon pasivitet, pavarësisht retorikës për kreativitet dhe marrje përgjegjësish personale dhe është e vështirë që studentët tanë të gjykohen jashtë këtij sistemi kujdestarie.

Mendoj se universiteti (megjithëse tashmë është tepër vonë) do të duhej të ishte terreni i duhur, që mund ta ndërpriste këtë zinxhir të pafund pedagogjizimi duke i trajtuar studentët si individë të rritur, të aftë për të marrë përgjegjësi dhe për të zgjedhur. Problemi është se edhe fryma universitare nuk bën përjashtim nga ambienti përreth. Personi i parë që studentët kërkojnë sapo shkelin në një universitet janë këshilluesit e studimit dhe të karrierës. Më pas, gjatë viteve të studimit, temat e eseve apo të punimit përfundimtar të diplomës studentët nuk do t’i zgjedhin asnjëherë vetë, por do ua kërkojnë pedagogëve.

 

Nuk kanë faj! Janë rritur në një dekadë, në të cilën studimi universitar nuk konsiderohet më si përpjekje individuale e organizuar dhe e disiplinuar, por si konsumim i një produkti që ofrohet “i prerë sipas masës” nga pedagogë dhe këshillues. Pas tri vitesh, diploma që kanë në dorë nuk do t’u ndryshojë asgjë. Do të vazhdojnë të jenë të rritur të mitur që kanë studiuar një degë që nuk e kanë zgjedhur vetë dhe që, tashmë, kërkojnë një punë të cilën ua ka sugjeruar zyra e karrierës dhe që mendojnë se ua imponon tregu i punës.

Prandaj dhe studentët tanë të rinj, të bukur e të shëndetshëm, fodullë e të ndrojtur që shfaqen për herë të parë dyerve të universiteteve me prindër për dore, nuk kanë faj. Ata janë thjesht simptomë e një trendi shoqëror që nuk i lë të rriten. Me diplomë në dorë, ata janë tashmë viktimat e radhës në armatën e kujdestarëve, të cilët, në këmbim të lirisë individuale, u japin atyre iluzionin e sigurisë në një jetë plot të panjohura.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama